E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borchardt: Kriza ndikon në të ardhmen e vendit

Përpara largimit nga Shqipëria, Borchardt u shpreh i habitur nga paaftësia e politikanëve shqiptarë për të arritur në një kompromis. “Nuk kam arritur asnjëherë të kuptoj mungesën e aftësisë për kompromis në politikën e vendit tuaj. Shqipëria synon anëtarësimin në BE, qëllim të cilin Gjermania e mbështet. Në BE, çdo ditë, 27 vende duhet të bien dakord për një mori çështjes. Një gjë e tillë kërkon një nivel jashtëzakonisht të lartë gatishmërie për kompromis. Vendimet lidhur me çështje të rëndësishme, atje nuk mund të shtyhen për një kohë të gjatë, sepse nuk mund të gjendet kompromisi. Ndërsa në Shqipëri prej më shumë se një viti, shtyhen tema të rëndësishme, pasi nuk mund të arrihet një kompromis”, pohoi përfaqësuesi gjerman në Tiranë.

Tashmë maxhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për ngritjen e një komisioni hetimor me shumicë dhe drejtim të opozitës, gjë që sipas ambasadorit, duhet të kishte ndodhur qysh vitin e kaluar dhe çështja e fletëve të votimit duhet të ishte trajtuar më parë. “Ne vazhdimisht i kemi kërkuar opozitës dhe qeverisë të gjejnë një zgjidhje që të përputhet me kriteret e ‘kushtetutshmërisë’ dhe ‘transparencës’”, theksoi Bernd Borchardt.

Ai shtoi se ndërkombëtarët presin që qeveria, së bashku me opozitën të punojnë për reformën e Kodit Zgjedhor duke marrë parasysh rekomandimet e OSBE/ODHIR-it. Në të kundërt, sipas tij, zgjatja e mëtejshme e krizës politike, do të ketë ndikim negativ në të ardhmen e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›