Bonot e thesarit, interesi më i larti që nga janari
Interesi i bonove të thesarit, ose letrat me vlerë të qeverisë, në ankandin e fundit ka arritur në 7.66%, niveli më i lartë ky që nga muaji janar. Ndonëse rritja në raport me muajin qershor nuk është e madhe, ajo që mund të thuhet është tendenca në rritje e vërejtur që nga fillim viti, kur norma e interesit ishte 6.8%. Ky tregues lidhet ngushtësi ne normat e interesit të kredive në lekë. Ekspertët e konsiderojnë fenomen sezonal, pasi periudha verore nuk është e favorshme në mbledhjen e të ardhurave. Rritja e interesit të bonove të thesarit lidhet ngushtësisht me nevojën e qeverise për para. Në kushtet kur të ardhurat nuk realizohen në masën e programuar, qeveria detyrohet të marrë borxh në tregun e brendshëm, duke ndikuar në rriten e interesave. Ndonëse treguesit për muajin qershor nuk arritën objektivat e buxhetit te rishikuar, duke u bërë në këtë mënyrë një kërcënim për ekonominë, ekspertet thonë se muaji shtator do të tregojë tendencën reale të qeverisë për borxh. Konsumatori duket se është pak i vëmendshëm ndaj ndryshimeve të interesave për bonot e thesarit, nga i cili mund të përfitojë. Në ankandet e Bankës së Shqipërisë mund të marrë pjesë çdo individ, i cili ka një shumë parash që nis nga 300 mijë lekë. Arkëtimi i tyre në një nga bankat e nivelit të dyte dhe lidhja e kontratës me sportelin e Bankës së Shqipërisë janë dy veprimet që duhet të bëjë një qytetar për të përfituar nga ky investim. Interesi i bonove është më i larte se i një depozite bankare, ndërsa siguria e tyre është maksimale.