E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhet, 13 marinarë shqiptarë, peng në portin libian

Anija shqiptare "Brustel" prej 22 janarit nuk lejohet të ikë nga bregdeti i Afrikës veriore. Pronari: Unë i kam paguar detyrimet

DURRËS- Një anije shqiptare është mbajtur peng për rreth një muaj në portin Lisurata të Libisë. Në bordin e anijes ndodhen 13 marinarë të cilët kanë njoftuar shtetin shqiptar mbi gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen. Kapiteni i anijes "Brustel" ka telefonuar dhe ka bërë me dije se anija është mbajtur e bllokuar për shkak të një borxhi të kompanisë "Bruno" që menaxhon anijen, ndaj detyrimeve doganore te papaguara në portin Libian. Porti ku është bllokuar anija shqiptare "Brustel" e kompanisë "Bruno" shpk ndodhet në veri të Afrikës në qytetin port Nisurata të Libisë. Ajo ka hyrë në këtë port me 22 Janar dhe ka mbetur e bllokuar pasi agjencia e udhëtimit i ka bllokuar të gjithë dokumentacionin e anijes duke deklaruar se kompania shqiptare u detyrohet atyre një shumë të hollash rreth 39 mijë euro. Firma është treguar e patolerueshme sa që jo vetëm nuk ka dhënë dritë jeshile për anijen, por nuk ka lënë që të ikë drejt atdheut edhe një marinar të cilit i ka vdekur gruaja.

Kapiteni i anijes, Armando Ulqinaku, e dha alarmin për gjendjen e rëndë të marinarëve shqiptarë. "Që nga data 22 Janar kemi ardhur në portin e Libisë nga Tunizia dhe nuk mund të largohemi nga këtu pasi agjencia e udhëtimit nuk pranon të na japë dokumentet e anijes pasi kompania i detyrohet në shumën 39 mijë euro",- tha ai. Kapiteni i anijes u shpreh se kishte folur në telefon me menaxherin e firmës pak ditë më parë, pa arritur në zgjidhjen e krizës. Gjendja është rënduar së tepërmi ditën e djeshme kur njërit prej anëtarëve të bordit i vdiq gruaja në Shqipëri nga një sëmundje e rëndë dhe agjencia nuk pranoi riatdhesimin e tij me asnjë kusht. "Mbetemi peng i kompanisë që na ka lënë në mëshirë të fatit pasi nuk na mundëson kthimin ne atdhe. Pronari nuk na hap telefonin", tha Ulqinaku.

Por nga ana tjetër, pronari i anijes tregtare, Alban Tepshi, ka deklaruar se bllokimi nuk ka ardhur nga borxhet sepse ai nuk ka asnjë detyrim ndaj autoriteteve të Libisë. "Nuk ka asnjë detyrim të papaguar. I kam paguar të gjitha detyrimet. Anija po pret ngarkesën ndaj është vonuar. Ngarkesa do të bëhet në Itali dhe pritet të bëhet të hënën". Tepshi ka deklaruar se do të paguajë edhe shpenzimet e njërit prej marinarëve që i ka vdekur e shoqja dhe nuk mundi që t'i vijë në varrim. " Do t'ia paguaj të gjitha"- u shpreh ai. Pronari Tepshi hodhi poshtë edhe akuzat e ekuipazhit shqiptar se anija është e amortizuar, duke u shprehur se ajo "është anija më e re nga të gjitha anijet shqiptare të mallrave". Pas denoncimit të gjendjes së rëndë ku ndodhen prej rreth një muaji 13 marinarët shqiptarë, pronari i anijes tregtare u lidh në telefon me ekuipazhin, duke u premtuar atyre zgjidhjen e krizës.

Kapiteni i anijes tregtare shqiptare, Armando Ulqinaku, nga porti libian u shpreh se ekuipazhi shpresonte në një zgjidhje të shpejtë të situatës dramatike. "Pas alarmit, pronari na kontaktoi me telefon dhe na premtoi se do të zgjidhë çdo gjë dhe do veproje të hënën". Sipas tij, për gjendjen e rëndë janë njoftuar edhe autoritetet shqiptare, dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka premtuar se do të ndërhyjë për të zgjidhur gjendjen dramatike ku ndodhen 13 marinarët shqiptarë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›