Bolt jashtëtokësor, i bën 100 metrat për 9.58 sekonda
Botërori i Atletikës është një eveniment shumë i madh për sportin botëror, por sivjet, më shumë se çdo eveniment tjetër pritej gara e 100 metrave e cila ka dhuruar 9.58 sekondat më spektakolare të historisë së sportit. Në Berlin, në “Olimpiske stadium”, atletika ka shkruar mbase historinë e saj më të jashtëzakonshme. Usain Bolt nuk del jashtë parashikimeve të tij, fiton medaljen e artë, por mbi të gjitha “hedh në erë” rekordin e tij të mëparshëm, 9.69 sekonda (kjo kohë vetëm pak muaj më parë u cilësua një çmenduri). Por çmenduritë për Usain Boltin nuk kanë të mbaruar dhe në Berlin, atleti xhamajkan ka lënë pa frymë publikun pas prerjes së vijës së finishit, kronometri tregon 9.58 sekonda, një kohë e pallogjikshme që vë në dyshim edhe shkencat ekzakte. Në këtë mënyrë, “jashtëtokësori” Bolt ka përmirësuar me 11 të qindtat rekordin e tij e vendosur në Lojërat Olimpike të Pekinit. Tashmë, muri i 9.60 sekondave që nga të gjithë shihej si pakalueshëm, është në rrezik konstant me një si Usain Bolt në qarkullim. Finalja e 100 metrave ishte padyshim spektakolare edhe si rrjedhojë e rivalëve të Usain Boltit, ku dy ish-rekordmenët, xhamajkani Asafa Pouell dhe amerikani Tajson Gej dhurun spektakël së bashku me njeriun e erës. Tajson Gej, edhe ai gjithashtu ka bërë garën e jetës, pasi kalon vijën e finishit pas Boltit me kohën 9.71 sekonda. Ndonëse i dyti, edhe amerikani ka realizuar kështu një rekord personal duke e përmirësuar me dy të qindat (9.73) atë të realizuar më parë. Vendi i dytë i dhuron amerikanit Tajson Gej medaljen e argjendë. Ndërkohë, medalja e bronzit i shkon xhamajkanit tjetër, Asafa Pouell i cili pret i treti vijën e finishit me kohën 9.84 sekonda. Padyshim që publiku prej 100 mijë vetësh në stadiumin “Olimpiske” nuk kishte sesi të mos e pëlqente shfaqjen e ofruar nga tre kampionët e atletikës dhe i kanë shoqëruar gjatë idhujt e tyre. “Erdha në Gjermani, në Berlin, jo për të thyer rekordin e botës që më përkiste mua, por me synimin e vetëm për të fituar medaljen e artë. Kisha premtuar se do të dhuroja spektakël, se jam i pathyeshëm dhe unë jam një person që i mbaj premtimet e mia. Padyshim që kjo ishte gara ime perfekte”, ka pohuar më pas Bolt.