Nxënësi i plagosur: Mësuesit na çonin për dru

11-vjeçari me inicialet E.Gj, i cili u plagos në oborrin e shkollës 9 vjeçare “Muharrem Cela” në fshatin Kukur të Gramshit teksa po priste dru, ka rrëfyer për A1 Report se mësuesit i dërgonin për dru çdo ditë, transmeton Noa.
Gjatë dëshmisë së dhënë gazetarit nga spitali Ushtarak, ku i mituri gjendet që prej ditës së djeshe, 11 vjeçari u shpreh se mësuesit i kanë urdhëruar të dalin për dru në shpatin e malit pranë shkollës në mënyrë që të sigurojnë ngrohjen në shkollë. Jo vetëm kaq por pasi i mbledhin, nxënësit duhet edhe i presin me sëpatë drutë.
Mësuesit e shkollës 9 vjecare, Muharrem Cela duket se i kanë angazhuar maksimalisht nxënësit në këtë detyrë, saqë në disa raste edhe sëpatën e merrni nga shtëpia.
Ndërkaq ai shpjegon se shkojmë çdo ditë për dru jashtë ambienteve të shkollës.
11 vjecari me inicialet E.Gj, tregon se plagosja e tij ka qenë aksidentale. “Shoku më goditi aksidentalisht ndërsa të dy po çanim drutë. Dy gishta të dorës nuk i ndjej”, ka thënë ai.
Ndërkaq nëna e të miturit është shprehur se ishte në punë në momentin që djali i saj është plagosur në ambientet e shkollës.
“Ngjarjen e mësova nga të tjerët, ndërsa vetë isha në punë. Fëmijën e dërgova në shkollë nuk dija më shumë. Mjekët thonë se shëndeti i djalit tani është normalizuar dhe do të futet në operacion për dy gishtat e dëmtuar”.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje (1 janar) në shkollën 9 vjecare Muharrem Cela në fshatin Kukur të Gramshit, ku një 12-vjeçar në klasën e 6-të plagosi me sëpatë bashkëmoshatarin e tij gjatë një grindjeje mes tyre. Burime zyrtare të MASH thanë se, nuk është e pranueshme, megjithëse nuk është e shkruar në asnjë vend, siç nuk është e shkruar që shkollat në zonat rurale duhet të ngrohen me dru.
Policia e Gramshit menjëherë pas ngjarjes mori dëshmitë e stafit pedagogjik, si përgjegjës direkt për ngjarjen e ndodhur.
Sipas dëshmisë së dhënë në polici, drejtori i shkollës Nefail Kllogjeri ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 gjatë pushimit të gjatë. Por deklarata e tij bie në kundërshtim me orën e regjistrimit të fëmijës në spital.
Policia menjëherë duke parë se dëshmitë nuk përputheshin midis drejtorit të shkollës Nefail Kllogjeri 45 vjeç dhe mësueses kujdestrare D. Dyrmyshi 28 vjeçe, i ka arrestuar dhe ka filluar procedimin penal për shpërdorim detyre. /Indeksonline/