E Diel, 1 Nëntor 2026

Bollano: Gjuha greke, mbështes vendimin e Omonia-s

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, mbështet kërkesën për caktimin e gjuhës greke si gjuhë të dytë zyrtare në vend

TIRANË- Reagimi i ashpër i opinionit politik dhe mediatik shqiptar në lidhje me kërkesat e ekzagjeruara të minoritetit grek në Shqipëri, jo vetëm që s’ka frenuar, por i ka dhënë zemër këtij komuniteti që të këmbëngulë në kërkesat tij për të drejta ekstra nga ato që parashikon legjislacioni ynë. Pas publikimit në median e shkruar dhe atë vizive të planit të këtij minoriteti për të ashtuquajturin Vorio-Epir apo dhe kërkesa e tyre për shpalljen e greqishtes si gjuhë e dytë zyrtare, drejtuesit politikë të këtij komuniteti nuk ngurrojnë të shprehen hapur se pretendimet e tyre bazohen në dokumentet ndërkombëtare të nënshkruara edhe nga Shqipëria mbi liritë dhe të drejtat e njeriut. Kreu i Bashkisë së Himarës, njëkohësisht kryetar i shoqatës minoritare greke “OMONIA”, Vasil Bollano, pasi konfirmon kërkesën për zyrtarizim të greqishtes, thekson se ajo përbën një të drejtë të mohuar të popullsisë minoritare helene në Shqipëri. Duke u përpjekur që ta zhveshë këtë çështje nga ngarkesat nacionaliste, Bollano shprehet se mbështet çdo zë të këtij komuniteti kur ato janë në përputhje me të drejtat dhe standardet ndërkombëtare. “Unë si kryetar i minoritetit etnik grek i mbështes maksimalisht të gjitha kërkesat Këshillit Drejtues të kësaj shoqate, kërkesa të cilat synojnë të përmirësojnë në mënyrë të vazhdueshme marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në kuadrin e të drejtave të njeriut dhe në kuadër të paktit të stabilitetit, të cilat janë pakte të cilat qeveria shqiptare i ka ratifikuar dhe patjetër këto do të jenë në dobi të dy popujve për një bashkëpunim të frytshëm dhe për një integrim të plotë në strukturën europiane”, - u shpreh dje Bollano gjatë një prononcimi mediatik. Ndërkohë ai ka theksuar se si drejtues i organizatës OMONIA është i detyruar që të respektojë çdo vendim që marrin strukturat e kësaj organizate, përfshi këtu edhe kërkesat për më shumë të drejta, siç është ajo e gjuhës, e hapjes së shkollës greke në Sarandë etj. “Unë nuk mund të analizoj vendimet e Këshillit të përgjithshëm. Unë jam i detyruar si kryetar i saj t’i vlerësoj dhe të përcjell imazhin pozitiv konstruktiv të këtij minoriteti në kuadrin e shtetit shqiptar”, - tha Bollano. Duke u ndalur tek një çështje tjetër tepër delikate, siç është ajo e pronave në krahinën e Himarës, Bollano ka theksuar se minoritarët nuk kërkojnë shfuqizimin e ligjit 7501 “Për tokën”, por thjesht amendimin e disa neneve të tij. “Absolutisht nuk kërkon shfuqizimin e ligjit 7501, por kërkon disa amendime të cilat e çojnë drejt kësaj zgjidhje që kemi propozuar. Ne kemi kërkuar amendimin e ligjit 7501 që prona të zgjidhet në favor të pronarit sipas dokumentacionit të para vitit 1946”, - tha Bollano. Jo më larg se dhjetë ditë më parë, qytetarë himariotë të organizuar nga vetë kryetari i Bashkisë së Himarës, Bollano, dolën me një kërkesë publike drejtuar institucioneve të shtetit shqiptar për shfuqizimin e ligjit “Për Tokën”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›