E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi i askujt

Familjet sociale të Regjionit të Prishtinës, po shihen si barrë e madhe për Kompanitë Publike.

Numri i rastërve sociale në nivel të Kompanisë, ku Kompania “Pastrimi”, operon dhe kryen shërbim, është afro 5700 familje që llogariten raste sociale e që nuk paguajnë fare faturat që nga vitet e pasluftës.

Faturat për këtë kategori, “Pastrimit” nuk ia paguan as niveli qendrore e as ai komunal. Të njëjtin hall e ka edhe Ujësjellësi Rajonal KUR – Prishtina.

Arbnore Ademi, zëdhënëse në KRM “Pastrimi”, tha për Indeksonline se Kompania “Pastrimi”, nuk është paguar asnjëherë për kryerjen e shërbimit të mbeturinave sa u përket rasteve sociale, as nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e as nga ndonjë institucion tjetër.

Ajo tregoj se borxhi i rasteve sociale ndaj Kompanisë është mbi 4 milion euro.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka paguar asnjëherë për këto familje edhe pse do të duhej të zgjidhej sa më shpejtë kjo çështjeje, sepse borxhi i krijuar po ndikon në krijimin e kushteve të vështira financiare të Kompanisë”, tha Ademi.

Zëdhënësja Ademi tregon se, borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve ndaj Kompanisë “Pastrimi”, është afro 17 milion euro. E gjithë kjo vlerë, sipas sajë, ka ndikuar që Kompania të xhindet në një situatë me probleme ekonomike, e si pasojë e gjithë kësaj është edhe problemi i krijuar me Kompaninë e Menaxhimit të Deponive të Kosovës.

Edhe, Arbrie Zogjani – Hiseni, zëdhënëse në kompaninë Ujësjellësi Rajonal Prishtina, thotë se për rastet sociale nuk i paguan askush faturat, edhe pse, thotë se kanë bërë kërkesa të tilla në nivelin qendrorë.

“Ne KUR-Prishtina dhe Ujësjellësit tjerë Regjional kemi bëre kërkese përmes SHUKOS-it në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale lidhur me ketë çështje, por ende nuk kemi marr një përgjigje. Deri me tani nuk kemi një marrëveshje të tille mes nesh dhe qeverise për pagesën e borxheve për kategorinë e familjeve nën asistence sociale, familjeve të dëshmoreve, invalidëve etj”.

Ndërkohë, Korporatës Energjetike të Kosovës ia kryen obligimet Ministria e Punës, për kategoritë sociale. Zyrtar të kësaj ministre thanë se nuk paguajnë faturat për kompanitë tjera, pa dhenë arsyeje se pse.

“Për kategoritë sociale nuk paguan para për kompaninë “Pastrimi”. Për këtë kategori (për familjet shfrytëzuese të ndihmave sociale) dhe për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe familjeve me viktima civile të luftës, MPMS paguan, që nga viti 2006, nga 400Kë/h në muaj. Vlera vjetore për këtë destinacion është 4.5 milionë euro”, tha Musa Demiri, Drejtor i Zyrës për Komunikim Publik në MPMS. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›