Bolonja, Drejtësia propozon ndryshime
Fakulteti i Drejtësisë kërkon ndryshimin e kohëzgjatjes së programit të studimeve. Nga 3 +1 të kthehet në 4+1
Dekani Kaçupi: Aktualisht japim dy diploma, diplomë të nivelit të parë dhe diplomë të integruar
Fakulteti i Drejtësisë është një nga të fundit fakultete të Universitetit të Tiranës që iu dorëzua sistemit të Bolonjës. Ndërsa, fakultetet e tjera, si ai i Historisë dhe i Filologjisë apo i Gjuhëve të Huaja, kanë nxjerrë nga dy breza të diplomuarish. Sipas këtij sistemi, Drejtësia sivjet diplomon studentët e parë, sipas programit të Bolonjës.
E thënë ndryshe, studentët që nisën studimet në këtë fakultet në tetor të vitit 2007, këtë verë mbyllin ciklin e parë të studimeve dhe pajisen më një diplomë të nivelit të parë (DNP). Pas kësaj u duhet të nisin një program të dytë studimesh, i cili zgajt dy vjet për të marrë një diplomë të nivelit të dytë (DND) e rrjedhimisht edhe të specializohen, në fushat përkatëse.
Por, me sa duket ky fakultet, me të drejtë, ka hezituar për implementimin e kartës së Bolonjës, pasi në prag të diplomimit të brezit të parë, sipas këtij programi, fakulteti i ka propozuar Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, ndryshimin e programit të studimit, nga 3 + 2, në 4 + 1.
Duke pohuar në mënyrë të heshtur se ky program studimi ka dështuar në fakultetin e Drejtësisë dhe eksperimenti nuk zgjati me shumë se tre vjet, pasi që prej tre vitesh ky fakultet ndjek programin e studimit tre plus dy, sipas të cilit studentët në përfundim të tre viteve të studimeve përfitojnë një diplomë të nivelit të parë, e cilësuar si "Bachelor".
Dekani i këtij fakulteti, Skënder Kaçupi, thotë se propozimi për ndryshimin e kohëzgjatjes së studimeve, të nivelit të parë, ka shkuar më Ministrinë e Arsimit. Por, që ky program të aplikohet gjatë vitit akademik 2010-2011, duhet që më parë të miratohet në kuvend.
Në përfundim të vitit akademik 2009-2010, Fakulteti i Drejtësisë diplomon dy breza studentësh. Ata që kanë nisur studimet në vitin 2006 dhe kanë kryer programin e studimit 4-vjçar, si dhe ata që kanë nisur studimin në vitin 2007, dhe kanë kryer programin e studimit 3-vjçar.
"Aktualisht fakulteti i Drejtësisë lëshon diploma të nivelit të parë (DNP) dhe diploma të nivelit të dytë (DND). Ndërsa studentët që ndjekin sistemin 4 +1, do të marrin një diplomë të integruar", shpjegon dekani Kaçupi.
Për ata studentë, të cilët kanë përfunduar programin katërvjçar, do të lëshohen diploma të integruara, të cilat do të mbajnë përsipër titullin jurist. Ndërsa ata që do të përfundojnë studimet trevjçare do të marrin një diplomë të nivelit të parë.
Në ligjin nr: 9741 "Për arsimin e lartë" të miratuar në vitin 2007, shkruhet se në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë e nivelit të parë (DNP) në fushën e arsimimit të kryer, pa shpjeguar nëse në përfundim të këtij programi studenti merr një titull apo jo.
Në këto kushte, studentët që do të diplomohen për Drejtësi, sipas kartës së Bolonjës, nuk u ngelet gjë tjetër vçse të shpresojnë se Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të hartojë sa më shpejt ligjin, i cili do t'u zgjasë vitet e shkollimit dhe do t'u japë titullin "jurist".