Çudia, Shehu: Kemi akoma edhe 60 miliardë lekë për investime
Edhe pse zyrtarisht qeveria ka pezulluar të gjithë prokurimet publike, dhe zyrtarisht vetëm për pjesën e parë të vitit janë rreth 11 miliardë lekë më pak të ardhura të arkëtuara se plani, në arkën e shtetit ka akoma rreth 60 miliardë lekë për investime. Shifrën e zbulon për gazetën zv.ministri i Financave. Për Sherefedin Shehun, kësaj shifre mund t’i shtohen edhe rreth 20 miliardë lekë të tjera si të ardhura nga privatizimet strategjike. I pyetur nga gazeta për efektet që do të ketë vendimi i qeverisë për ndalimin e prokurimeve nga data 3 gusht, Shehu thekson se kjo masë nuk ka të bëjë me mungesën e parave. “Ne kemi akoma për të shpenzuar në 6-mujorin e dytë, 55 për qind të buxhetit të investimeve. Kështu që nuk ka asgjë shqetësim nga ato që ngrihen në media që qeveria i harxhoi paratë. Në 6-mujorin e parë kemi harxhuar 45 për qind të parave dhe rrjedhimisht na ngelen 55 për qind për 6-mujorin e dytë. Ne do ta ushqejmë ekonominë me fonde publike më shumë se sa e kemi ushqyer në 6-mujorin e parë, pra ekonomia do të ketë karburant nga fondet publike mjaftueshëm. Përveç kësaj, ne kemi në dispozicion për të shpenzuar momentalisht më shumë sesa 150 milionë euro nga privatizimet strategjike, të cilat nuk janë të buxhetuara. Dhe shumës prej 55 për qind, që e përkthyer në lekë është 60 miliardë lekë, do t’i shtojmë edhe rreth 20 miliardë lekë të tjera nga privatizimet strategjike. Pra, ne do të vazhdojmë kryerjen e investimeve publike me ritme shumë më të larta sesa në 6-mujorin e parë”. Por duket se edhe këto shifra të financave nuk janë aq optimiste. Sipas bilancit zyrtar të llogarive të thesarit të shtetit, publikuar nga Ministria e Financave, në arkë mungojnë rreth 11.1 miliardë lekë si të ardhura. Në total të ardhurat janë realizuar 92.86 për qind. Po problemi është te shpenzimet, që kanë ruajtur një ritëm tjetër, prej 97.4 për qind, ose vetëm 5 miliardë më pak se plani. Vetë financat theksojnë se financimi i deficitit ka kaluar me 22 për qind planin, duke thënë në këtë mënyrë se bilanci i shtetit nuk është sipas parashikimeve, por shumë më keq. Në total borxhi i qeverisë, për të mbuluar diferencën mes shpenzimeve dhe të ardhurave ka arritur 25.8 miliardë lekë, ose rreth 5.7 miliardë lekë më shumë se plani. E përkthyer në valutë janë rreth 60 milionë dollarë borxh i marrë tepër parashikimeve të financave, vetëm për 6-mujorin e parë të vitit..
Treguesit fiskale (në miliona lekë)
Totali i të ardhurave
155,896 -11,125 (92.8%)
Totali i shpenzimeve
181,701 -5,375 (97.0%)
Shpenzime kapitale
44,129 +2,510 (105.7%)
Financimi i deficitit
25,805 +5,754 (122.3%)