E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bomba atomike mbi pasuritë e brezave shqiptarë

Gjergj Marku

Janë dashur vetëm 20 vite që galeri dhe miniera të tëra, fabrika pasurimi, metalurgji, uzinë përpunimi minerali deri tek uzina e telave, shkurt i gjithë konvejeri i bakrit shqiptar, të zhduken nga faqja e dheut. Kanë mbetur vetëm skelete ngrehinash, që thjeshtë mund të ngacmojnë nostalgjinë e atyre mijëra shqiptarëve që janë rropatur nëpër reparte të ndryshme, brez që po shuhet dita ditës apo mbledhësve të skrapit me dedikim qeveritar.

Bakri, minerali që e shquante vendin tonë si një resurs i jashtëzakonshëm, minerali që kishte angazhuar me punë mijëra punëtorë dhe që për hir të tij u ngritën qytete e qyteza të tëra, po bie poshtë bashkë me krenarinë e dikurshme për tu futur në duar të dyshimta që e shkatërruan qëllimisht gjithë këtë ngrehinë pasurore shqiptare. Ka disa vite që në këtë sektor po kryhet një krim i vetëdijshëm ekonomik.

Para viteve 90, si ndër industritë më të vjetra në vend, ka funksionuar me cikël të plotë, duke realizuar një shfrytëzim kompleks të lëndës së parë dhe një gamë të madhe produktesh si mineral dhe koncentrat piriti, bakër elektrolitik, bakër vajerbars, tela dhe kabllo, aliazhe bakri, tunxh dhe bronz bllok, fletë tunxhi, acid sulfurik etj. Në ketë periudhë prodhohej çdo vit rreth 1 milion ton mineral bakri e piriti, 50 mijë ton koncentrat bakri, 12 deri 15 mijë ton bakër elektrolitik, 8 deri 10 mijë ton tela dhe kabllo, 20 deri 25 mijë ton acid sulfurik, 3  deri 4 mijë ton tunxhe dhe bronze, etj.

Pas vitit 1997, për shkak të mungesës së sinkronizimit të sektorëve e në veçanti të minierave dhe fabrikave të pasurimit, me atë të shkrirjes dhe rafinimit, rivënia në punë e disa  sektorëve jo rentabël si dhe mos finalizimi i produktit në tela e kabllo, solli atë që paralajmërohej nga specialistët, dështim total, brenda një periudhe disa mujore. Pavarësisht kundërshtimeve të specialistëve, u groposën plot 2,5 milionë dollarë të siguruara nga qeveria përmes kontratave me kompani të huaja.

Më pas kemi tentativa për dhënie me koncension të kësaj industrie, pa asnjë studim paraprak e një ofertë të kërkuar që të mund te kishte një konkurrencë të kompanive. Për paradoks, deri në vitin 2004, shteti ka dhënë subvencione kryesisht për mbylljen e minierave dhe ruajtjen e sektorëve të përpunimit të bakrit. Por për të mbajtur këtë organizëm rudiment vazhdon asgjësimi i plotë i infrastrukturës së ngritur prej më se 50 vitesh. Kjo është dhe papërgjegjshmëria më e madhe e atyre që kanë bërë programe strategjike asfiksuese të kësaj industrie.

Sipas të dhënave zyrtare të vitit 1992, janë të zbuluara rreth 51 milion ton rezerva gjeologjike me rreth 1,52 % bakër, të cilat me një rivlerësim ekonomik sigurojnë burime efektive për prodhimin në vend të bakrit. Ndërkohë, në bursën e metaleve çmimi i bakrit është rritur rreth 3 herë në krahasim me nivelin e qëndrueshëm te viteve 80-90-të. Por kontrata koncensionare është hartuar në mënyrë skandaloze që nuk e realizon ciklin e plotë përpunues në vend. Ndaj siç është kthyer në modë, tashmë kompanitë koncensionare, as që i qëndrojnë kontratave, por investojnë në interes të prodhimit dhe shitjes sa më shpejtë të produktit, ndërsa janë demoluar e shkatërruar plotësisht dhjetëra miniera, fabrika pasurimi dhe uzina e përpunimit dhe rafinimit të bakrit në Rubik, Laç, e deri tek Uzina e Telave në Shkodër.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›