E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bombardimet e NATO-s, histori e paharrueshme në Kosovë

PRISHTINE-Fillimi i bombardimeve të NATO-s, njëmbëdhjetë vjet pas, nga kosovarët kujtohet si një ndër sfidat më të mëdha, të cilat i kaloi populli shqiptar i Kosovës në luftën kundër regjimit serb.
Ish-komandanti i UçK-së, Agim çeku, thotë se fillimi i bombardimeve ka qenë një ndër ditët më të lumtura të tij pasi siç tha ai, më në fund bashkësia ndërkombëtare e kishte marrë seriozisht çështjen e Kosovës. çeku kujton se më 24 mars 1999, ai ishte në vijën e frontit dhe së bashku me ushtarët e tij ishin ndier tejet të gëzuar se me fillimin e bombardimeve përfundimi i luftës do të ishte më i shpejtë.
“Më 24 mars të vitit 1999 unë isha në zonën e Nerodimes dhe si gjithë qytetarët ne ishim në pritje të fillimit të bombardimeve dhe para se të dëgjoheshin detonimet ne dëgjuam ushtimën e aeroplanëve dhe më kujtohet se ai moment ka qenë ndër momentet më të gëzueshme për neve, sepse sikur po i vinte fundi luftës... atë ndjenjë e kam pasur”, kujton çeku.
Ai thotë se ka qenë optimist se bombardimet do të fillonin pasi që NATO-ja kësaj radhe nuk do të manipulohej nga ish-diktatori serb, Slobodan Miloshevic, i cili dëboi nga Kosova në mënyrë të dhunshme rreth një milion kosovarë.
“Ka qenë shumë evidente se bombardimet do të ndodhin edhe pse disa kanë qenë skeptik se ato do të fillonin mirëpo unë besoja shumë se kësaj here NATO-ja nuk do të lejonte që Milosheviq të manipulonte me të edhe pse ai kishte vendosur që të zgjidh problemin me luftë me operacion e vet ‘Patkoi’ duke bërë përpjekje që ta ndryshonte bilancin etnik në Kosovë”, është shprehur ish-komandanti i UçK-së, Agim çeku, duke kujtuar fillimin e bombardimeve të NATO-s.

çeku thotë se me fillimin e bombardimeve të NATO-s u krijua një aleancë me UçK-në, e cila gjithashtu kishte besuar se bombardimet nuk do të zgjasnin shumë.
“Të gjithë që ishim aty kemi pasur një reagim pozitiv se filloi një aleancë dhe partneritet në mes të NATO-s dhe UçK-së në atë kohë dhe të them të drejtën kemi pasur një bindje se shumë më shpejt do të përfundonin bombardimet dhe këtë e kemi pritur të gjithë, por doli e kundërta”, thotë çeku. Sipas tij, janë disa arsye që bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe në Kosovë dhe Serbi zgjatën 78 ditë.
“Ka disa arsye pse bombardimet zgjatën kaq shumë dhe një prej tyre dhe kryesorja ishte se gjithë operacioni ka qenë nën kontrollin politik dhe NATO-ja me çdo kusht ka bërë përpjekje që ta ruajë unitetin brenda saj dhe në ato raste kur ndërhyn politika ushtarakët e kanë vështirë të veprojnë ashtu siç duhet, sepse duhet t’iu përshtaten veprimeve politike”, shpjegon ish- komandanti çeku. Arsyeja e dytë e dytë, sipas çekut, ishte se doktrina ushtarake e NATO-s nuk ka pasur për qëllim shkatërrimin fizik të kundërshtarit dhe arsenalit të tij, por shkatërrimin e vullnetit të tij për rezistencë. Por ai pranon se zgjatja e bombardimeve e shtoi krimin e forcave serbe mbi popullatën civile.
“Operacionet janë zhvilluar në disa faza dhe tek faza e katërt ka qenë sulmi i caqeve të tyre në terren dhe Milosheviq e ka ditur se forcat e tij në terren nuk do të preken deri në fazën e katërt dhe ata kanë qenë të lirë dhe të papenguar nga NATO-ja që t’i bëjnë ato krime, të cilat i kanë bërë dhe kjo ka qenë një e metë e këtij operacioni pse është zhvilluar në atë dinamikë, të cilën është zhvilluar”, ka theksuar çeku.

Por ish-komandanti i UçK-së vlerëson se me gjithë dëmet që pësuan kosovarët nga bombardimet e NATO-s, Kosova doli fituese e tyre ndërsa shteti serb jo vetëm që humbi politikisht, por edhe moralisht.
“Ne jemi fitues nga këto bombardime edhe pse kemi pasur një numër të madh të viktimave dhe dihet se humbës në këtë proces ka qenë Serbia, Milosheviqi dhe ushtria e tij, e cila ka pësuar humbje politike, ushtarake dhe morale”, ka thënë çeku.
Bombardimet e NATO-s njëmbëdhjetë vjet më parë e kthejnë në kujtime të përziera edhe ish-përfaqësuesin e Shtabit të Përgjithshëm të UçK-së, Jakup Krasniqi, aktualisht kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kryetari Krasniqi kujton se në kohën kur NATO-ja filloi bombardimet ai ndodhej në Shqipëri pasi që vetëm disa ditë më parë ishte kthyer nga Konferenca e Rambouilletit.
“Bombardimet e NATO-s, mua më kanë gjetur në Shqipëri pasi që ishim kthyer nga vazhdimi i konferencës ndërkombëtare në Rambouillet dhe një pjesë e delegacionit u ndalëm në Tiranë, kurse pjesa tjetër në Shkup”, kujton Krasniqi. Ai tregon se gjatë tërë periudhës kohore të bombardimeve ai kishte qëndruar në Shqipëri duke vendosur komunikim me bashkësinë dhe mediet ndërkombëtare.
“Unë gjatë gjithë kohës së bombardimeve kam qëndruar në Shqipëri si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të UçK-së për komunikim me faktorin ndërkombëtar, por edhe për komunikim me mediet jo vetëm shqiptare, por edhe ndërkombëtare”, tregon Krasniqi.
Edhe Krasniqi si shumë qytetarë të tjerë nuk kishte besuar se NATO-ja do t’i fillonte bombardimet pasi që bashkësia ndërkombëtare disa herë i kishte zhgënjyer shqiptarët me veprimet e veta.
“Realisht pas Konferencës së Rambouilletit na ishin dhënë shumë garanci se nëse Serbia nuk e nënshkruan marrëveshjen do të ndodhin bombardimet, mirëpo ne nuk besonim shumë, sepse ishte ajo bindja nga e kaluara se nga Perëndimi na kanë ardhur ndarjet dhe përçarjet kombëtare dhe ishte një paragjykim i vendeve të demokracisë perëndimore duke u mbështetur gjithnjë tek e kaluara e historisë sonë”, shprehet Krasniqi. Ndërsa shton se “duhet të ketë qenë pasditja e 24 marsit të 1999 kur Bardhyl Mahmuti kishte pasur një kontakt me një diplomat të botës perëndimore ai e kishte njoftuar se në orën 20:00 do të ndodhin bombardimet e NATO-s. Këtë lajm e kemi pritur me gëzim dhe shpresë për liri, sepse fillimi i bombardimeve ishte fillimi më i shpejtë i lirisë dhe i hapjes së shumë rrugëve të reja për Kosovën dhe popullin shqiptar”, thekson Krasniqi.
Në 11-vjetorin e shënimit të bombardimeve të NATO-s, kryetari Krasniqi thotë se ndonëse ka kaluar periudha shumë të rënda gjatë luftës në Kosovë sytë e tij nuk ishin përlotur deri në momentin kur kishte parë kolona të gjata të qytetarëve, të cilët dhunshëm po deportoheshin nga Kosova.
“Unë sot kur rikujtoj këtë ngjarje kam një përgjigje shumë origjinale. Përkundër vrasjeve që kam parë, kam qenë mjaft i fortë. Por eksodi masiv i shqiptarëve për herë të parë gjatë luftës çlirimtare m’i ka mbushur sytë me lot dhe e kujtoj poezinë e Latif Berishës: ‘...Përzija një gotë të ëmbël dhe një të idhët në të tretën dhe u bë e idhët e ëmbël siç është jeta’...Dhe sot mendoj që kishte diçka të ëmbël dhe diçka të hidhur, por e rëndësishme është se populli i Kosovës arriti një fitore të madhe”, konsideron Krasniqi.
Intervenimi i bashkësisë ndërkombëtare sipas Krasniqit ishte një ndërhyrje humanitare për ta penguar shfarosjen e kosovarëve që ishte edhe qëllimi i Slobodan Milosheviqit.
“Nga bombardimet ka pësuar Serbia, por edhe shqiptarët e kanë një çmim jo të vogël, por në fund të fundit ai ka qenë një çmim për lirinë dhe dihet se të gjithë popujt që kanë luftuar për lirinë kanë paguar një çmim”, shprehet Krasniqi.

Edhe qytetarët kosovarë, të cilët kishin kaluar ditët e bombardimeve në Kosovë kujtojnë 24 marsin si një nga ditët më të rëndësishme për popullin e Kosovës. Shpend Jedrashi nga Prishtina është njëri nga banorët e shumtë të kryeqytetit që për gati tre muaj sa edhe kishin zgjatur bombardimet kishte qëndruar në banesën e tij me shumë familjarë. “Natën e parë kur kanë filluar bombardimet në banesën time kemi qenë diku rreth 24 veta prej të cilëve 11 kanë qenë fëmijë. Në momentin kur kanë nisur bombardimet te banesa jonë në ‘Dardani’ kanë ardhur katër pizgauerë me policë, të cilët u shpërndanë nëpër banesa disa prej të cilëve hynë te hyrja jonë, mirëpo nuk e dinim sigurt se nga do të shkojnë tutje. Ne pritshim që do të hyjnë në banesën tonë për me na vra, por ata vetëm kishin vendosur bomba në disa lokale aty afër dhe kanë kaluar vetëm disa minuta dhe bombat kanë pëlcitur. Dy fëmijët e mi nga frika e shpërthimit të bombave më janë afruar afër dhe i kam ndier dridhjet e tyre. Këtë moment nuk do ta harroj kurrë, sepse e disha se nuk kam si t’u ndihmoj”, tregon Shpendi. Edhe ky thotë se ka besuar që bombardimet do të zgjasin disa ditë, por kujton se me hyrjen e forcave të NATO-s dhe largimin e ushtrisë dhe policisë jugosllave e kishte pasur momentin më të lumtur në atë kohë.
“Kam pritur se do të përfundojnë brenda një jave, mirëpo u deshtë të kalonin shumë ditë që serbët të dorëzoheshin. E mbaj mend kur kanë hy forcat e NATO-s, gëzim më të madh nuk kam pasur, edhe kur janë larguar policët dhe ushtarët serbë, të cilët u larguan pa u penguar nga askush”, kujton Shpendi.
Bombardimet e NATO-s i gëzuar i kishte pritur edhe Nexhmedin Morina nga Prizreni. Ai tregon se vetëm disa ditë pas fillimit të tyre ishte dashur të largohej nga Prizreni për në Prishtinë ku kishte qëndruar gjatë gjithë kohës.
“Kam qenë në Prizren kur kanë filluar bombardimet. Si sot më kujtohen kur është bombarduar largpërçuesi i Televizionit të Prishtinës te kalaja. Nuk di si ta përshkruaj atë ndjenjë thjesht ka qenë një moment që më ka bërë të mendoj se dikush po na mbron më në fund edhe neve kosovarëve. Por i kam parë nga afër kalljen e shtëpive tona nga serbët si dhe gjuajtjet e tyre të njëpasnjëshme”, kujton Mornina . Ndërsa thotë se më pas ishte detyruar të largohej nga atje dhe kishte ardhur në Prishtinë për t’iu bashkuar familjes së tij.
Bombardimet e Aleancës Veriatlantike mbi forcat ushtarake dhe paramilitare serbe filluan pas dështimit të negociatave të Konferencës ndërkombëtare që u mbajt në Rambouillet të Francës, ku bashkësia ndërkombëtare nuk arriti që ta bind shtetin serb ta nënshkruaj marrëveshjen që synonte t’i jepte fund luftës në Kosovë.
Refuzimi për nënshkrimin e marrëveshjes, e cila u pranua nga delegacioni kosovar ia dha dritën jeshile forcave të NATO-s që të fillonin bombardimet mbi Serbinë, të cilat zgjatën 78 ditë.

(d.b/KohaDitore/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›