E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i LDD'së në Pejë aderon në AAK

Zyrtarë kryesorë të degës së LDD-së në Pejë, të hënën, edhe publikisht kanë aderuar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në dy mandate radhazi, udhëheq me komunën e Pejës.

Deri sot kryetari i degës së LDD-së në Pejë, Shefqet Ukaj, që është edhe nënkryetar i komunës së Pejës, së bashku me dy drejtorë të drejtorive komunale Zana Radoni Radoniqi, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik dhe Nimon Bricor, drejtor në Drejtorinë e Integrimeve Evropiane, të dy nga e njëjta parti, kanë aderuar në AAK.

Me këtë, Shefqet Ukaj nuk ka mbajtur premtimin e dhënë për forcimin e dardanëve në Pejë, si dhe reformat për ndryshime.

“Dardanët pejanë nuk kanë ndonjë luhatje për t’u rikthyer në LDK, ku i kanë rrënjët, aq më pak në ndonjë subjekt tjetër politik”, kishte thënë Ukaj një muaj më parë, ndërkohë që sot ai është shprehur tepër i vendosur për vendimin e marrë.

“Kemi vendosur të kalojmë në këtë parti dhe të japim kontributin tonë, pasi me këtë parti do të fitojë Kosova, në krye me Ramush Haradinajn”, ka deklaruar Ukaj.

Në pyetjen se pse këta nuk janë rikthyer në LDK, sikurse shumica e dardanëve tjerë, Ukaj ka thënë se ata janë më afër me LDK-në , mirëpo dega e LDK-së së Pejës ka shprehur qëndrim injorues ndaj tyre.

“Ne natyrshëm jemi afër më LDK-së, por qëndrimi injorues i strukturave të degës së LDK-së në Pejë, neve na ka larguar edhe më shumë nga ideja që të ofrohemi pranë tyre”, ka komentuar ai, por nuk ka sqaruar se cilat janë shkaqet e këtij injorimi, por ka supozuar se ndasitë brenda LDK-së në Pejë, ende janë të pranishme dhe se dega këtu, sipas tij, ende nuk ka arritur stabilitetin e saj, as që ka tejkaluar mentalitetin e mëparshëm të ndarjeve. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›