Bombardohet rezidenca e Gedafit pas shfaqjes së tij
Bombardime të tjera janë kryer dje mbi Tripoli, Libi, menjëherë pasi lideri libian Muamar Gedafi ka mbajtur një fjalim në televizion, ku prej 30 prillit nuk kishte bërë asnjë dalje publike. Katër raketa kanë goditur kompleksin e Gedafit në Tripoli, Bab al-Aziziya. Zyrtarët libianë kanë thirrur gazetarët e huaj për të dëshmuar dëmtimet në vendin e goditur dhe vrasjen e dy personave. Ndërkohë, rebelët deklaruan se kanë marrë kontrollin e aeroportin të Misratës, në Perëndim. Për ta ka mbërritur edhe ngarkesa e parë e ndihmave nga SHBA-ja. Dje në Uashington, ka mbërritur lideri i grupit opozitar në Libi, për t’u takuar sot me liderë të lartë amerikane dhe anëtarë të Kongresit. Sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, Mahmud Jibril, President i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, do të takohet me këshilltarin për sigurinë kombëtare, Tom Donilon.