E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa e makinave, çmimi i naftës rritet me 5 lekë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 25-07-2011 11:18

Tregu i hidrokarbureve ka reaguar në mënyrë të unifikuar këtë fundjavë, duke rritur çmimin e naftës dhe benzinës të paktën me pesë lekë për litër. Rritja e çmimeve këtë herë vjen si shkak i rritjes së akcizës së karburanteve, e përcaktuar në paketën e re fiskale të sapomiratuar nga qeveria. Kështu, çmimi i një litri naftë shkoi dje në 162 lekë nga 157 lekë që ishte ditën e premte. Në disa pika të tjera niveli i çmimit është edhe më i lartë, deri në 168 lekë. Ndryshimet ligjore ende nuk kanë hyrë në fuqi, për shkak se nuk është bërë botimi i tyre në Fletoren zyrtare. Spekulimi është i qartë, por tregtarët e pakicës tashmë kanë marrë urdhrat përkatës. Tabelat e çmimeve kanë ndryshuar dhe shkaku është pikërisht rritja e akcizës së karburanteve, e cila do të zëvendësojë taksën qarkullimit. Taksa vjetore e qarkullimit të automjeteve dhe ajo e regjistrimit janë transferuar te karburantet, akciza e të cilave është rritur. Kështu, taksa e re qarkullimit do të jetë një taksë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër, deri në datën 31.12.2011 dhe, duke filluar nga 1 janar 2012, masa e kësaj takse do të jetë 7 lekë për litër për benzinën dhe gazoilin. Ndërsa taksa e karbonit, që është aktualisht mbi benzinën në masën 1,5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, do të aplikohet edhe mbi disa kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin, solarin, mazutin dhe koks nafte. Në këtë mënyrë do të kemi: Taksa e karbonit do të aplikohet mbi prodhimin vendas dhe importin e këtyre nënprodukteve të naftës. Kështu gazoili taksohet me 3 lekë për litër, benzina me 1.5 lekë për litër, solar dhe mazut me 3 lekë për litër, vajguri 3 lekë për litër dhe koks naftë me 3 lekë për kg. Kjo do të thotë se çmimi për të gjitha këto produkte do të jetë në rritje gjatë ditëve në vazhdim. Taksa e regjistrimit të përvitshëm dhe taksa e qarkullimit të përvitshëm të makinave, janë taksa të cilat aplikohen në bazë të parimit të shfrytëzimit të infrastrukturës rrugore dhe të ardhurat prej tyre shkojnë në programet investuese të infrastrukturës rrugore. Parimi i kësaj takse është që ndotësi paguan. Çmimi i naftës këtë vit ka qenë e i lartë për shkak të rritjes në tregun ndërkombëtar, por kohët e fundit pësoi ulje për shkak të nxjerrjes në treg të disa rezervave nga SHBA. Ndërsa në fund të javës që shkoi nafta bruto amerikane i afrua vlerës së 100 dollarëve për fuçi, e mbështetur kryesisht nga veprimi konkret i eurozonës për krizën e borxhit grek, por edhe nga vendimi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, për të mos hedhur në treg naftën e rezervës së emergjencës. Nafta bruto amerikane për shtatorin u rrit 25 cent në 99.38 dollarë për fuçi. Nafta bruto Brent e Londrës për shtatorin u rrit 50 cent në 118.01 dollarë për fuçi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›