E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirë Ndrea, po Saliu dhe Luli?

Fatos Mahmutaj

“…procedimi penal Nr.285 që ka të bëjë me vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e shtetaseve: Artes Dybeli, Ilia Qesku dhe Ilia Papa, për shkak të pamjaftueshmërisë së provave dhe zbehtësisë së tyre në drejtim të individualizimit të autorit, do të vazhdojë të hetohet, ndërsa për procedimin penal Nr.285/21 që lidhet me vrasjen e shtetasve Ziver Veizi, Hekuran Deda e Faik Myrtaj, hetimet tashmë janë përfunduar, është vendosur dërgimi i çështjes në gjyq dhe sot po ju paraqesim për kompetencë gjykimi të pandehurit Ndrea Prendi, Agim Llupo…”.

Pasi lexova këta rreshta nga kërkesa për gjykimin e çështjes “21 janari” më erdhi në mendje: Mirë ne, të plagosurit dhe familjarët e tre viktimave tashmë do të jemi më të qetë pasi dimë diçka, por familjen Nika në Lezhë kush do e sqarojë? Po të plagosurit e tjerë? Pse ishte kaq e vështirë për të akuzuar Gardën Revolucionare të Sali Berishës edhe për këtë? A mos vallë shpifja e Berishës për thika me helm dhe çadra-kallashnikovë vazhdon të mbetet si një nga pistat ku po hetohet ende? Natyrisht që Ndrea Prendi do përfundonte nën akuzë. Nuk kishte rrugë tjetër. Provat për të janë të qarta si drita e diellit, edhe pse shpeshherë janë interpretuar si jo të plota. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për gardistin Agim Llupo.

Por me dy urdhëruesit e masakrës, Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën, pse nuk është marrë Prokuroria? Provat për ta si urdhërues të ekzekutimeve janë mëse të qarta. Shqiptarët i panë ‘live’ më 21 janar 2011 në më shumë se një kanal televiziv, për të mos folur këtu për pjesëmarrësit në protestë apo gazetarët e shumtë që ndodheshin aty. Të gjithë e kuptojmë presionin kryeministror që u bë mbi Prokurorinë që nga momenti i masakrës dhe deri më sot sulmi nuk ka ndalur, por kjo nuk duhet të ishte një precedent i dytë paprekshmërie për Berishën, njëlloj si “Gërdeci”.

Po kështu edhe Basha shënon ‘fitoren’ e dytë radhazi përballë drejtësisë, pas çështjes së rrugës Durrës-Kukës. Tashmë ‘topi’ ka shkuar në gjykatë. Shpresoj që drejtësia të përpiqet për të triumfuar dhe të nxjerrë të vërtetën për 21 janarin. Kjo besoj se do t’i shërbente më së miri përmirësimit të imazhit të vetë drejtësisë shqiptare dhe më pas vendit, si dhe për respektimin e autoriteteve dhe institucioneve kushtetuese. Por më tepër se kaq në respekt të katër të ndierëve.

Bruksel, më 2 maj 2012

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›