Shevçenko kthehet te Milani, ndoshta që sot
Fitoi Silvio Berluskoni, edhe këtë herë. Ishin dy blerjet e dëshiruara nga padroni i Milanit: Ronaldinjo dhe Andrei Shevçenko. Në këtë pikë edhe objektivi i dytë duket se u arrit, sepse Andrei Shevçenko, ndoshta që sot, ose e shumtanesër, mund t'i mbyllë marrëdhëniet e tij me Çelsin dhe të shkojë në Milano për t'i dhënë jetë fazës së dytë kuqezi.
KONTAKTI - Vendimtare për përshpejtimin e papritur të bisedimeve, që dukeshin të mbyllura përgjithnjë pas shumë refuzimeve të Çelsit, si me formulën e huazimit, tani e pranuar, ashtu edhe me riblerjen përfundimtare të lojtarit nga ana e Milanit, ka qenë takimi mes Roman Abramoviçit dhe Silvio Berluskonit, të premten e shkuar në "Villa Certosa" në Sardenjë. Një vizitë kortezie, e para e miliarderit rus te kryeministri italian, një drekë me biseda të ndryshme, që nuk mund të mos prekte as një argument që i kishte mbetur në zemër padronit të shtëpisë: rikthimi te Milan, i atij që e konsideronte thuajse një djalë të vetin.
KONTRATA - Kërkesa e Berluskonit mund ta ketë shtyrë Abramoviçin të japë "OK"-in e rikthimit të ukrainasit në Milano, me formulën e huazimit, që në fillim nuk ishte vlerësuar as nga lojtari. Por, në këtë rast, Sheva nuk do të merret me kontratën. Nga ana tjetër, Çelsi, pas takimit mes pronarëve të dy klubeve, është bërë dorëlëshuar: do t'ia huazojë Milanit lojtarin dhe do të ndihmojë edhe në pagesën e rrogës, që shkon rreth 6.5 milionë euro. Pak a shumë e njëjta shifër që sulmuesi merrte te Milani, para se të vendoste, në pranverën e 2006-ës të ndryshonte klub.
PËRJASHTIM - Ky rast është i ngjashëm me huazimin e Krespos. Por në këtë situatë, jo gjithçka mbeti në duart e dy klubeve: dëshira e Shevçenkos për t'u kthyer në shtëpi ishte vendimtare dhe pësoi një përshpejtim të fortë në këto ditë. Të shtunën, Felipe Skolari as që e thirri Shevçenkon për ndeshjen e së dielës me Portsmuthin. Të dielën Andrei ishte jashtë "lojës" dhe me humor të keq. Ishte ky fakt klasik, episodi final që çoi te lëvizja: i ndërgjegjshëm nga bisedimet e shpeshta të Berluskonit në Sardenjë, Sheva vendosi të nxitojë aq sa kishte mundësi.
KOHA - Shevçenko ishte në Ukrainë, kur dje kombëtarja e tij luajti një ndeshje miqësore kundër Polonisë në Lviv. Do të kthehet në Londër pas ndeshjes, pastaj në Milano për ta mbyllur sa më parë këtë histori të gjatë. Por, tashmë, pak detaje e ndajnë nga Milani. Mes detajeve për t'u mbyllur, është numri i fanellës, duke parë që "7-a" historike e Shevës, iu dorëzua Patos. Ka mundësi që sulmuesin ta marrë 76-n, vitlindja e tij. Por s'është kjo gjë ajo që i prish shumë punë.