E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, kirurgët bllokojnë operacionet e planifikuara

 

Operacionet e planifikuara do të ndërpriten në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ky është vendimi i kirurgëve të spitalit më të madh në vend pas plagosjes së kolegut të tyre Ali Refatllari në sy të studentëve të tij, nga një person me probleme mendore. Kështu, në mbledhjen që kanë zhvilluar dje, ata kanë theksuar se problemet dhe mangësitë e mjekësisë shqiptare nuk janë të lidhura me angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e mjekëve, por me një sistem shëndetësor të nënfinancuar dhe të pamotivuar.

Vendimi

Plagosja në mënyrë barbare e shefit të Shërbimit të Kardiologjisë, Ali Refatllari, ka nxitur kolegët e tij të marrin disa vendime në lidhje me këtë ngjarje. Ajo që është më e rënda, është bllokimi i operacioneve të planifikuara në shenjë proteste dhe për këtë nuk kanë dhënë shpjegime se për sa kohë do të jetë kjo ndërprerje. Ndërkohë, ata shpjegojnë se nuk do të ketë asnjë ndërprerje të operacioneve për rastet urgjente dhe se pacientët nuk do të dëmtohen ndaj bllokimit të këtyre operacioneve. Madje protesta e mjekëve do të pasqyrohet edhe me tubime. “Ditën e hënë kemi vendosur të gjithë të bëjmë një tubim në ora 9:00 para urgjencës kirurgjikale të QSUT-së”,- pohojnë kirurgët duke shtuar se iu bëjmë thirrje kolegëve tanë në të gjithë vendin, të solidarizohen me qëndrimet e tyre.

Kirurgët

Ne kirurgët e QSUT-së e konsiderojmë këtë akt të rëndë si një dhunim të jetës dhe dinjitetit të të gjithë personelit mjekësor shqiptar. Kështu u shprehën kirurgët duke theksuar se kjo ngjarje nuk është as e rastësishme, as spontane, as e izoluar dhe as e papritur, por rrjedhoje e një opinioni abuziv të krijuar në mënyrë sistematike ndaj personalitetit të bluzave të bardha. “Gjejmë me vend t’i sjellim në kujtesë klasës politike shqiptare, opinionit publik dhe medias vetëmohimin, sakrificat dhe humanizmin e pashoq të personelit mjekësor në të gjitha ngjarjet tragjike të tranzicionit shqiptar që nga viti 1991, deri tek tragjedia e Gërdecit, edhe atëherë kur struktura e vetme funksionale e shtetit ka qenë shërbimi shëndetësor”,- pohojnë kirurgët e QSUT-së duke shtuar se problemet dhe mangësitë e mjekësisë shqiptare nuk janë të lidhura me angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e mjekeve, por me një sistem shëndetësor të pareformuar, të nënfinancuar dhe të pamotivuar.

Sipas KShH-së duhet të merren masa që personat e rrezikshëm për shoqërinë të izolohen

KSHH: Mjekëve t’u sigurohet mbrojtje e veçantë

Personelit shëndetësor t’i sigurohet një mbrojtje e veçantë. Ndërsa personat me probleme mendore që paraqesin rrezik për shoqërinë të izolohen në mjedise të veçanta. Kështu ka reaguar Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH-ja) pas plagosjes së kirurgut Ali Refatllari duke theksuar se ndaj këtyre rasteve duhet të merren masa. “Duke marrë shkas nga ky rast, KShH-ja shpreh keqardhjen se, raste që kanë vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e mjekëve dhe të personelit shëndetësor kanë ndodhur edhe në të kaluarën, ndërsa masat e marra nga organet përkatëse shtetërore kanë qenë të përkohshme dhe të cunguara”,- bëhet e ditur prej tyre duke shtuar se i bëjnë thirrje Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të vlerësojnë me seriozitet gjendjen në institutet tona shëndetësore. Kështu KShH-ja i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë, të marrë masa për krijimin e mjediseve të mjaftueshme shëndetësore për trajtimin e personave të sëmurë mendorë dhe që paraqesin rrezikshmëri për shoqërinë dhe vetë familjen. Gjithashtu, KShH-ja kërkon nga organet e drejtësisë, të vlerësojnë me seriozitet rastet e gjykimit të personave që kryejnë krime dhe që paraqesin çrregullime mendore, të zbatojmë masat mjekësore me mjekim të detyruar. “I bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të garantojë mbylljen në institucionet shëndetësore të personave që paraqesin rrezikshmëri për shoqërinë dhe vetë familjen dhe për të cilët ka një vendim gjyqësor”,- bëhet e ditur nga KShH-ja.

QSUT: Në drejtori ka ankesa çdo ditë ndaj mjekëve

Megjithëse mjekët në shumë raste janë ndier të cenuar nga pacientët, edhe këta të fundit nuk i kursejnë akuzat ndaj mjekëve të korruptuar. Sipas tyre, ka plot mjekë që nuk u japin shërbim nëse nuk iu japin para. Kështu, burime pranë Drejtorisë së spitalit pohojnë se çdo ditë ka rreth 5 ankesa ndaj mjekëve. Ndërsa kreu i këtij institucioni, Mati Pepa pohon se kur bëhet ballafaqimi ndaj mjekëve të akuzuar nga pacientët, këta të fundit i tërheqin akuzat ndaj tyre. “Ndodh që pacientët vijën dhe hedhin një varg akuzash ndaj mjekëve por kur bëhet ballafaqimi me mjekët, pacientët ndryshojnë sjellje dhe nuk thonë të njëjtat gjëra”,- pohon Pepa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›