Kriminalistët: policët nuk vranë grabitësin
Ekspertët e Policisë së kryeqytit pohuan se Ahmet Bardhoshi u vra nga shoku i tij, i shpallur në kërkim për disa akuza
Të dy personat me precedentë të mëparshëm penalë u përplasën me policinë pas dy vjedhjeve që kishin kryer
TIRANE- Ahmet Bardhoshi dyshohet të jetë vrarë nga bashkëpunëtori i tij, me të cilin dyshohet se kishte vjedhur një autoveturë "Mercedez- Benz" në Paskuqan dhe një gjenerator në afërsi të Bovillës. Policia mësohet se ka idenitifkuar bashkëpunëtorin e Bardhoshit 32- vjeçar, ndërsa ai nuk është gjetur në banesë gjatë kontrollit të kryer nga uniformat blu. Pavarësisht se të gjitha të provat dhe faktet e siguruara nga policia sipas burimeve flisnin për një vrasje të kryer nga bashkëpunëtori i tij, zyrtarisht policia e është rezervuar të dalë zyrtarisht me këtë version. Pavarësisht kësaj, burimet e policisë pohojnë se ky është versioni që kanë deri më tani hetuesit. Ndërkaq ndaj bashkëpunëtorit të Bardhoshit, të shpallur në kërkim tashmë, policia ka ngritur akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë të 3 punonjësve të policisë, armëmbajtjes pa leje si dhe vrasjes aksidentale të shokut të tij. Ndërkaq, veç këtyre akuzave, ndaj tij, rëndon edhe akuza e vjedhjes së automjeteve në një rast e mbetur në tentativë, si dhe e vjedhjes së një gjeneratori, në Bovillë.
Policia: Vrasja nga shoku ?!
Pas vjedhjes së një gjeneratori në Bovillë dhe një automjeti në Paskuqan, dy personat, Ahmet Bardhoshi i vrarë, dhe shoku i tij në kërkim, po zbrisnin në rrugën e njohur me emrin "OSBE", në Kamëz, kur janë diktuar nga policia si të dyshuar të mundshëm. Menjëherë atyre iu është bllokuar rruga dhe i është ndezur fenelina e policisë. Në këtë moment, dy personat, kanë zbritur nga vetura dhe nuk i janë bindur urdhrit të tre efektivëve. Në largim e sipër, personi në kërkim që mbante dhe një pistoletë "TT", ka hapur zjarr në drejtim të tre punonjësve blu. Në këtë kohë, Policia ka shkrehur armët, ndërsa i vrari Bardhoshi ka mbetur pas nga shoku i tij duke u vënë në mes dy zjarresh. Në këtë kohë ai mendohet se ka ngritur duart lart për t'u dorëzuar ndërsa shoku i tij duke iu përgjigjur zjarrit të policisë ka qëlluar duke vrarë Ahmet Bardhoshin. Nga këqyrja e trupit të tij, policia ka vënë re se ai kishte marrë një plagë në shpinë që e kishte shpuar tej për tej duke dalë poshtë gojës. Bardhoshi ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa shoku i tij është larguar dhe po ndiqej nga blutë.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ekspertët kanë administruar tetë gëzhoja pistolete "TT", nga të cilat dy ishin të pistoletave të autorëve, pasi ishin gjetur fare pranë trupit të viktimës, nga ku sipas hetuesve ka qëlluar personi i kërkuar nga policia. Ndërkaq ekpertët thonë se drejtimi i trupit të viktimës përputhet me vrimën hyrëse dhe dalëse të predhës së marrë në trup. Më parë se të përplaseshin me policinë, Ahmet Bardhoshi dhe miku i tij, kanë tentuar të vjedhin një automjet "Mercedez- Benz" në Bovillë, por nuk kanë arritur ta ndezin. Më pas ata kanë marrë një gjenerator dhe dhe kanë mundur ta tërheqin për më tepër se 100 metra së bashku. Më pas ata kanë mundur të vjedhin një "Mercedez- Benz", me targa TR 3854 G dhe me të ata kanë transportuar gjeneratorin deri në vendin e përplasjes me policinë. Më parë sipas burimeve të policisë, Bardhoshi, ka qenë i dënuar në Greqi dhe me precedentë në Kukës dhe në Tiranë, po ashtu si edhe shoku i tij i dënuar për vjedhje. Ndërkaq në vendin e ngjarjes viktimës i janë gjetur veshur një palë doreza të zeza inkelite, një xhup kamuflazhi, si dhe një palë pinca të fshehura në trup. Të gjitha këto janë administruar nga Policia në cilësinë e provave materiale bashkë me disa akte të këqyrjes së vendit të ngjarjes të kryera nga ekspertët.