E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, paguan totalin e vlerës, ALUIZNI nuk aplikon uljen 20%

SHKRUAN: Sabina Veizaj 16-05-2011 11:06

Qytetarët e Tiranës akuzojnë drejtuesit e ALUIZN-it rajonal se, po abuzojnë me ligjin për legalizimet në lidhje me faturat financiare dhe pagesën me bono privatizimi.

Ndërsa procesi i legalizimeve vazhdon të zvarritet edhe në kryeqytet, kur nga drejtues të lartë të ALUIZN-it rajonal është deklaruar që ky proces do të përfundonte në fund të vitit 2010, edhe qytetarët që janë gati të paguajnë faturën financiare hasin probleme. Ata shprehen se, nuk po përfitojnë nga ulja prej 20%, në rast se paguajnë gjithë shumën e sipërfaqes së legalizuar njëherësh sipas ligjit. Në të njëjtën kohë, ata nuk lejohen po sipas ligjit të paguajnë 70 % të shumës me bono privatizimi. “Kisha 10 vjet që i kisha bërë shtesë apartamentit, ku banoja në lagjen “21 dhjetori”. Aplikova sipas ligjit për të legalizuar sipërfaqen e ndërtuar. Kisha mundësi të bëja pagesën në dorë njëherësh, gjithashtu disponoja edhe bonot e privatizimit. Por kur paguam faturën financiare që na takonte, nuk përfituam nga ligji në fuqi. Na thanë se për legalizimet brenda vijës së verdhë nuk ekzekutohet ligji. Paguam lekët, nuk përfituam nga ulja dhe nuk paguam as me letra me vlerë. Ata na thanë se, nga ligji do të përfitojnë vetëm zonat rurale. Mendoj se ka qenë për efekt zgjedhjesh”, – u shpreh për “MAPO” një qytetare që kishte kaluar nëpër procesin e legalizimit dhe tashmë pronën e saj e ka legalizuar sipas ligjit. Edhe një banor tjetër, po në zonën e “21 dhjetorit”, i cili e kishte gati dosjen për legalizimin e shtesës së pallatit dhe i mbetej vetëm fatura financiare për të paguar, u shpreh për gazetën “MAPO” se në zyrat e ALUIZN-it i kishin thënë se nuk përfitonte nga ligji për t’i bërë një zbritje prej 20% shumës së përcaktuar për legalizimin e banesës dhe as nuk mund të paguante me bono privatizimi. Agjencia e Legalizimeve ka vijuar punën për shpërndarjen e lejeve të legalizimit dhe plotësimin e dosjeve për hipotekimin e këtyre objekteve. Më shumë se 600 milionë lekë janë shlyer deri tani nga qytetarët që kanë pasur ndërtime të paligjshme dhe kanë qenë pjesë e procesit të legalizimit. Për ato objekte, që tashmë janë kualifikuar për të marrë lejen e legalizimit, qytetarët mund të paguajnë menjëherë dhe në këtë rast aplikohet një zbritje prej 20 për qind të detyrimit, prej rreth 800 mijë lekë. Këtu, duke marrë parasysh që detyrimet për një objekt arrijnë në rreth 4 milionë lekë të vjetra, me çmimet e tregut. Ndërkaq, sipas ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar”, pagesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet: në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë, në proces legalizimi; me bono privatizimi, në përputhje me dispozitat e neneve 19, 20 e 21, të ligjit. Bonot e privatizimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit që janë në proces legalizimi. Bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Taksa e ndikimit në infrastrukturë është ulur në masën 0.5% të vlerës së banesës për legalizim. Taksa e ndikimit në infrastrukturë për Tiranën ishte 3-4 për qind e vlerës së investimit, ndërsa tani është bërë 0.5 për qind e vlerës së investimit. Për rrethet, taksa e ndikimit në infrastrukturë ishte 1-3% e vlerës së investimit, ndërsa tani është bërë 0.5% e vlerës së investimit. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë. Ndërkaq, janë më shumë se 80 % e objekteve të ndërtuara në Tiranë që tashmë janë legalizuar. Ky proces, sipas zyrtarëve të ALUIZN-it, pritet të përfundojë tërësisht shumë shpejt për rrethin e Tiranës. Administrata e ALUIZNI-t rajonal të qarkut të Tiranës është në fazën e riazhornimit dhe bëhet fjalë për plotësimet e dosjeve vetëm për qytetin e Tiranës, pa rrethinat. Në Tiranë numërohen gjithsej 20000 dosje legalizimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›