E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lihtenshteini, një "ëndërr mashtruese" para Suedisë

Kombëtarja kuqezi ka fituar pastër 2-0, me gola të Hykës dhe Kapllanit, por në të tilla raste nukduhet gjykuar rezultati

Shqipëri - Lihtenshtein2-0

Shënues: Hyka 1', Kapllani 18'

Shqipëria: Beqaj, Dallku, Teli, Curri (Bulku 68'), Agolli (Bakaj 66'), Cana, Lala (Vangjeli 46'), Skela (Lila 56' ), Duro, Hyka, Kapllani (Salihi 57'). Trajner: A.Han.

Lihteinshteini: Jehle, Oehri, D'Elia, Burgmier, Ritzberger, Stoklasa, Biderman, Gerster, M.Bushel, R.Bushel, Plverino.

Trajner: H.Zaug.

Çdo ndeshje miqësore ka një qëllim në vetvete. Ajo e mbrëmshmja, me Lihtenshteinin, e fituar 2-0 nga kuqezinjtë tanë, sido që ta kundrosh, i përket më shumë aspektit sasior sesa cilësor. Për pasojë, analiza e ndeshjes në fjalë, me raste dhe individë të veçantë të lojës, del në plan të dytë në kësi rastesh. Se sa ia ka arritur qëllimit të tij trajneri Ari Han mbrëmë, në "paradhomën" e Suedisë, kjo mbetet të pohohet prej vetë atij. Strategjinë e tij në veprim do ta shohim më 6 shtator, në ndeshjen e parë zyrtare të tij në krye të kombëtares shqiptare. Asokohe duhet dhe mund të gjykojmë mbi veprimet apo mosveprimet pozitive në "kullën e regjisë" kuqezi. Nisur nga ky këndvështrim, fituesin, që ishte kombëtarja jonë kuqezi, duhet ta gjykojmë për cilësitë që nuk shfaqi në pjesën më të madhe të kohës së lojës, me një kundërshtar thuajse inekzistent në fushë, cilësi, pa të cilat ndaj Suedisë nuk kemi asnjë shans. E para ka të bëjë me komportimin e skuadrës me skemën e re të trajnerit Han, me vetëm një sulmues të vetëm, ashtu sikurse mbetet për t'u konfirmuar nëse qendra e mbrojtjes kuqezi është më e mira e mundshme. Hani është në pikën e 11-metërshit të tij profesional, sepse kohë për të korrigjuar nuk ka, kështu që çdo "përjashtim" i ndonjë lojtari titullar kuqezi deri dje, çdo skemë "kundër rrjedhës", për këllqet e kombëtares sonë, jo vetëm janë një thikë me dy presa, por përbëjnë edhe bazat e një "boomerangu" të vërtetë për të. Në këtë qasje të analizës sonë, mbetet për t'u pritur jo pa ankth e kureshti njëherazi, nëse vetë trajneri Han, pas Lihtenshteinit, ka siguruar një njohje të mjaftueshme të skuadrës që drejton, apo edhe Suedia do të "konsumohet" prej tij për të vënë pikat mbi "i". Kjo, jo vetëm në kuadrin e kontigjentit të lojtarëve, tek të cilët kishte besuar për miqësoren e mbrëmshme, por edhe për skemat e tij taktike, që mendon të implementojë. Këto të fundit, nuk është shumë vështirë të kuptohet, janë të varura drejtpërsëdrejti nga e para, pra nga lojtarët që ka në dispozicion, kështu që Lihtenshteini duhet t'ia ketë mbushur mendjen top holandezit kuqezi për thirrjen ose jo të Bogdanit, Berishës, Bylykbashit e ndonjë tjetri, për sfidën e vërtetë të tij, ndeshjen e 6 shtatorit me Suedinë. Vetë Hani, pas miqësores me Poloninë, e ka pranuar se skuadra ka mjaft probleme për të zgjidhur. Një nga këto probleme është pamundësia e trajnerit për zëvendësime të shpejta dhe të goditura, që të dikton një ndeshje futbolli. Dhe, kur nuk i njeh aq sa duhet kandidatët e vërtetë kuqezinj, si në rastin e Hanit, kjo bëhet dyfish problematike. Gjithsesi, pa dashur ta nxijmë aspak faktin se jemi të vonuar dhe po i nisim si mos më keq eliminatoret e Botërorit 2010, gjë të cilën e tha me gojën e tij vetë trajneri Han, Lihtenshteinin le ta konsiderojmë një ndeshje të mirë, por kurrsesi testin e duhur para Suedisë. Që do të thotë se, pa dashur aspak ta errësojmë fitoren e merituar me Lihtenshteinin, në këtë moment, ku ndodhet kombëtarja jonë, duhet këmbëngulur më shumë për të nxjerrë në pah të metat, sepse, falë prurjeve të shumta të elementëve të rinj në formacionin kuqezi, gjërat detyrimisht nuk janë edhe aq në ekuilibër. Hani duket një person që mundohet të jetë i saktë në ngjarjet që ndodhin rreth tij, por "koha e humbur" rrezikon që të mos e kuptojë kur ai, ose skuadra, gabon. Ndaj Lihtenshteinit edhe mund të luash në sulm, por kjo gjë nuk mund të vlejë kurrsesi ndaj Suedisë, Portugalisë etj., rivalëve të grupit tonë kualifikues. Në këtë kuptim, testi i mbrëmshëm nuk e përmbush edhe aq misionin e tij. Bukë gruri nuk mund të bëhet kurrsesi me miell misri dhe këtë gjë duhet ta dijë mjaft mirë edhe Ari Han. Kësisoji, në kushtet e kombëtares sonë kuqezi, para Hanit del për detyrë që, "kur nuk je në gjendje të shënosh, atëherë mundohu më së paku të mos pësosh gol". Pra, pavarësisht fitores ndaj një kundërshtari mjaft modest, si Lihtenshteini, skuadra jonë nuk e ka autoritetin e mjaftueshëm për ta interpretuar lojën brenda kritereve të eliminatorëve të kampionatit botëror, as sipas filozofisë holandeze, të futbollit total dhe sulmues. Nëse paraardhësit e Hanit kishin bërë disa zbore e miqësore, para se të debutonin në krye të kuqezinjve, holandezi s'e ka pasur këtë mundësi. Dhe kjo natyrisht që lë vend për vendime të gabuara, që shkojnë në dëm të kombëtares, jo të individëve të veçantë. Të paktën kështu ka treguar e shkuara e afërt kuqezi. Situata të tilla janë të papranueshme me metodologjinë e drejtimit të ekipeve kombëtare, kudo në botë. Skuadra të tilla, të ndërtuara më shumë mbi baza opionionesh apo kasetash televizive, pa u provuar në terren (dy miqësore nuk mjaftojnë kurrsesi për këtë), shpejt kalojnë në krizë rezultatesh dhe falimentojnë teknikisht dhe taktikisht. Për pasojë, jo vetë kombëtarja jonë kuqezi, por edhe vetë trajneri i saj, Ari Han, duken ende në kërkim të identitetit. Lihtenshteini, para Suedisë së Ibrahimoviçit, pavarësisht rezultatit pozitiv të tanëve, nuk mund të konsiderohet test gjeneral, aq më tepër ta bëjë "familjen kuqezi" të flerë "mbi dafina". Thënë troç, Lihtenshteini ishte thjesht një ndeshje stërvitore. Nëse ndokush rreket ta vlerësojë ndryshe, rrezikojmë që kombëtares kuqezi t'i dalë si një "ëndërr mashtruese" para Suedisë.

Rezultatet e ndeshjeve te djeshme miqësore

Japoni - Uruguaj 1-3

Tunizi - Angolë 1-1

Algjeri - Emiratet e Bashkuara 1-0

Estoni - Maltë 2-1

Finlandë - Izrael 2-0

Hungari - Mali i Zi 3-3

Arabia Saudite - Paraguaj 1-1

Ukrainë - Poloni 1-0

Bjellorusi - Argjentinë 0-0

Lituani - Moldavi 3-0

Norvegji - Irlandë1-1

Rusi - Holandë 1-1

Rumani - Letoni 1-0

Turqi – Kili 1-0

Bosnje - Bullgari 1-2

Danimarkë - Spanjë 0-3

Luksemburg – Maqedoni 1-4

Sllovaki- Greqi 0-2

Shqipëri - Lihtenshtein 2-0

Itali - Austri 2-2

Slloveni - Kroaci 2-3

Zvicër - Qipro 4-1

Angli - Çeki 2-2

Gjermani - Belgjikë 2-0

Skoci - Irlanda Veriut 0-0

Suedi - Francë 2-3

Uells - Gjeorgji 1-2

Island - Azerbaixhan 1-1

Portugali - Ish.Faroe 5-0

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›