E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borishi deklaron edhe mjetin e djegur në ‘98-n

Kreu i policisë për rendin, Rasim Borishi, duket se nuk ka shumë diferenca me kolegun e tij, Agron Kuliçaj. Edhe ai ka një pasuri të konsiderueshme sa i përket krahasimit me kolegët e tjerë në nivelet më të larta të policisë shqiptare. Në deklaratën e tij të parë më 20 mars të vitit 2006, ai ka përmendur katër objekte si pasuri të paluajtshme. Kështu, ai ka deklaruar një banesë të hipotekuar të blerë në vitin 1995, apartamenti i prindërve me vlerë 1 milion e 200 mijë lekë. Veç saj, një banesë 3+1, ka përfituar nga Ministria e Rendit Publik si punonjës policie dhe në vitin 1993 e ka privatizuar, që në atë kohë kishte vlerën 72 mijë lekë. Veç dy banesave, Borishi ka deklaruar edhe një makinë "Golf", të cilën e ka shitur, por pa kryer veprimet përkatëse, në një vlerë prej 70 mijë lekësh. Ndërsa e veçanta për këtë zëvendësdrejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili mbulon Departamentin e Rendit dhe Sigurisë Publike, është se ka në pronësi një mjet të djegur në vitin 1998. Ai ka deklaruar se disponon një "Opel Kadet", në pronësi të bashkëshortes, djegur në vitin 1998 dhe që nuk është në përdorim. Por, pasuri të paluajtshme ka edhe llogari me bono thesari me vlerë dy milionë e 565 mijë lekë. Në vitin 2005, kur ka deklaruar pasurinë, të ardhurat e Rasim Borishit si drejtor ekzekutiv në një firmë private ishin 300 mijë lekë në vit. Ndërsa bashkëshortja është juriste në parkun automobilistik të Ministrisë së Brendshme. Në deklaratën tjetër, për vitin 2006, Rasim Borishi nuk ka sjellë asnjë shtesë të pasurive të paluajtshme, pavarësisht se i janë rritur të ardhurat. Ndërsa në deklaratën e datës 30 mars 2008, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë ka shtuar në pasurinë e tij nga kursimet rreth 1 milion lekë. Sipas shpjegimit të Borishit, këto janë shtuar nga kursimet në vitin 2007. Po të njëjtën procedurë ka ndjekur edhe në vitin 2008, duke kursyer e deklaruar 1 milion e 300 mijë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›