E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bomba molotov para Kryeministrisë", Skënder Tufa i lirë, gjykata: Arrestimi i paligjshëm

Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë Skënder Tufën, pasi ai u arrestua me akuzën se kishte pasur me vete dy bomba molotov. Gjyqi i zhvilluar mesditën e së dielës është mbyllur pa masë sigurie. Vetë Tufa, së bashku me avokatin mbrojtës Irvin Faniko, e kanë quajtur jo të drejtë gjithë arrestimin, pasi lëndët plasëse nuk i përkisnin atij. 

Prokurori i çështjes, Blerin Tomini, e ka quajtur të ligjshëm arrestimin, por nuk ka kërkuar masë sigurie për Tufën. Por, trupi gjykues ka vendosur që arrestimin e ish-të përndjekurit politik ta cilësojë si të paligjshëm dhe ta lërë të lirë Skënder Tufën. Ishkoordinatori i grevës së urisë, u arrestua më 5 qershor, në sheshin “Nënë Tereza”, me 2 shishe lëndë plasëse. Bashkë me Tufën u arrestua edhe një tjetër ish-i përndjekur politik, Petrit Lipo. 

Të dy këta u cilësuan si të dyshuar si persona të rrezikshëm, pasi me vete kanë mbajtur lëndë plasëse. Arrestimi i tyre erdhi pasi pranë tyre janë gjetur bomba molotov, të cilat dyshoheshin se ata do i përdornin nëpër sheshet dhe mitingjet. Por sipas 2 të akuzuarve kjo gjë nuk ka qenë e
vërtetë, pasi “materialet e gjetura nga Policia e Tiranës nuk u përkisnin atyre”. Që prej datës 5 e deri më sot, Tufa ka qëndruar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit nr.1 në Tiranë.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ndalohen 2 ish-të përndjekur, policia: Do hidhnin bomba molotov te Kryeministria

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›