Përfshihet nga flaka “Viva Fresh Store” në Gjilan

Qendra tregtare “Viva Fresh Store” që ndodhet në rrugën “Medlin Ollbrajt” në Gjilan, është përfshirë të premten në mbrëmje nga flakët, dhe për këtë është dashur të intervenojnë zjarrfikësit. Kjo qendër tregtare momentalisht e ka mbyllur lokalin dhe është në pritje të ekspertizës së policisë dhe zjarrfikësve.
Arianit Hamzaj, përfaqësues i “Viva Fresh Store” tha për rajonipress se flaka është shkaktuar me gjasë si pasojë e rrymës elektrike dhe pakujdesisë. “Dëmet materiale ende nuk dihen, sepse nuk kemi ekspertizë as nga policia e as nga zjarrfikësit. Ne po bëjmë përpjekje që të sanojmë dëmet dhe që puna të rifillojë të hënën”, tha ai.
Hamzaj tha se në këtë qendër tregtare punojnë mbi 50 punëtorë, duke mohuar njëherësh zërat se kjo qendër është sulmuar apo se zjarri është vënë me qëllim. “Nuk janë të vërteta ato vlerësime sepse gjithçka që është bërë është kryer nga pakujdesia e që lidhet me defektin e energjisë elektrike”, tha Hamzaj.
Zjarrin në “Viva Fresh Store” e ka konfirmuar edhe Ismet Hashani, zëdhënës i policisë rajonale në Gjilan. “Zjarri ka ndodhur në mesnatë dhe ka dëme të konsiderueshme materiale. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe i ka thirr edhe zjarrfikësit. Po e hetojmë rastin, por dyshimet e para lidhen me instalimin e dobët të energjisë elektrike brenda objektit”, tha Hashani./Indeksonline/