E Martë, 3 Nëntor 2026

“Bomba” e Karamuços: Prokurori i SPAK është kërcënuar nga Dubai nga 2-3 banda

I ftuar në emisionin 3D të Alban Dudushit, Eksperti kriminalist Ervin Karamuço duke komentuar lajmin për kërcënimin e një prokurori nga grupet kriminale, tha se uronte që ngjarja të ishte vetëm në nivelin e kërcënimit dhe jo më tej. 
Ai zbuloi se kërcënimi është bërë me një kartë britanike, praktikë e njohur tashmë. Por zoti Karamuço shtoi se telefonata është bërë nga Dubai në adresë të një prokurori të rëndësishëm të SPAK-ut. 
Nga ky vend po trajtohen në linjë direkte të paktën tre organizata kriminale që kanë dhe përplasje mes tyre.
Gjithë sipas ekspertit Karamuço në këto ngjarje janë implikuar edhe disa media që i kanë ndjekur zhvillimet. Ai tha se synimi ishte kalimi i përgjegjësisë nga njëri grup tek tjetri, por mos arritja e qëllimit ka çuar në rritjen e agresivitetit të grupeve kriminale që kanë intensifikuar kërcënimet në nivel prokurori.
Karamuço nuk tha se për çfarë bëhet fjalë, por sipas tij nëse aktiviteti kriminal zbulohet, do të ketë arrestime të 30 përqind të anëtarëve të botës së krimit, dy të tretat e të cilëve janë në arrati.
Eksperti tha se qarqet kriminale po synojnë rritjen e presionit në të gjitha mënyrat.
Karamuço tha se SPAK ka marrë masa shtesë për mbrojtjen e personaliteteve të prokurorisë, madje deri tek makinat e blinduara, por megjithatë në vlerësimin e tij masat janë modeste.
Por eksperti kriminalist vlerëson ndërkohë se goditja e një prokurori nuk zgjidh asgjë. Historia, të paktën ajo italiane ka treguar se kriminelët kanë vajtur prapa hekurave.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›