Rama dhe Berisha negociojnë për të mundur njëri-tjetrin

Mustafaj:"Shqipëria nuk ka stabilitet të elitave, stabiliteti nuk tregohet në faktin se është ende Sali Berisha në politikë, stabiliteti tregohet tek stabiliteti i ekipeve"
Në Shqipëri, me gjithë angazhimin e faktorit ndërkombëtar për arritjen e një zgjidhjeje kompromisi, vazhdojnë debatet mes mazhorancës dhe opozitës për hapjen e kutive të votimit.
Ky ngërç politik, thonë diplomatët e huaj, mund të reflektohet edhe në ritmin e përafrimit të vendit në Bashkimin Europian. Për këtë temë, "BBC" ka zhvilluar një forum të hapur, ku i ftuar është Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm dhe shkrimtar e publicist i njohur.
Në cilësinë e vëzhguesit të jetës politike dhe të asaj kulturore, si e shikoni këtë që po ndodh mes nesh? Ka mendime se politikanët nuk e marrin politikën si art të së mundshmes ?
Politikanët për të cilët ju flisni dhe që dominojnë skenën politike shqiptare, sipas gjykimit tim, nuk prodhojnë politikë. Politika prodhohet vetëm në demokraci. Në momentin që mungon politika, atëherë nuk mund të flitet se politika është arti si së mundshmes.
Që në simptomat se si u pritën zgjedhjet nga Partia Socialiste dhe sesi u përjetua fitorja nga Partia Demokratike unë pashë një filozofi të shkuarjes përpara të një menaxhimi të jetës shoqërore dhe publike shqiptare, ekonomike sigurisht, sesa politikë. Në këtë kuptim, nuk ka vend në Shqipëri shprehja se politika është arti i së mundshmes, pasi në Shqipëri bëhet shumë pak politikë.
Në biografinë tuaj, zoti Mustafaj, thuhet se karrierën politike e keni nisur në fillim të dhjetorit '90-të. Ju jeni një ndër themeluesit e Partisë Demokratike. Nga kjo distancë, si e shikoni tranzicionin shqiptar?
Unë mendoj se tranzicioni shqiptar ka qenë plot me konvulsione, çka është në një farë mënyrë e shpjegueshme, por jo e dëshirueshme. Kjo shpjegohet duke u bazuar në të kaluarën.
Ne ishim një klasë politike që erdhëm në skenë pa asnjë eksperiencë politike, madje pa kulturë politike. Për ta konkretizuar, mjafton t'ju kujtoj programin e parë të PD-së, atë me të cilin u legalizua.
Ai nuk është një program partie në kuptim që ka kjo fjalë në shkencën politike. Po të shohësh çdo paragraf aty thuhet të luftohet.... të luftohet... Pra është e njëjta gjuhë, por e përmbysur me atë që ishim mësuar 50 vjet.
Kjo mungesë e kulturës politike tek elita që erdhi në drejtimin e vendit, si dhe mungesa e pjekurisë politike të shoqërisë do prodhonin konvulsione të pashmangshme. Ekonomikisht Shqipëria ka ecur shumë më shumë se sa politikisht.
Me këtë kuptim do thosha se pikërisht kjo e kaluar dhe këto konvulsione janë të lidhura me faktin se elita politike shqiptare, si në asnjë vend tjetër të lindjes, nuk kanë qenë të paqëndrueshme. Në parlamentin e parë, në mars 1991, ne ishim 250 deputetë dhe nga 250 deputetët e parlamentit të parë sot janë 4 apo 5 ende. Nuk bëhemi 10 deputetë që kemi tre mandate, edhe vetë përfshihem këtu, sepse kam 4 mandate.
Shqipëria nga pikëpamja e elitave ka vazhduar të jetë si një përrua që nxjerr mënjanë ato çfarë sjell me vete lisa, gurë, rrënjë dhe ende nuk ka rënë në fushë që të qetësohet dhe ku të krijohet stabiliteti i elitave. Stabiliteti i elitave nuk tregohet në faktin se është ende Sali Berisha në politikë, stabiliteti tregohet tek stabiliteti i ekipeve.
Kur do ta plotësojë klasa politike shqiptare standardin e mirorganizimit të zgjedhjeve dhe konform kësaj dhe të njohjes së rezultatit të tyre?
Unë besoj se fakti që zgjedhjet në Shqipëri kanë probleme dhe fakti që pranimi i rezultatit gjithashtu ka probleme është shprehje e drejtpërdrejtë e papjekurisë politike të klasës politike shqiptare, e mungesës së bindjeve të rrënjosura për demokracinë, e një disbalance që është e rrezikshme midis dëshirës për pushtet dhe dëshirës për demokraci që mbisundon në shumë nga drejtuesit kryesore e klasës politike shqiptare.
Pra, në këtë kuptim, ne jemi në një proces ku në çdo rast që janë bërë zgjedhjet është thënë se janë më të mirat e deritanishme, por që ende deri tani nuk është thënë se ata janë të lira dhe të ndershme.
Si e gjykoni aksionin politik të opozitës, e cila ka paralajmëruar sërish protesta dhe a shihni një zgjidhje të ngërçit politik së afërmi?
Unë nuk kam një recetë konkrete se cila duhet të jetë zgjidhja. Por unë di që ngërçi është politik, por qasja ndaj ngërçit nuk është politike. Berisha bëri një ofertë për ngritjen e 100 prokurorëve. Ky është propozim që meriton vëmendje.
Por, do të duhej që vetë Berisha, qeveria, mazhoranca ta zhvillonte këtë koncept, pasi nuk është një frazë e hedhur në ajër nga Kryeministri, mbi ç'bazë ligjore do të veprojnë këta prokurorë, nga kush do të varen këta prokurorë, ku do të shkojnë rezultatet që do të nxjerrin këta prokurorë.
Si mund të zgjidhet kriza politike duke hapur kutitë e votimit?
Ne nuk keni asnjë propozim konkret të kuptueshëm. As nga njëra palë as nga tjetra. Unë do të thosha që të dy liderët kërkojnë maksimumin e tyre. Njëri thotë i hap, tjetri thotë nuk i hap.
Nëse futet dëshira e mirë për të bërë politikë gjithnjë ka një rrugë të mesme dhe një kompromis politik. Rama dhe Berisha shkojnë për të mundur njëri-tjetrin. Nuk shoh nga të dyja palët një lëvizje të strukturuar për të arritur deri tek kompromisi.
A dështuan tryezat e zotit Topi për të gjetur kompromisin?
Ato dështuan, përderisa nuk ia arritën qëllimit.
Ka të mundur që të arrihet kompromisi nëpërmjet komunitetit ndërkombëtar?
Ne nuk duhet të kërkojmë ndihmën e ndërkombëtarëve kur jemi edhe vend anëtar i NATO-s. Por, megjithatë, kur kriza ende nuk është zgjidhur duket se ka vend për të ndërhyrë.