Tërmeti më i fuqishëm në 57 vjet vret 8 persona
Dy tërmete të fuqishme kanë goditur dje qytetin Lorka në pjesën juglindore të Spanjës, duke shkaktuar 8 të vdekur dhe 170 të plagosur. Tërmeti më i fortë ishte i fuqisë 5,1 ballë dhe ky ishte më i fuqishmi në Spanjë që nga viti 1954. Tërmeti ka goditur gjatë natës dhe mijëra banorë e kanë kaluar natën në rrugë nga frika e lëkundjeve të tjera. Kryeministri Jose Luis Zapatero ka angazhuar, përveçse skuadrat e shpëtimit, edhe rreth 300 ushtarakë të Njësisë së Emergjencës së Ushtrisë. Banorët e kësaj zonë presin në diell për të marrë ushqimet dhe tendat. Pamjet televizive kanë treguar qytetin e dëmtuar rëndë dhe rënien e kambanës së një kishe, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv. Dridhjet kanë shembur mure dhe kanë rrënuar disa ndërtesa. 90 mijë banorët e Lorkës kanë qëndruar gjatë gjithë natës jashtë të mbështjellë me batanije.