E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhër: “jo” blerjes së barnave jashtë farmacive të spitalit

06/04/2010 Pezullim nga detyra mjekëve që abuzojnë me pacientët

Personeli shëndetësor në spitale do të ndëshkohet me largim nga puna, nëse udhëzon pacientët për blerjen e barnave jashtë farmacive të spitalit. Ndonëse ekzistonte një listë zyrtare barnash që spitalet duhej të garantonin për çdo pacient të shtruar në spitale, këta të fundit për vite të tëra u janë drejtuar farmacive jashtë spitalit për të siguruar barnat kundrejt çmimeve shumë të shtrenjta. Kjo për shkak të lidhjeve apo abuzimeve që kryheshin nga vetë mjekët që ishin të lidhur me farmacistët, por edhe prej mungesës së barnave në spitale. Tashmë me urdhrin e ri të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë blerja e barnave jashtë listës zyrtare të spitalit duhet të jetë e justifikuar dhe e firmosur nga shefi i shërbimit vetëm për raste problematike, në të cilat rrezikohet shëndeti i pacientit. Pacientët mund të ankohen pranë drejtorisë së spitalit, por edhe pranë strukturave të tjera shëndetësore, në rast se do të përballen me kundërshtimin e këtij urdhri nga ana e mjekëve. Urdhri për lëshimin e recetave kur sugjerohen medikamente që nuk janë pjesë e listës së barnave të aprovuara për përdorim spitalor do të aplikojë masa të forta ndëshkuese deri në largim nga puna për rastet kur pacienti do të depozitojë ankesë. “ Në raste të domosdoshme të sugjerimit për blerje të medikamenteve që nuk janë pjesë e listës së barnave të aprovuara për përdorim spitalor për personat e shtruar në spital ndalohet lëshimi i recetës për të blerë medikamente në rrjetin e hapur farmaceutik pa firmën e shefit të shërbimit”, - thuhet në urdhër. Ndërkohë receta për blerjen e medikamenteve jashtë listës së aprovuar për përdorim spitalor do të lëshohet vetëm për raste që kanë indikacion absolut për mjekimin e pacientit. Kjo e fundit detyrimisht duhet të lëshohet duke përshkruar principin aktiv të medikamentit. Kështu, urdhri kushtëzon masa ndëshkuese për personelin mjekësor, të cilëve u ndalohet orientimi i pacientëve drejt farmacive të selektuara për blerje të medikamenteve. Për moszbatim të urdhrit do të ndërmerren masa administrative deri në largim nga puna. Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Drejtoritë e Spitaleve dhe drejtoritë rajonale të sigurimeve të kujdesit shëndetësor për kontrollin e zbatimit të këtij urdhri.

Kontrolli i barnave

1. Në raste të domosdoshme të sugjerimit për blerje të medikamenteve që nuk janë pjesë e listës së barnave të aprovuara për përdorim spitalor për personat e shtruar në spital ndalohet lëshimi i recetës për të blerë medikamente në rrjetin e hapur farmaceutik pa firmën e shefit të shërbimit.

2. Receta për blerjen e medikamenteve jashtë listës së barnave të aprovuar për përdorim spitalor do të lëshohet vetëm për raste që kanë indikacion absolut për mjekimin e pacientit.

3. Receta do të lëshohet duke përshkruar principin aktiv të medikamentit.

4. Për personelin mjekësor ndalohet orientimi drejt farmacive të selektuara për blerje të medikamenteve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›