E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bombë në makinë vrasësit të 1999

Hidhet në erë me eksploziv në Tiranë automjeti i ish-të dënuarit për vrasje, Petrit Marku. Makina tip “Benz CLK”, kabriolet, me targë AA 787 DK, ka shpërthyer në lëvizje, para një karburanti sa kalon Rrethrrotullimin e Doganës. Mjeti ka bërë ecje të pakontrolluara përgjatë 250 metrave dhe ka ndaluar vetëm pas përplasjes me trafikndarësen e rrugës “Dritan Hoxha”, pranë kryqëzimit të Laprakës.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se si pasojë e shpërthimit të fortë ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i mjetit, 43-vjeçari Petrit Marku, i sapokthyer nga Belgjika, i cili një vit më parë kishte përfunduar dënimin për vrasje. Të njëjtat burime thanë se Marku ndodhet në gjendje të rëndë për shkak se eksplozivi i ka këputur të dy këmbët dhe ka humbur shumë gjak. Tre personat e tjerë që ndodheshin në makinë me ish-të dënuarin, e dashura e tij holandeze, motra e tij dhe nipi (djali i motrës) kanë pësuar vetëm disa plagë të lehta.

Policia dyshon se ngjarja e rëndë që ndodhi pasditen e djeshme, mund të jetë kryer për motive hakmarrjeje, në lidhje me vrasjen që Petrit Marku ka kryer në Tiranë në vitin 1999. Në lidhje me llojin e eksplozivit, burimet thanë se ekspertët e xhenios dyshojnë se bëhet fjalë për C4 që është aktivizuar me celular. Bomba ishte vendosur në pjesën e poshtme të mjetit në krahun e shoferit.Shpërthimi në makinë ka ndodhur teksa Petrit Marku po hynte në Tiranë. Ai kishte vetëm disa ditë që ishte kthyer nga Belgjika bashkë me të dashurën e tij holandeze, transmeton Panorama.

Ai ka qenë duke udhëtuar dje nga Mamurrasi në drejtim të Tiranës, me automjetin që ia kishte blerë një prokurori, “Benz CLK”, me targë AA 787 DK. Në makinë me të ndodheshin e dashura, në sediljen e parë dhe prapa motra e tij dhe nipi. Rreth orës 18:35, kur sapo kishte kaluar Rrethrrotullimin e Doganës dhe ishte drejtuar për te “Zogu i Zi”, para një karburanti makina ka shpërthyer. Dëshmitarët që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes thanë mbrëmë për gazetën se shpërthimi ka qenë shumë i fortë, aq sa janë kthyer nga karburanti, duke menduar se kishte ndodhur aty shpërthimi. Më pas kanë parë makinën e Markut që lëvizte në rrugë në mënyrë të çrregullt dhe ka përplasur edhe një motor. Mjeti ka ndaluar rreth 250 metra larg vendit ku shpërtheu, pasi është përplasur me trafikndarësen e rrugës “Dritan Hoxha”, pak pa arritur te kryqëzimi i Laprakës.  /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›