E Diel, 1 Nëntor 2026

Boll-ano! dhe dhe koha për ndryshim...ministrash!

Të gjithë e kanë mendjen te qeveria. Pa përjashtim. I madh e i vogël në këtë vend, e ka mendjen se kush do iki e kush do vijë në qeveri! Të gjithë po shqyhen nga interesi se pse iku Mustafaj, e pse po kthehet Olldashi, kush e mbështet Bashën e kush s`do ta votojë atë në kuvend, nëse presidenti do i vonojë dekretet ndonjë ditë a jo... Ky është halli i të gjithëve, e padyshim halli i mediave shqiptare, në një kohë kur një i çmendur në Jug po kërkon pavarësira, autonomira e ku di unë çfarë.

Dhe i çmenduri nuk është dokushdo, është Vasil Bollano, kryetar i Bashkisë së Himarës, anëtar i PBDNJ-së, rrjedhimisht anëtar i shumicës qeverisëse në Shqipëri. Ndërsa Tirana, vazhdon luftën politike brenda dhe jashtë llojit, zoti Bollano bën një deklaratë që do të përballej me reagime, demonstrata, e qëndrime të shumëllojshme kudo, në Itali, Angli, Gjermani, Turqi madje edhe në Greqi vetë (nëse do në bëhej në kontekstin e këtyre vendeve). Por kjo nuk ndodh. Nuk ndodh në Shqipëri më mirë, ku të gjithë janë rehat, aq më tepër ata që drejtojnë, dhe s`duan t`ja dinë se edhe nëse qëndrimi i një pushtetari vendor është shkelje ligji dhe kushtetute, është tradhëti ndaj atdheut, është përçarje dhe vëllavrasje, është implikim i shteteve të tjerë në Shqipëri e me radhë.

Por askush s`do tja dijë në demokracinë shqiptare, kur ne jemi bërë më demokratë se Abraham Linkolni, Uinston Çurçilli, Zhak Shiraku e të tjerë me radhë... Pra në këtë vend ku politika rron me hijen e frikës greke, ku shoqëria civile vetëm e tillë nuk është, ku shoqëria në tërësi po humb ngjyrën dhe sensin kombëtar, del zoti Bollano, e kërkon të ndajë Shqipërinë.

Zoti Berisha, duhet të marrë masa lidhur më këtë ngjarje, kryetari i opozitës Rama duhet të reagojë, prokuroria duhet të nisë hetimet për këtë deklaratë që cënon tërësinë territoriale të vendit, për këtë papërgjegjshmëri dhe ndasi që zoti Bollano u bën shqiptarëve dhe minoritetit grek, i cili është tashmë pjesë e kulturës, traditës, bashkëjetesës dhe në tërësi pjesë e çmuar e kombit tonë.

Zoti Bollano, një politikan “loë level”, mund të ketë mësuar nga Makiaveli, apo edhe nga teoritë “kalërike” greke, porse nuk e paska haberin se ç`është diplomacia, se çfarë është çështja e Kosovës dhe si mund të jetë zgjidhja e saj. Ose ekziston më e keqja, nuk do ta dijë dhe ta kuptojë, por pretendon autonomira në një copëz vend, i cili u gjymtua keqaz më 1913.

Thuajse 100 vjet më vonë, zoti Bollano po përpiqet të çojë deri në fund idiotësinë që Fuqitë e Mëdha bënë në atë kohë, e që për të cilën duket se janë penduar...dhe këtë e tregon edhe Kosova... Zoti Bollano, një funksionar që drejton një copëz të këtij vendi, kërkon që urdhërat edhe zyrëtarisht t`i marrë nga qarqet ku ende s`ka vdekur Megalo Idea... Në këtë rast, duhet qartëesuar edhe pozicioni zyrëtar i PBDNJ-së, sepse zoti Dule mesa dimë, ka marrë vota edhe në Skrapar, edhe në Vlorë edhe në Elbasan, edhe në Shkodër, pra në vende ku s`ka minoritet grek... As na intereson se si do votojë partia e tij për ministrat, as na intereson fare madje nëse do vazhdojë kjo qeveri apo jo, e sigurisht që s`na intereson aspak nëse do vijë ndonjë qeveri socialiste, pasi në thelb, politikanët shqiptarë kanë frikë... frikë nga big brother-i helen.

Ndaj politikanët, media, shoqëria civile dhe opinioni publik në tërësi duhet të reagojnë qytetarisht, ndaj deklaratave idiote të Vasil Bollanos. Kemi të drejtën ligjore t`u kërkojmë 140 burrave dhe grave në Kuvend të mbajnë një qëndrim për këtë çështje, për bashkëjetesën dhe integrimin, apo për përçarjen, ndarjen dhe cënimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›