Ristani: Kutitë hapen vetëm për të djegur fletët

Sipas Ristanit, kërkohet rinumërim kur ka vota që janë kontestuar gjatë procesit të numërimit.
TIRANË- Destinacioni i vetëm i fletëve të votimit të 28 qershorit nëse kutitë hapen, është djegia e tyre. Në kulmin e debatit për hapjen ose jo të kutitë votimit, me qëllim transparencën e zgjedhjeve, Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka deklaruar dje se nëse ato hapen, fletët e votimit duhet të digjen. "Fletët e votimit nuk janë një dokument zyrtar që mbahet nga institucioni jonë mbi bazën e këtyre rregullave, nuk janë dokumente që futen në arkiv dhe mbahen në arkivin e KQZ-së. Ato në këtë moment që flasim duhet të ishin hi, pra, të asgjësuara. I vetmi veprim në bazë të ligjit është në rast se hapen kutitë patjetër do t'i djegim se kështu thotë ligji.
Për mendimin tim debati për hapjen e kutive është i kotë, sepse i vetmi destinacion ligjor i këtyre fletëve të votimit, është të bëhen hi", - tha Ristani. Kryetari i KQZ-së shtoi se ky veprim do të ishte ndërmarrë në rast se nuk do të kishte një debat për këtë çështje. "Ne mund ta kishim bërë këtë punë, ndërkohë kishte nisur debati politik rreth këtij problemi. Dhe figurativisht, për të mos i hedhur benzinë zjarrit, menduam që palët do të binden që kërkesa e tyre është e paligjshme dhe në një kohë të qetë ne mund të fillonim këtë lloj veprimtarie. Ky debat për këtë çështje nuk do të bëhej nëse do ishin djegur më parë, po jam i bindur që debati nuk e ka këtu problematikën, do të ishte gjetur ndonjë problem tjetër",- vijoi Ristani.
Edhe pse debatin e sheh diku tjetër, Kryetari i KQZ-së, pranoi pak ditë më parë gjatë prezantimit të raportit për zgjedhjet se pati jo pak probleme gjatë numërimit të votave. Në raportin e KQZ-së për zgjedhjet thuhej ndër të tjera se, ky proces u karakterizua nga disa bllokime të pajustifikuara nga ana e komisionerëve të ZAZ-ve, por dhe nga anëtarët e grupeve të numërimit të votave. Raporti i KQZ-së nuk jepte asnjë hollësi lidhur me kërkesën për dy anëtarë të KQZ-së mbi numërimin e votave, siç parashikohet edhe në Kodin Zgjedhor. Sipas kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, ligji është i qartë: kërkohet rinumërim kur ka vota që janë kontestuar gjate procesit të numërimit.