E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalët e PE-së: Hetim serioz zgjedhjeve të Qershorit

Sipas Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve, qeveria duhet të krijojë garanci edhe për zgjedhjet e ardhshme


BRUKSEL - Bashkimi Europian i ka bërë dje thirrje qeverisë shqiptare, që të nisë menjëherë hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Ky apel ka ardhur nga grupi parlamentar i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, të cilët kërkojnë nga qeveria shqiptare, që përveç hetimit të zgjedhjeve, ajo duhet të garantojë që edhe zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen brenda standardeve demokratike, që kërkojnë organizmat ndërkombëtarë.


Duke theksuar se mirëqeverisja e Shqipërisë është një kusht kyç për anëtarësimin në Bashkimin Europian, zëdhënësja e grupit parlamentar të ALDE-së, Marietje Schaake, vuri në dukje se kryerja e transparencës së zgjedhjeve është mjaft e rëndësishme.


"Unë pres që qeveria shqiptare të nisë menjëherë një hetim serioz mbi manipulimet e zgjedhjeve të Qershorit 2009 dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të mund të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare demokratike", - tha Schaake.


Sipas saj, forcat politike shqiptare duhet që të veprojnë brenda standardeve europiane. Për këtë arsye, sipas zëdhënëses së ALDE-së, transparenca është një kushti kryesor për të krijuar dhe ndërtuar besim në institucionet e vendit, ndërsa theksoi se stabiliteti politik sjell edhe qëndrueshmëri ekonomike. "Qeverisja e mirë dhe demokracia e qëndrueshme janë të domosdoshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.


Pluralizmi politik është çelësi për të ndërtuar shoqëri gjithëpërfshirëse. Unë inkurajoj të gjitha partitë politike në Shqipëri të veprojnë në mbështetje të standardeve europiane. Transparenca është veçanërisht e rëndësishme për të ndërtuar besim në institucionet shqiptare, ndërkohë që institucionet dhe stabiliteti janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik", - u shpreh ajo.


Ajo shtoi se grupi parlamentar ku ajo bën pjesë, mbështet procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Mësohet gjithashtu se Marietje Schaake do të krijojë një delegacion ad-hoc në emër të grupit parlamentar liberal dhe do të vizitojë Shqipërinë përpara përfundimit të sesionit të verës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›