Bollanizimi i Tiranës zyrtare
Në mënyrë të përsëritur dhe me synime të qarta, përfaqësuesit radikalë të minoritetit grek në Shqipëri, po përpiqen të zyrtarizojnë idenë e enklavizimit të një pjese të territorit shqiptar ku është përqendruar pjesa e mbetur e popullsisë greqishtfolëse. Dhuna ndaj përfaqësuesve të rendit, kërkesat për përfaqësues të shtetit grek, thirrjet antishqiptare dhe ato për autonomi, të përforcuara nga mesazhi “paqësor” i një zyrtari të qeverisë së Athinës, po përvijojnë një model të vendosjes para faktit të kryer. Nuk është çudi se nëse shteti shqiptar nuk do të reagojë me qetësi, maturi dhe në respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të qeverisjes vendore dhe qendrore, fenomeni “Bollano” do të përshkallëzohet.
Në faqen e CIA-s, të përditësuar në mars 2008, thuhet se në Shqipërinë 3.4 milionë banorëshe, grekët përbëjnë vetëm 3 për qind të popullsisë, ku 95 për qind janë shqiptarë dhe 2 për qind janë të etnive të tjera. Kjo përqindje është konsoliduar prej shumë vitesh në raportet amerikane, megjithëse gjithnjë e më shumë minoritarë grekë janë zhvendosur përfundimisht në Greqi, ku jetojnë dhe punojnë dhe së fundi po përfitojnë edhe kartën e homogjenit, të ofruar nga qeveria greke e kryeministrit Karamanlis. Por ndërsa pakësohen frymët minoritarë që duan të sosin ditët në Shqipëri, prej vitesh po shtohet fryma antishqiptare për ta shtrirë “Nënën Partiarqi” në trojet historikisht shqiptare.
Për shumë shqiptarë janë ende të freskëta imazhet e katër viteve më parë kur disa ekstremistë ngritën flamurin grek dhe hodhën parulla antishqiptare, qindra vlonjatë u nisën drejt Himarës. Ishin të rinj me thirrjet, "Himara është Shqipëri" dhe "Në mes të Labërisë nuk ka se si të ketë tokë greke". Atëherë ata u bllokuan dhe ngjarja u harrua, por shkëndijat e konfrontimit po ndizen gjithnjë në Himarë, nën hundën e qeverive shqiptare, duke shkelur mbi 9 nene të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe integritetin territorial të vendit.
Vasil Bollano, udhëheqësi aktual shpirtëror dhe ekzekutiv i krahut radikal të minoritetit grek në Shqipëri, hyri në zyrën e kryebashkiakut të Himarës pas zgjedhjeve të tetorit 2003. Si kandidat i PBDNJ-së, ai bëri fushatë edhe në Greqi, me mbështetjen strukturave të PD-së, e cila ishte e interesuar politikisht të humbte kandidati i PS-së. Me eufori të pavend për popullaritetin e partisë që përfaqësonte, ish-kandidati socialist, Jorgo Goro u mund nga aleanca PBDNJ-PD dhe përfaqësuesi i tyre Bollano. Katër vite më pas, për zgjedhjet vendore të 18 shkurt 2007, Bollano për një mandat të dytë firmoste fletushka ku shkruhej e zeza mbi të bardhë: “Më 18 shkurt, vorio-epirotët e Himarës do të votojnë për ndryshimin e një Greqie në tërësi,për ndryshimin e një politike të re në shpirtrat e grekëve që jetojnë atje, për një rikthim në familjen e re, në atdheun europian". Shumë himariotëve iu pre e drejta kushtetuese për të votuar lirshëm, sepse radikalët sajuan radhë të gjata dhe bënin presione e sharje në greqisht. Mbi 1000 emigrantë ishin sjellë nga Greqia dhe Bollano u rizgjodh kryetar me 1264 vota, ndërsa fitoren e sjellë nga autobusët e festoi me tingujt e muzikës greke dhe flamurin helen. Edhe në këtë sfidë, kandidati i PD-së garoi sa për të thënë, ndërsa ai i PS-së mbeti me pakicë votash.
Me dy mandate në xhep, mbështetje të pakufishme nga Athina dhe miratimin e heshtur nga Tirana, Bollano ka krijuar pushtetin e vet autonom dhe llogaridhënien e ka realisht në Greqi. Me këtë pushtet të paprekshëm, në prill 2007 ai deklaronte se kërkonte pavarësinë e Vorio-Epirit, term grek për Shqipërinë e Jugut. “Ajo që kërkohet nga Omonia, nuk është aspak më shumë se ajo që duan shqiptarët për Kosovën. Kjo është në të mirë të Ballkanit dhe të pakicave greke në Shqipëri”,- shprehej kryetari i Bashkisë së Himarës, i cili në mënyrë sfiduese, prej dy mandatesh, mban në zyrë flamurin e shtetit grek. Qëndrimi i tij radikal, si ai për Kosovën dhe autonominë, zyrtarisht janë kundërshtuar nga krerët e PBDNJ-së, aleate në qeverisje me PD-në e kryeministrit Berisha, por ato janë të interesuara për të pasur një radikal të tillë në krye të minoritetit. Dy muaj më parë, Omonia vendosi të ketë kryetar të ri pikërisht z.Bollano, ndërsa kryetari i mëparshëm u largua për dobësi në drejtimin e shoqatës së minoritetit. Me këtë staturë, Bollano ishte i treti në radhë, më 29 shkurt 2008, bashkë me kryebashkiakun e Athinës, Nikitas Kaklamanis dhe prefektin Janis Zguros, kur Athina zyrtare u dha nënshtetësinë greke në mënyre kolektive, 1106 shqiptarëve që kanë siguruar Kartën e Homogjenit. Këtë muaj, sipas Ministrisë së Brendshme Greke, nënshtetësinë greke do ta fitojnë edhe 600 minoritarë dhe shqiptarë të tjerë.
Qeveria shqiptare nuk ka reaguar qoftë edhe një herë të vetme këto vitet e fundit, qoftë edhe për të larë gojën. Ekzekutivi i kryeministri Berisha e priti me shqetësim deklaratën e fillim-marsit 2008, se Shqipëria kishte probleme me respektimin e minoritetit grek, duke druajtur se ajo do të vendoste veton në Bukuresht, që Shqipëria të merrte ftesën për anëtarësim në NATO. Por, prej vitesh, ndërsa nuk bëhet fjalë për diskriminim të minoritarëve, janë shtetasit shqiptarë ata që diskriminohen në Himarën e Bollanos. Qindra-mijëra shqiptarë kanë lëvizur brenda vendit, duke u përqendruar në Tiranë, Durrës apo gjetkë dhe askund nuk kanë probleme për t’u regjistruar dhe për të nisur një jetë të re në atdheun e tyre. Por vetëm në Himarën e bukur shqiptare ata mund të ndjehen më të huaj se në Greqi. Atje, bashkia e Bollanos nuk pranon të regjistrojë shqiptarët që kanë zgjedhur bregdetin jonian të Shqipërisë për ringritur një jetë të re. Pak muaj më parë policia bashkiake e Bollanos shkuli të gjitha tabelat rrugore, investime të Ministrisë së Transporteve të Shqipërisë dhe të Bankës Botërore, sepse gjuha duhej të ishte vetëm greke. Me protestën e fundit, ata janë gati të shkulin edhe Postën e Policisë shqiptare dhe autoritetin e shtetit shqiptar, i cili as nuk është ndjerë, as nuk po ndjehet dhe as pritet që të reagojë. Trimërimi grek në Himarë, është shprehje e qartë dhe diskredituese e bollanizimit të Tiranës zyrtare, e cila ka mbjellë në çdo cep të vendit nga një Gërdec në formën e Delijorgjit, me përmasat e tankerave të naftës, në formën e eshtrave të Kosinës apo në trajtat e Bollanos.