Leonard Cohen, zemra dhe kitara

Ata që mund të mos e kenë shumë për zemër, në mënyrë sarkastike mund ta thërrasin “Len qesharaku”, por Leonard nuk do t’ia dijë aspak se ç’thonë të tjerët. Ai është ai që është prej dhjetëra vitesh, dhe kjo nuk ka ndryshuar edhe në albumin e fundit që ka nxjerrë pas tetë vitesh mungese në treg.
“Çfarë lloj përjetimi keni kur dëgjoni krijimet tuaja?”, e pyeti njëherë Cohen një nga fansat e tij gjatë një takimi prezantues. Në fakt, e kishte fjalën për albumin e fundit: “Ide të vjetra”, që sapo është lëshuar në treg.
“Nuk e dëgjoj kurrë, përveçse kur më duhet të interpretoj”, u përgjigj shkurt Cohen. Zëri i këngëtarit të madh, për kë e ka ndjekur me vite, duket në këtë krijim të tij të fundit më i pjekur dhe më i ngadaltë se zakonisht. Ndoshta është çështje moshe, por jo. Sipas tij, nuk kanë të bëjnë vitet që ke mbi supe, por pjekuria e shpirtit. Një shpirt i pjekur, zakonisht mund të ekzistojë edhe tek një njeri i ri dhe zakonisht një shpirt i pjekur preferon që të artikulohet ngadalë. Një shpirt i pjekur e di se koha nuk ekziston, se shpirti është i përjetshëm, ndaj nuk nxitohet.
Zëri i Cohen është bërë më i thellë, po a ka ndonjë kufi për këtë thellësi?” Ndaj kësaj pyetjeje, Cohen përgjigjet: ”Po, po, ka një kufi dhe nuk është ai që mund të mendoni, pra vdekja. Kufiri është kur dikush që ka kënduar dhe ka pirë cigare, befas vendos që ta lërë cigaren. Atëherë zëri, ndryshe nga sa mund të imagjinohet, në vend që të ‘hollohet’, nis dhe trashet dhe bëhet më i thellë. Kur unë vendosa disa vjet më parë, për arsye shëndetësore që të lë cigaren, mendova që në një farë mënyre do të humbisja edhe një ngjyrim apo nuancë të zërit tim. Realisht më erdhi pak keq, dhe madje u trishtova, por më duhej që të zgjidhja mes shëndetit dhe pasionit, karrierës dhe e bëra zgjedhjen. Kisha frikë se do të më bëhej zëri si i një sopranoje, por ndodhi mrekullia dhe zëri im, veçse u përmirësua. Kam pirë aq shumë duhan, sa shpesh më identifikonin me tymin e cigares dhe një pjesë të meritës së zërit tim ia atribuonin pikërisht duhanpirjes”. Përveç zërit, që është bërë më i fortë dhe më i thellë, duket se albumi i fundit i Cohen sjell një njeri që nuk ka ndryshuar aspak në lidhje me idetë dhe përsiatjet e mendueshme në lidhje me seksin, vetminë, ndarjet, vdekjen dhe shpëtimin. Kopertina e albumit të ri ka në syprinën e saj një grua të zhveshur dhe një kafkë.
77-vjeçari thotë se të jesh autor këngësh dhe veçanërisht në të shkuarën, e ka bërë shumë popullor me seksin e kundërt. Ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes së femrave dhe elementit femëror.
“Ka qenë gjithmonë shumë e këndshme për mua që të kem një reputacion falë të cilit e kam pasur të lehtë që të bëhem mik me femrat dhe ta njoh më nga afër universin e tyre magjik. Ndaj, duke pasur kredencialet e një këngëtari të pasur dhe të suksesshëm, nuk më është dashur kurrë që një marrëdhënie ta nis nga zeroja, pra nga prezantimet e kota dhe nga të folurit për veten dhe për atë që isha”. Një tjetër njeri i madh i këngës, Joe Cocker ka deklaruar në një intervistë të tij se, gjithmonë ka qenë mrekulluar nga ‘intimiteti’ që përcillnin dhe mbartnin me vete krijimet dhe këngët e Cohen.
“Epo, ky kam qenë unë. Ajo ka qenë dhe është brendia ime, mënyra se si kam nxjerrë jashtë atë që më ka vluar brenda”, thotë Cohen. “Gjithmonë e kam pasur fillimisht të vështirë që të realizoj një këngë, por më pas natyra ime e të futurit në thelb të gjërave më ka ndihmuar që të realizoj gjithmonë atë që kam dashur në fillim, sado që mund të më jetë dukur e pamundur. Nuk më ka ndodhur kurrë, për shembull, që të kem një fluks të madh fantazie. Gjithçka ka qenë e kursyer për mua, por gjeniale, e mrekullueshme dhe unike, në kohën e duhur. Në njëfarë mënyre, mënyrën e krijimit tim do ta krahasoja më shumë me atë të poetit Yeats. Edhe ai kishte një bllokim dhe vështirësi fillestare, por më pas duket se muza i sillte frymëzimin e duhur, prej të cilit linte veprat e duhura dhe të papërsëritshme”.
Cocker, sipas tij, ka dashur, ose më mirë është përpjekur gjithmonë që t’ia zbërthente këngët, qoftë përmbajtjen, qoftë tingullin. Cohen vetë thotë se nga ana tjetër, i ka thënë gjithmonë se kjo tentativë është e kotë dhe nuk do të sjellë asnjë rezultat. Ndërkohë, e ka paralajmëruar: ”Duhet të jemi të kujdesshëm kur duam që të analizojmë dhe zbërthejmë mekanizmat e shenjtë dhe gati hyjnorë të një krijimtarie artistike“. Sipas Cohen, arti i krijimit të këngëve, sikundër në fakt çdo art tjetër, kërkon këmbëngulje, fantazi shpesh dhe frenetike, por edhe një lloj hiri dhe iluminimi”. Për sa i përket titullit të albumit të fundit: “Idetë e vjetra”, a është ky një titull që e ka menduar gjatë, apo e ka gjetur menjëherë dhe a përkon ai me brendinë e albumit?
“Unë nuk i mendoj kurrë gjatë titujt. Pra, nuk e kam menduar as këtë. Megjithatë, në këtë album ka shumë memorie të vjetra që i kam risjellë me një emocion të ri, me një frymë të re. Ata që më njohin mirë në natyrë dhe në tingull, do të kuptojnë se ku qëndron e vjetra dhe ku qëndron e reja në album. Dhe në fund do ta kuptojnë se në fakt, gjëra për të cilat kam shkruar dhe kënduar janë universale, pra edhe në versione të reja, janë po të njëjtat ide të përjetshme, pra sa të vjetra, aq edhe të reja“. Cohen së fundi ka marrë edhe një çmim shumë të veçantë britanik, çmimin ‘PEN’, për “mjeshtërinë e jashtëzakonshme në fushën e shkrimit të lirikave të këngëve”. Si ndihet, Cohen me një çmim të tillë? “Gjëja që më pëlqen më shumë në lidhje me këtë çmim është se nuk e kam marrë vetëm, por së bashku me Chuck Berry. Ai është gjithashtu i mrekullueshëm dhe për mua është nder që ta kem emrin përkrah tij”.
E ndërsa është duke bërë promovimin e parë të albumit, Cohen edhe pse 77-vjeçar, thotë se ka planifikuar një turne botëror. Kjo edhe pse dy vjet të shkuara, kur ishte pikërisht duke performuar në një koncert në Spanjë, pati një gjendje të fikëti dhe shfaqja u ndërpre. Megjithatë, ai është shquar gjithmonë si një njeri shumë këmbëngulës dhe thotë se është gatitur që të durojë të gjitha presionet dhe vështirësitë e udhëtimit dhe të lodhjes, duke qenë entuziast dhe duke u përpjekur që të pushojë më shumë dhe të jetë energjik në maksimum në skenë. Në fakt, këtë ai e thotë dhe e mban. Turneun e fundit botëror, 2 vjet të shkuara, e kreu duke kaluar në 247 qytete të ndryshme, pra duke dhënë 247 shfaqje, dhe këto të gjitha para një audience shumë të madhe dhe duke marrë lëvdatat më të mira që mund të presë një artist nga shfaqjet e tij, madje edhe nga ata që mund t’i cilësojë si dashamirës të artit. Para se të niste turneun e fundit, vinte nga një ndërprerje prej 15 vitesh.
“Rikthimi sërish në rrugëtim dhe në turne ishte si të ndiheshe sërish njeri i rrugës dhe i punës. Më dukej vetja si një punëtor që ishte i detyruar të respektonte orarin e turnit. Ishte e vështirë se gjatë 15 viteve të fundit nuk kisha respektuar asnjë orar dhe ja tani duhet që befas t’i përmbahesha një agjende shumë të saktë dhe të përpiktë dhe të përballoja çdo turne me energjinë më të madhe të mundshme, që shpesh të ezauron”. Në fakt, turneu u nxit edhe nga një situatë jo e mirë financiare në të cilën ndodhej Cohen. Këngëtari kishte hapur një gjyq ndaj ish-menaxherit të tij, të cilin e akuzoi për vjedhjen e 2 milionë funtave nga fondi i pensionit, ndërkohë që Cohen vetë kishte qenë për 5 vjet në një manastir budist.
Por ndërkohë që është aktiv, a mendon vallë Cohen për trashëgiminë e tij artistike? Ai ka dy nipër të cilët i do shumë, por që nuk mendon se do të ndjekin rrugën e artit. “Me këto krijesa shumë të dashura ndaj vetëm dashuri, sepse ndoshta do të kenë rrugë të tjera për të lëvruar”.
Albumi i parë i Cohen u publikua në vitin 1968 dhe ishte i gjithi një album në të cilin shfaqeshin tre personazhe: ai, zemra dhe kitara. Duket se edhe pas kaq dhjetëvjeçarësh, asgjë nuk ka ndryshuar. Edhe në albumin e fundit, të tre elementët e përhershëm nuk ka shans që të mungojnë.