E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëria-Kultura | 05.04.2010

Fundi i periudhës së agjërimit

Bildunterschrift: Prodhimi i lepurit të Pashkëve prej çokollate

Sërish lejohet të shijohet dhe të hahet. Me festën e Pashkëve për besimtarët e krishterë merr fund periudha e agjërimit. Në tryezë vendoset qingji i Pashkës, ndërsa nëpër fole vezët e Pashkëve: Vezët e pulës dhe vezët e bëra prej sheqeri e çokollate të ngjyrosura e të zbukuruara. Në kishën kristiane Pashkët janë festa kulmore e vitit. Festohet ringjallja e Krishtit, që në ndryshim nga Krishtlindjet, nuk ka një datë të përcaktuar. Dita e festës përcaktohet në bazë të ciklit të Hënës: Festohet të djelën e parë pas Hënës së plotë në pranverë. Sivjet Pashkët përkuan me datën 4 prill, si për kishën krishtere ortodokse edhe për kishat e tjera krishtere. Për shkak të kalendareve të ndryshme - kisha ortodokse përdor kalendarin e Julian, ndërsa kisha katolike dhe ajo evangjeliste përdorin kalendarin Gregorian - kësisoj dita e festimit të Pashkëve nga bashkësitë e ndryshme fetare mund të ketë deri në pesë javë luhatje kohore.

Festival - Muaji për tifozët e kinemasë

Bildunterschrift: Skenë nga filmi Na Putu me regji të Jasmila Zbanic

Ende pa përfunduar mirë Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin, Berlinale, në Gjermani vazhdon një tjetër festival filmi. Më 14 prill fillon në Këln Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Gruas. Eshtë i vetmi festival i këtij lloji në Gjermani, që zhvillohet në cikël vjetor një herë në Këln dhe njëherë në Dortmund. Sivjet në fokus të festivalit janë filmat e regjisoreve nga rajoni i Ballkanit. Festivali hapet me filmin, që pati premierën në konkursin e Berlinales: "Na Putu" i Jasmila Zbanic nga Bosnja. Një grua, e cila tashmë ka vendin e saj në botën e kinemasë: Për filmin "E fshehta e Esmasë" në vitin 2006 ajo fitoi trofenë e Berlinales, Ariun e Artë.

Bildunterschrift: Regjisori gjeorgjiano-francez Otar Iosseliani

Filmat nga Evropa Qendrore dhe Lindore janë edhe në fokus të festivalit të filmit goEast, që sivjet feston jubileun e dhjetëvjetorit. Festivali zhvillohet në Visbaden nga 21 deri më 27 prill dhe organizohet nga Instituti gjerman i Filmit (DIF). Një ndër pikat kulmore është homazhi kushtuar regjisorit gjeorgjano-francez Otar Iosseliani, i cili do te jetë i pranishëm në festival. Ndërsa në fund të muajit në Oberhauzen do të ketë një kthim prapa tek rrënjët e kinemasë: Më 29 prill hapet festivali i 56-të ndërkombëtar Ditët e Filmit të Shkurtër, festivali më i vjetër i filmit të shkurtër në botë me temë: "Nga fundi i detit: Filmi Eksperimental 1898-1918." Përveç kësaj këtë muaj do të jepet edhe Çmimi Gjerman i Filmit. Fituesi në kategorinë filmi më i mirë vlerësohet me Lolën e artë dhe me një gjysmë milion euro.

Art Cologne 2010

Bildunterschrift: ART COLOGNE 2009 - Vernissage

E për të mbetur tek superlativat: Edhe në Këln mund të mburresh me panairin më të vjetër të artit në botë: Art Cologne nga 21 deri më 25 prill. Sidoqoftë prestigji i të qenit më i vjetri nuk është garanci për të qenit edhe i preferuar. Ky panair është bërë i mërzitshëm si një cisternë gjigante që mund ta lëvizësh me vështirësi - të tillë zëra janë dëgjuar gjithnjë e më shumë vitet e fundit. Por tashmë me drejtorin e ri Daniel Hug, një amerikan i lindur në Zvicër, në sallat e panairit qysh nga viti 2008 ka nisur të fryjë një erë e re. Madje vitin e kaluar u bë fjalë për një fillim të ri dhe se tashmë mund të rifitohen galerisitët më të rëndësishëm. 190 syresh priten sivjet në panair për të prezantuar veprat e klasikes moderne, të artit të pas luftës dhe atij bashkëkohor.

Trëndafilë dhe libra

Bildunterschrift:

Më 23 prill në Gjermani lexohet anë e mbanë e gjithçka. Përpara 15 vjetësh UNESCO shpalli ditën mbarëbotërore të librit. Me këtë nismë u ndoq një traditë katalane, sipas së cilës në ditën e emrit të shenjtorit popullor Shën Jordi dhuroheshin trëndafilë dhe më pas libra. Sivjet fokusi i kësaj dite në Gjermani përqëndrohet tek tema "pasuria shpirtërore". Shoqata e bursës së rrjetit gjerman të shpërndarjes së librit synon të sensibilizojë të rinjtë për këtë temë. E si për koincidencë 23 prilli është edhe dita e vdekjes së dy shkrimtarëve të mëdhenj: William Shakespeare dhe Miguel Cervantes. Të dy ndërruan jetë më 23 prilll 1616, njëri në Stratford-upon-Avon, tjetri në Madrid.

"Qendra e qytetit jashtë"

Bildunterschrift:

Qysh prej 15 vjetësh artisti danezo-islandez i instalacioneve Olafur Eliasson jeton në Berlin. Tani qyteti i ka dedikuar atij një ekspozitë individuale në godinën Martin-Gropius-Bau, gjë që pritet me mjaft interes. "Qendra e qytetit nga jashtë" është titulli i ekspozitës, që Eliasson e ka konceptuar enkas për godinën Gropius (28.4.-9.10.). Zanafilla tematike është qyteti i Berlinit: Raportet muze dhe qytet, arkitekturë dhe pejzazh, hapsirë, trup dhe kohë. Eliasson trajton shumë shpesh dukuritë natyrore: kjo fotografi të kujton Diellin gjigant në Tate Modern në Londër apo ujvarat gjigante artficiale në Nju Jork. Instalacione që të bëjnë përshtypje, për të cilat mund të rrëfesh, por ashtu siç ndodh rëndom me artin, më shumë kupton kur e sheh atë me sytë e tu.

Festivali i Schvetcinger

Bildunterschrift: Teatri rokoko - Festivali muzikor i Shveczinger 2010

Muzikë me ambjent, kjo ofrohet nga festivali 2010 i muzikës në Shvetcinger nga 23 prill deri më 13 qershor. Ky festival josh çdo vit mbi 20.000 vizitorë në qytet, ndër ta edhe të ftuar nga Japonia e SHBA. Interpretimet prezantohen në park, në kështjellë dhe në teatrin rokoko, vende këto, të cilat të kujtojnë që Shvetcinger dikur ka qenë rezidenca verore e princave trashëgimtarë të fronit. Në aspektin muzikor qëllimi i festivalit është në radhë të parë të zbulojë: vepra të vjetra dhe të iniciojë të reja. Sivjet është projektuar në të premiera e "Le Père" nga Michael Jarrell. Qysh nga fillimi i këtij festivali përpara 58 vjetësh janë shfaqur 38 premiera operash.

Autor: Petra Lambeck
Redaktoi: Ramón García-Ziemsen

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›