E Martë, 3 Nëntor 2026

Çfarë nuk shkoi me Bashën dhe dialogu me “non gratën”, Damian Gjiknuri flet edhe për sistemin zgjedhor

Në Partinë Socialiste nuk munguan zërat që lobuan pa sukses kundër dialogut me opozitën për kthimin e normalitetit në parlament. Por Damian Gjiknuri nuk është njëri prej këtyre zërave. Ai e mbështet pa rezerva dialogun me opozitën dhe normalizimin e jetës parlamentare. Zoti Gjiknuri përkrah edhe dakordësinë për ngritjen e një strukture parlamentare me përfaqësim nga të dy grupet PS-PD për të dialoguar për çështjet që kërkojnë 84 vota, edhe pse kundërshtarët e kësaj strukture argumentojnë se në këtë mënyrë PS po njeh non gratën, duke nënkuptuar Sali Berishën. “Non grata nuk është në parlament, është i mbyllur në shtëpi.”- tha zoti Gjiknuri. Ai gjithashtu dha përgjigje të qarta për çështjen e sistemit zgjedhor dhe se në cilën pikë nuk u morën vesh me Lulzim Bashën. Më poshtë është një pjesë e intervistës në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.

Elona Meço: Ka një propozim për një strukturë parlamentare mes grupeve PS-PD, ku të dialogohet për çështjet që kërkojnë konsensus me 84 vota. Është një propozim i dobishëm, që vlen?

Damian Gjiknuri: Çdo propozim që ndhmon dialogun parlamentar është një hap i mirëpritur për përmirësimin e jetës parlamentare. Ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar kërkojnë dialog mes palëve, gjë që ka munguar për shkak të sjelljes së opozitës me veprime radikale. Çdo hap, çdo dialog për kthimin në normalitet është gjëja që e presin të gjithë aktorët dhe shqiptarët. Por ju garantoj se çfarëdolloj grupi pune të jetë, të gjitha palët do të jenë të dëgjuara dhe opinionet do të merren parasysh.

Elona Meço: Ka disa zëra në PS që thonë se dialogu i ri maxhorancë-opozitë është dialog me Sali Berishën, non grata nga SHBA.

Damian Gjiknuri: Non grata nuk është në parlament, është i mbyllur në shtëpi.

Elona Meço: Por kryetari i grupit është nënkryetar i Non gratës…

Damian Gjiknuri: Deputetët janë të zgjedhur aty, ka një kryesi grupi të tyre, ka një përfaqssim, ka  një numër deputetësh që duan të bëhen pjesë e jetës parlamentare dhe ky është një normalizim. Non grata, për të keqen e tij apo të njerëzve të tij, është i mbyllur në shtëpi me një masë arresti dhe unë nuk dua të komentoj për fatin personal të njerëzve, sepse nuk është në kulturën time.

Elona Meço: Por zoti Basha është një nga ata që thotë se ky është një rivitalizim i pazarit të vjetër Berisha-Rama. E shikoni kështu?

Damian Gjiknuri: Zoti Basha njëherë zgjohet, njëherë fle. Njëherë tërhiqet, njëherë vjen në parti. Është në komisionin e Reformës Zgjedhore, muajt i ikin, nuk bën asgjë, nuk di të afrojë kompromis. Zoti Basha mbase kërkon të bëhet kryeministër pa votim, por kjo nuk ndodh.

Elona Meço: Çfarë kompromisi prisnit nga zoti Basha?

Damian Gjiknuri: Prisja që të reflektonin mbi disa rekomandime të ODIHR-it dhe mbi disa propozime konkrete. Por nëse vjen me propozime absurde për çështje të caktuara, që thjesht të leverdisin vetëm ty, për mbijetesën tënde politike, çfarë jep në këmbim? Kompromis është të japësh dhe të marrësh, jo vetëm të marrësh atë që do, sepse do që të mbijetosh politikisht.

Elona Meço: Ata propozojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor që Shqipëria të jetë një zonë elektorale. E pranoni ju këtë?

Damian Gjiknuri: Pse duhet ta pranojmë? Kjo i leverdis vetëm zotit Basha. Këtu ka një traditë. Niuk ka qenë Shqipëria me zgjedhje proporcionale kombëtare. Një zonë zgjedhore do të thotë të ndryshosh sistemin, të ndryshosh kushtetutën dhe gjithë produktin që sjellin zgjedhjet në Shqipëri. Propozimi i tyre niset nga premisa personale. Ai thotë “dua një sistem që të nxjerr disa njerëz të marrin vota për mua, se dua të mbjetoj politikisht.”

Elona Meço: Ju keni një propozim tuajin për sistemin zgjedhor?

Damian Gjiknuri: Sistemi zgjedhor aktual është sistem shumë i mirë, sepse kombinon përfaqësimin rajonal me interesin kombëtar, duke dhënë stabilitet. Nëse kalojmë në një sistem radikal të hapur proporcional kombëtar, ai do mekanizma korrigjues. Ndryshe Shqipëria do të ketë vështirësi për qeverisje. Nuk mund të merren peng fatet e qeverisjes së vendit, për shkak se shumë parti duan të jenë të përfaqësuara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›