Bolivi/ 11 viktima nga përmbytjet, mijëra të evakuuar
Ekipet e mbrojtjes civile kanë filluar të evakuojnë disa zona të qytetit bolivian , Trinidad, gjatë orëve të fundit, si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme që u njoftua në disa rajone të bolivisë, nga presidenti Evo Morales. Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën në të gjithë vendin dhe më shumë se 100.000 të tjerë janë zhvendosur nga përmbytjet që kanë përfshirë këtë vend. Trinidad, pjesë e departamentit të Beni-t, është rajoni i goditur më rëndë nga ky fenomen natyror. Por ka edhe nga ata banorë të cilët duke mos patur më çati mbi kokë, kanë improvizuar shtëpitë mbi ujë. E tillë eshte Helena Saucedo dhe dy nipërit e saj që jetojnë mbi varkë, pasi niveli i ujit është shumë i lartë. Aktualisht po merren masa për të krijuar barriera për të frenuar përmbytjet, por zyrtarët thanë se nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur ujin jashtë zonave të banuara. Ambientalistët thonë se një ndër shkaktarët kryesorë të pëmbytjeve të tilla, është shpyllëzimi. "Bolivia është një nga vendet më të varfra në Amerikën Latine. Më shumë se gjysma e territorit të saj është e mbuluar në pyjet e Amazonës, por një hapësirë e konsdierueshme e këtij rajoni , është shkatërruar, si pasojë e prerjes së pemëve. Bolivia goditet nga shirat e rrëmbyeshëm çdo vit nga nëntori deri në mars.