Skema e PS për votën e emigrantëve, Damian Gjiknuri: Mund të zbatohet që këtë vit

Një nga çështjet kryesore të reformës zgjedhore, e mbetur ende pa një zgjidhje është vota e emigrantëve. Ata nuk kanë votuar kurrë në zgjedhjet shqiptare dhe rrezikohen të mos e ushtrojnë sërish këtë të drejtë, të njohur edhe në ligjin zgjedhor, edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Damian Gjiknuri i PS-së, e sheh këtë si një çështje të vullnetit politik dhe është gati të gjendet sa më shpejt një dakordësi. “Ne kemi vullnetin politik të zbatohet që këtë vit.”- tha zoti Gjiknuri, i cili tregoi në vija të përgjithshme planin e maxhorancës. Një plan në dukje i thjeshtë për t’u zbatuar dhe që nuk i përqendron votat e emigrantëve vetëm në një qark.
“Vota e tyre llogaritet në qarqet, ku kanë patur banesën e fundit përpara largimit. KQZ mbledh kërkesat e të gjithë personave që jetojnë në diasporë dhe kanë deklaruar një adresë, i rregjistron si zgjedhës potencialë për t’u çuar zarfin dhe vota e tyre vjen me zarf në Shqipëri deri ditën e votimit. Pastaj, votat llogariten në bazë të qarqeve, pra shpërndahen tek çdo qark, ku emigranti ka patur rezidencën përpara largimit.”- tha Damian Gjiknuri për emisionin “Pa Censurë”.
Ai beson se nëse ligji zgjedhor gjen konsensusin e grupimeve politike në parlament deri në korrik, atëherë gjithçka është e mundur. “Nëse ligji miratohet deri në fund të këtij sesioni parlamentar, mendoj se jemi në kohën e mjaftueshme për të bërë zbatimin e ndryshimeve.”- tha zoti Gjiknuri, partia e të cilit është e qetë në çdo rast, edhe sikur të mos ketë një reformë të re zgjedhore. “Do të detyrohemi të shkojmë në zgjedhje me këtë Kod. Edhe ky është një Kod shumë i mirë.”- u shpreh ai, duke rrëzuar paralajmërimet se zgjedhjet mund të jenë të pavlefshme, nëse emigrantët nuk votojnë.
/rtsh.al/