E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borchardt: Punësimet në administratë, politike

Ambasadori gjerman apelon gjatë prezantimit të raportit të AKSES Albania, ku thuhet se punësimet janë fiktive dhe politike


TIRANË - Administrata publike shqiptare vazhdon të shfaqë probleme në mënyrën e operimit të saj, duke filluar që nga rekrutimi i punonjësve sipas preferencave politike. Raporti i publikuar dje nga AKSES Albania për veprimtarinë e administratës publike gjatë vitit 2009 thekson një sërë problemesh ku më kryesoret janë mënyra e punësimit në mënyrë fiktive dhe sipas preferencave politike.


Në paraqitjen e këtij raporti merrte pjesë edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, i cili vuri në dukje se punësimet e motivuara politike, si dhe rekrutimi i të rinjve në administratën shtetërore janë kritikuar publikisht. Sipas tij, nëse Shqipëria kërkon të jetë pjesë e Bashkimit Europian, ajo duhet që të krijojë një shërbim publik funksional për t'u përballuar në procesin e anëtarësimit.


"Shkarkimet e motivuara politikisht nga administrata publike në Shqipëri janë kritikuar publikisht. Kriteret për rekrutimin e punonjësve të rinj janë kritikuar gjithashtu në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Europian.


Qytetarët e Shqipërisë duan që vendi i tyre të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Për këtë qëllim, Shqipëria ka nevojë për një shërbim publik të stabilizuar, funksional dhe të aftë për të kryer të gjitha detyrat, me të cilat vendi juaj duhet të përballet gjatë procesit të anëtarësimit", - tha dje Borchardt.


Ndërsa, sipas drejtores ekzekutive të AKSES Albania, Marjana Papa, që nga shtatori i vitit ta kaluar e në vazhdim ka një përkeqësim të qëndrueshmërisë dhe funksionimit të administratës publike.


Nga shtatori e në vazhdim shihet një përkeqësim i të gjitha parametrave që lidhen me qëndrueshmërinë e administratës, si p.sh., ka një rritje të kontraktimeve të përkohshme në radhët e shërbimit civil, rënie në shpalljen e pozicioneve të lira ndonëse numri faktik i vendeve të lira është mjaft i lartë, rënie të numrit të aplikantëve në konkurset e pranimit në pozicione të shërbimi civil, rritje të numrit të personave të larguar me masa disiplinore (të shkarkuar nga shërbimi civil), etj.," - u shpreh ajo.


Duke iu referuar pjesëve nga raporti për vitin 2009, theksohet se procesi i rekrutimit kryhet në mënyrë formale e fiktive dhe ka një numër të madh punonjësish që nuk i janë nënshtruar konkursit.


Gjithashtu, sipas këtij raporti, vihet në dukje se punonjësit e administratës ndihen të rrezikuar sa herë që ndryshon forcat politike në pushtet. "Besimi në objektivitetin e sistemit të konkurrimit në administratën publike është i kufizuar dhe proceset e rekrutimit rezultojnë formale dhe fiktive.


Ekziston aktualisht një numër i konsiderueshëm punonjësish, të cilët nuk i janë nënshtruar procesit të rekrutimit përmes konkursit. Punonjësit e administratës ndihen të rrezikuar në lidhje me pozicionin e tyre të punës, nëse ndryshon forca politike në pushtet", - thuhet në raport.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›