Takimi i fshehtë, Bollano ankohet tek Berisha
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha ka pritur në zyrën e tij, kreun e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, por nuk e ka parë të udhës ta bëjë këtë takim publik. Ka qenë faqja online e shoqatës Omonia ajo që ka publikuar detaje të takimit të së martës në Tiranë.
Mes të tjerash, në të shkruhet se takimi është zhvilluar në një atmosferë miqësore, ku Bollano e informoi Kryeministrin me problemet që ballafaqohet minoriteti sikundër janë çështja e pronave, investimet, infrastruktura etj. Ndërkohë janë bërë të ditura edhe shqetësimet politike. Bollano mësohet ti ketë kërkuar Berishës të merren masa ndaj disa figurave të Partisë Demokratike që ndezin debatet mbi Vorio-Epirin dhe sulmojnë lidershipin e OMONIA-s, veçanërisht pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Referuar së njëjtës web-faqeje http://www.nenanews.eu/, kryeministri Berisha i shprehu Bollanos vullnetin e tij për të hetuar mbi këto segmente, ndërkohë që i konfirmoi se ato nuk dirigjohen prej tij dhe se ai personalisht është kundër prirjeve revanshiste.
Vasil Bollano, është një ndër njerëzit që ka kërkuar publikisht greqizmin në jug në vendit. Për tabelat rrugore në gjuhën greke ai është dënuar dhe gjobitur nga Gjykata e Vlorës. Ndërkohë, ky kryetar bashkie, disa herë ka bërë thirrje për çlirimin e të ashtuquajturit Vorio-Epir.