E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi ngushëllon Obaman

Nga Express më 20 mars 2011 në ora 14:12

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama dhe popullit amerikan, me rastin e vdekjes së ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Warren Christopher.

“Sekretari Christofer ishte ndër politikanët dhe diplomatët më të shquar amerikanë, që dha kontribut të çmuar në të gjitha periudhat, duke promovuar dhe mbrojtur vlerat më kulmore të paqes, lirisë, demokracisë dhe zhvillimit në mbarë globin”, thuhet në telegram.

Thaçi ka thënë se vdekja e veteranit të diplomacisë amerikane është humbje e madhe jo vetëm për SHBA të, por edhe për popujt për të cilët ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e paqes dhe arritjen e lirisë.

“Diplomati Christofer ishte pjesë substanciale e politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur lirinë, pavarësinë dhe demokratizimin e Kosovës. Qeveria dhe populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për kontributin e Christofer për Kosovën”, përfundon telegrami.

Ish- sekretari amerikan, Warren Christopher, ka vdekur të premten në Los Anxhelos, në moshën 85-vjeçare.

Ai ishte sekretar shteti në administratën e presidentit Clinton dhe njëri nga negociatorët kryesor në procesin e paqes në Bosnjë, në vitin 1995 dhe në Lindjen e Afërt.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›