"Nuk shkoj në Shkup shkaku i taksave"

(E plotësuar) Mimoza Kusari - Lila porositi Vladimir Peshevskin, homologun e saj nga Maqedonia: "Jo ftesë për debat televiziv, por ftesë për zgjidhje të situatës".
Në një prononcim për Indeksonline, ajo ka mohuar mundësinë e një debati, si dhe ka hedhur poshtë mundësinë që të udhëtojë në Shkup nesër së bashku me zëvendës kryeministrin kosovar, Hajredin Kuçi.
“E kam marrë letrën, megjithatë, përgjigja ime është letra që jep zgjidhje për problemin e bllokadës sepse une konsideroj që nuk është momenti ne të ballafaqohemi në debate mediale për propaganda, për ne është më e rëndesishme të gjejmë zgjidhje të problemit", ka thënë zëvendës kryeministreja Kusari-Lila.
Ajo ka mohuar të ketë informacione lidhur me vizitën e Hajredin Kuçit në Shkup, edhepse ka deklaruar se nuk është kohë e përshtatshme për të shkuar në Maqedoni.
"Nuk jam e gatshme të shkoj në Shkup përderisa Qeveria e Maqedonisë ende nuk i ka liruar rrugët dhe nuk i ka hequr taksat, dhe unë si një qytetare e Kosovës për të shkuar në Shkup duhet të paguaj 2 euro si këmbesore ose 5 euro me veturë.Debatin mund t’a realizojmë në momentin kur Maqedonia të heq bllokaden ndaj Kosovës", ka përfunduar ajo.
----------
Në përpjekje për të gjetur zgjidhje sa më të shpejtë, zëvendës kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, do të udhëtojë nesër në Shkup. Këtë e ka konfirmuar kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti gjatë një takimi me ambasadorin e BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
Vetë Kuçi i kontaktuar nga Indeksonline, nuk ka dhënë prononcim lidhur me atë se a pritet zgjidhje brenda ditës së nesërme, dhe cili do të jetë qëndrimi i palës Kosovare gjatë takimit me zyrtarë të Qeverisë maqedonase.
Gjatë ditës së sotme, edhe zëvendës kryeministri i Maqedonisë, përgjegjës për çështje ekonomike, Vladimir Peshevski, ka ftuar homologen e tij nga Kosova, Mimoza Kusari – Lilën në një debat televiziv.
“Mendoj se u kemi borxh qytetarëve të vërtetën. Ju ftoj në një debat televiziv, qysh sot, ku para syve të publikut do ti prezentonim argumentet”, ka thënë Peshevski, duke u thirrur në informacione të ndryshme që qarkullojnë në dy vendet lidhur me motivet, arsyet, faktet e situatës aktuale.
Kufiri mes Maqedonisë dhe Kosovës tani më tri ditë mbetet e bllokuar, ndërsa qytetarët mund ta kalojnë këtë kufi vetëm në këmbë. /Indeksonline/