A ESHTE TIRANA QYTET
Doktrina sociale e qytetërimit, na bën ta shohim njeriun si qenie shoqërore, në vartësi nga natyra dhe mjedisi ku jeton. Parimet sociale të qytetërimit, lëvizin në një fushë të ngarkuar me jone pozitive e negative, që shprehen nëpërmjet zakoneve, traditave, koncepteve, botëkuptimeve, që janë dukuri të veçorive krahinore të popullatës që ka zbritur në qytet. Kultura e një komuniteti mbështetet mbi zotërimin e përbashkët të të mirave shpirtërore, të brezave të kaluar e të sotëm. Njeriu në natyrën e tij si qenie shoqërore, është në vartësi nga të tjerët dhe inkluzivisht nga shoqëria, kryesisht në sferën trupore-materiale, shpirtërore, kulturore dhe morale. Njeriu, shtrihet nga brezi në brez duke transmetuar përvojat, kulturën dhe njohuritë e veta, nëpërmjet traditës, edukimit dhe arsimimit. Tirana si qytet, ka trashëgimi qytetare të brezave të kaluar dhe të brezave të sotëm. Natyra shoqërore e njeriut, nuk është utilitariste, nuk përcaktohet nga varësia e tij e jashtme, në ndryshim nga të tjerët, por është metafizike, pra, qëndron në vetë thelbin e njeriut, që përbën një pasuri personale. Pra, njeriu nuk është i izoluar brenda qenies së tij, me vlerat e tij shpirtërore. Ai është i prirur të komunikojë dhe transmetojë te të tjerët, vlerat e tij dhe në të njëjtën kohë dëshiron të marrë prej tyre vlerat shpirtërore. Rrjedhjet dhe zhvendosjet kaotike, pa kriter të banorëve të zonave rurale drejt zonave urbane, ka bërë që energjitë e tyre fizike dhe shpirtërore, të derdhen në një truall të zbrazët, të pamodifikuar për ekzistencën e tyre. Demokracia, ka në thelb lëvizjen e lirë të qytetarëve për të banuar e punuar kudo, por kur shoqëria u krijon kushte të përshtatshme jetese, ekonomike, e sociale. Parimet sociale të qytetërimit të njeriut, si qenie shoqërore, janë nën ndikimin e mjedisit jetësor. Njeriu, nuk lind as me vese e as me virtyte. Ai formohet në një mjedis shoqëror të caktuar. Mjedisi natyral, jetesa në fshat pa kufizime shoqërore, pa institucione morale, kulturore, e bën atë të pavarur nga pushteti i bashkësisë. Le të eksplorojmë botën morale të familjeve që vijnë nga fshati. Ato kanë jetuar të veçuara në banesat e tyre, duke administruar pronën e vogël private, me pak tokë dhe bagëti që siguronin mbijetesën familjare. Në këtë terren, kanë ekzistuar marrëdhënie instiktive dhe marrëdhënie të arsyeshme. Profili moral, shpirtëror dhe fetar, është ndërtuar brenda një komuniteti të kufizuar, me hapësira kulturore të cunguara. Në fshatin shqiptar, me vendosjen e pluralizmit, në emër të teorisë zero, u shkatërruan edhe ato institucione kulturore simbolike që u trashëguan, si vatra kulture, muzeume fshatrash, biblioteka dhe në shumicën e rasteve edhe shkollat, qendrat shëndetësore etj. Është e dhimbshme të pohojmë që në fshatrat malorë ka një shkretëtirë infrastrukturore. Njeriu jeton si një qenie natyrore. Kemi parë pambarim familje të vetmuara, që kur na shfaqen në televizion, pa mëdyshje na kujtojnë Robinson Kruzonë. Imazhi i të ardhurve nga zonat rurale, tregon se nuk është më një individ sovran i izoluar në fshat, por një turmë e përfshirë nga erozioni i lëvizjes së lirë, që kërkon me çdo kusht të integrohet në bashkësi qytetare. Natyra shoqërore e njeriut është komplekse. Brenda lirisë së tij, ai shfaq personalitetin mendor, moral, shpirtëror e kulturor. Popullata që ka zbritur nga fshati në qytet, pëson një ndryshim gradual, nëpërmjet proceseve të edukimit, arsimimit, punësimit dhe qenies në një mjedis rrethor të kulturuar. Ndryshimet nuk janë metafizike, por dialektike. Shpejtësia e ndryshimeve varet nga distanca që përshkon trajektorja e investimeve që kryen shoqëria në tërësinë e institucioneve të veta. Politika, shteti, shoqatat, institucionet e ndryshme, si dhe media, kanë një rol përcaktues kur veprojnë së bashku, në bllok dhe fokusohen në ato shqetësime aktuale të këtij komuniteti të brishtë të qytetarisë. Duke ligjëruar lëvizjen e lirë të njerëzve, shteti dhe shoqëria nuk janë shlyer nga detyrimet dhe përgjegjësitë, ndaj komunitetit të zonave rurale. Prapambetja arsimore e kulturore që mbartin me vete të ardhurit nga zonat rurale, nuk është për faj të tyre, por për faj të politikës së trashëguar e asaj aktuale dhe në tërësi për mungesë vëmendjeje, nga e gjithë shoqëria demokratike. Është për të ardhur keq që në këta 19 vjet të pluralizmit, jo vetëm nuk ka pasur përkujdesje të veçantë e punë të diferencuar me popullatën e ardhur në qytet, por ata janë neglizhuar e harruar, si të qenë muhaxhirë. Tërë strukturat shtetërore e shoqërore, janë mjaftuar me sigurimin e strehimit, duke iu krijuar hapësira infrastrukturore, e duke harruar mundësitë e integrimit në jetën e një qyteti metropol siç po shkon Tirana. Dukuri në pamje të vogla në fillesat e tyre për opinionin e gjerë shoqëror, bëhen fenomene shqetësuese për elemente të qytetarisë. Edukata, komunikimi, etika, fjalori banal, higjiena, pastërtia, marrëdhëniet në komunitet etj., janë fenomene që duhen kuruar në një shoqëri heterogjene. Nuk është e tepërt, e as turp të njohësh, evidentosh dhe korrigjosh mangësitë që ka popullata fshatare. Ata e kanë vështirë të ecin rrugëve me semafor, të sillen me qytetari në mjedise publike, të komunikojnë me etikë, në mënyrën e të ngrënit, të kenë një higjienë personale të përditshme etj. Ata që kanë ecur zabeleve, brazdave të ugareve, nuk e kanë të lehtë të përballen me elementë të qytetërimit modern, ndaj dhe pjesërisht divorcohen nga ambienti, pa e kuptuar pjesëmarrjen e tyre në bashkësi. Njeriu në natyrën e tij shoqërore, është i korrigjueshëm brenda parametrave të një morali të caktuar shoqëror. Por shohim me keqardhje se të gjitha institucionet heshtin para një situate të tillë. Harrohet se mungesa e një komuniteti të kulturuar, i sjell dëme edhe politikës, edhe shtetit dhe gjithë shoqërisë. Në tërësi media, e veçanërisht televizionet, si ai publik edhe privat, na bombardojnë me artilerinë e politikës, me lajme ndërkombëtare e kronika të zeza, deri edhe për çështjet e Zimbabve, por kurrë nuk merren me masa preventivuese për të edukuar e ndërgjegjësuar njerëzit për të qenë qytetarë të kulturuar, të qytetit metropol siç është Tirana e më gjerë. Harrohet fakti se Tirana ka një rritje demografike marramendëse e kaotike. Nga 200 mijë banorë që kishte Tirana më 1990, sot po "vrapon" drejt 1 milionshit. Kjo është ana sasiore e fenomenit, pa prekur anën cilësore. Para 1990-ës ishte krijuar një standard qytetërimi i kontrolluar. Hyrjet në Tiranë, ishin me kritere intelektuale, ndërsa fshatarësia pengohej me instrumentet e pasaportizimit. Kjo infrastrukturë kulturore që ka sot Tirana, si teatro, kinema, biblioteka, kënde lojërash për fëmijë, mjedise për të moshuar, etj., nuk i përgjigjet fluksit të madh të prurjeve periferike. Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve, nuk e ka objekt të sajën këtë fushë të kulturës e qytetarisë. Ajo para së gjithash merret me "miset," se me kulturën. Nuk është e udhës të heqim paralele me vendet e zhvilluara perëndimore, si Franca që buxheti për kulturën zë vendin e tretë, apo Gjermania, Anglia, Italia etj., por është e pafalshme që Ministria e jonë e Kulturës, Rinisë e Sporteve, ka një buxhet të papërfillshëm, qesharak. Ne kërkojmë të shkojmë në Europë me mentalitet provincial. Tirana, emrin qytet e mban për infrastrukturën, pallatet madhështore, objektet sociale, por për nga mentaliteti, psikologjia, kultura është rreth 70 për qind me popullatë fshatare. Është kjo arsyeja, që disa zyrtarë në administratën e lartë shtetërore të ardhur nga fshati, duke pasur defiçenca në kulturë, etikë, estetikë, që presupozohet të jetë kostumi që vesh një nëpunës i lartë, futen në administratë pasi bëjnë kozmetikë, që më shumë i denatyron se sa i portretizon si qytetarë të një shoqërie të civilizuar. Këta individë, shihen në pasqyrë dhe siç thotë Çehovi, i thonë vetes: oh sa i bukur që jam!. Por harrojnë se të bukur duhet të kenë mendimin, sjelljen dhe shpirtin, e pastaj rrobat. Duke i futur në administratën e lartë shtetërore, iu bëhet një privilegj, por e kanë të vështirë t‘i përgjigjen vendit të punës, gjë që bëhen pengesë për vete e shoqërinë. Ata ndihen të frikësuar, të pasigurt, të ndrydhur, pa iniciativë, ose në të kundërt euforikë, të pushtuar nga deliri i pushtetit. Kjo kategori shoqërore, e deformon rolin e nëpunësit. Distanca intelektuale, morale, zakonore, kulturore, brenda një komuniteti heterogjen, ka elementët e vet pozitivë. Duke bashkëjetuar në bashkësi njerëz nga krahina të ndryshme të vendit, ndodh procesi i difuzionit dhe shkëmbimit të zakoneve, traditave, virtyteve e cilësive dominante, në rrugë natyrale. Arsyeja më e thellë e natyrës shoqërore të njeriut, nuk është utilitariste. Ajo nuk konsiston në pamjen e tij të jashtme, që e bën të dallojë nga të tjerët në performancën natyrore, por është metafizike, pra qëndron në vetë thelbin e njeriut, që e pasuron ose e varfëron qenien e tij. Në pamjen e parë ndeshim me natyrën komunikuese, ku shpreh vlerat e veta shpirtërore dhe qytetare, si pjesëmarrës në shoqëri. Pesha shoqërore, përcaktohet në bazë të vlerave të veçanta personale, që qarkullojnë në një mjedis me një nivel të caktuar qytetar. Në prezantimet e personave nga zona e komunitete të ndryshme, nga Jugu në Veri, lexojmë gjurmët e shëmbëllimit të vendeve nga kanë ardhur. Cilësitë morale qytetare, janë të shprehura në tërë veçoritë dhe karakteristikat e zakoneve, traditave dhe trashëgimisë kulturore. Virtytet shoqërore, rrjedhin nga virtytet fisnore, patriarkale e krahinore që manifestohen tek individë të vetmuar, të rreshtuar në një komunitet të ri, me natyrë shoqërore të ndryshme nga e para. Vlerat etike e morale, nuk rrinë të fjetura tek individë të vetmuar. Ato shpërthejnë në një shoqëri të lirë, jashtë izolacionit. Duke ardhur nga zona të thella malore në Tiranë, ku pjesërisht janë integruar në administratën dhe institucionet e larta shtetërore, ata ndihen disi të ndrojtur ndaj fjalës së kultivuar dhe performancës intelektuale, përballë opinionit publik qytetar. Shumë prej tyre edhe pse kanë zënë vende kyçe në administratë, e kanë të vështirë të përshtaten me mënyrën e të sjellit, e të menduarit, për t‘u niveluar me pjesën qytetare. Fjalori i komunikimit që zotërojnë, mënyra e të sjellit, marrëdhëniet shoqërore, bëjnë që të ndihen në vështirësi relative, për vetë ndryshimin e niveleve që prezantojnë. Një pjesë e tyre, duke qenë me psikologji shoqërore të rrënuar, megjithëse jetojnë në shoqëri, janë pa marrëdhënie të hapura, duke vazhduar monologët e tyre të mbyllur në vetvete, si në zonat e izoluara prej nga vijnë. Ose e kundërta, ka prej tyre që kanë shpërthime emocionale, histerike, që humbasin kontrollin ndaj vetes dhe bëhen të bezdisshëm për një mjedis të kultivuar e qytetëruar. Në lokale, në rrugë, në institucione, dëgjojmë jo rrallëherë britma e piskama që të irritojnë e të stresojnë, për nga pushteti i fjalës që lëshojnë. Ortakëria që krijohet midis qytetarëve vendas dhe të ardhurve nga zonat rurale, është një bashkësi e diktuar në kushtet e pluralizmit politik. Ka marrëdhënie të arsyeshme midis grupeve shoqërore dhe marrëdhënie të paarsyeshme që i dikton pushteti. Bashkësia duhet të krijohet mbi një vullnet thelbësor të përbashkët, por jo të diktuar. Vullneti thelbësor në një shoqëri të qytetëruar, vepron në gjirin e bashkësisë si traditë, zakon, besim, harmoni, dok dhe fe, kurse vullneti zgjedhës u jep jetë institucioneve. Fenomeni i shtimit artificial me hapa galopantë të Tiranës, karakteri masiv i formave moderne të jetës, e kanë zvetënuar e masifikuar qytetarin e ardhur rishtas. Mbipopullimi sociologjik i Tiranës, e ka shëmtuar performancën qytetare dhe shfytyruar gjithnjë e më shumë jetën e përditshme. Kjo "mbipeshë" që ka Tirana, e bën të pamundur angazhimin në punë, në jetën shoqërore e kulturore, gjë që ka shkaktuar një shkretëtirë shpirtërore jo vetëm për të ardhurit, por edhe për vendasit, që janë ndier të spostuar nga graviteti i qetësisë së jetës. Tirana kërkon një vëmendje gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen e tërë strukturave të legjislativit dhe ekzekutivit, të shoqërisë civile, institucioneve të pavarura dhe medias, për të amortizuar "ndotjen" morale e shpirtërore që i kanoset nga katarakti i prurjeve pa kriter nga zonat rurale.