E Diel, 1 Nëntor 2026

Bonot e privatizimit, kërkesa inekzistente, fajin legalizimet

Edhe pse Këshilli i Ministrave shtyu afatin e përdorimit të bonove të privatizimit, deri më 31 dhjetor 2011, kërkesa për to është inekzistente, pasi ligji për pagesën e banesave të legalizuara me këto bono nuk po zbatohet. Nga një vëzhgim i gazetës “MAPO” ditën e djeshme, në ish-tregun e kambizmit pranë Bankës së Shqipërisë, rezultoi se bonot e privatizimit nuk kërkohen për këmbim, pavarësisht se procesi i legalizimit nuk ka përfunduar ende dhe faturat financiare janë për t’u paguar 70 % e parcelës në vlerë bonosh. Sipas agjentëve valutorë, kursi i këmbimit të bonove të privatizimit shkon në 7,2 % - 7,3 % për letrat me vlerë 10 mijë lekëshe. Por sipas kambistëve, ato nuk kërkohen. “Mendonim se me shtyrjen e afatit nga qeveria dhe me procesin e legalizimit, tregu i bonove do të ziente, por dështoi me sa duket. Ne kemi investuar miliona lekë në bono privatizimi dhe i kemi në shtëpi. Dalim këtu për efekt zakoni”, - u shpreh një kambist për “MAPO”. Ndërsa më 4 shkurt të 2010, Kuvendi miratoi ligjin nr 10219 “Për disa shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, përmes të cilit mund të përfitonin zotëruesit e objekteve informale me funksion banimi, apo të përzier, të kualifikuara për legalizim dhe kishin të drejtë të parashtronin kërkesë, për pagesën e parcelës ndërtimore me bono privatizimi, sipas përcaktimeve të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr.10219. Bënin përjashtim nga ky rregull, objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni, dhe shtesat informale në objekte me leje. Sipas agjentëve valutorë, gjashtë muaj më parë kursi i këmbimit të bonove arriti 20%, për shkak se do të shërbenin në procesin e legalizimit, gjatë të cilit për objektet pa leje në zonat informale për sipërfaqe nga 1-500 metër katror, zotëruesit e objektit mund të paguanin në dorë 70% me bono privatizimi. Sipas tyre, kjo nismë e qeverisë nuk pati sukses dhe vlera e bonove ra nga 20%, në 17%, në 13%, madje edhe në 5%. Por mesa duket, moszbatimi i ligjit për pagesën me bono privatizimi, të faturave financiare të legalizimit, ka bërë që kërkesa për këto letra me vlerë të jetë inekzistente.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›