Borxhi i familjeve, 60% e kanë marrë në tregun e zi
Përqindja e borxhit që familjet kanë marrë në tregun e zi arriti në 60 %, sipas Bankës së Shqipërisë. Shifra është rritur ndjeshëm të paktën në vitin 2009, kur ky tregues ka qenë 34 për qind
Borxhi aktualisht nuk është një problem vetëm për qeverinë dhe buxhetin e shtetit, por edhe për familjet shqiptare, 25 për qind e të cilave tashmë janë në borxh. Lajmin e dha dje Banka e Shqipërisë gjatë prezantimit të raportit të fundit mbi stabilitetin financiar. Mirëpo situata e borxhit të familjeve bëhet edhe me delikate, pasi 60 për qind e familjeve borxhlie kanë marrë hua në tregun e zi dhe vetëm 37 për qind e tyre kanë borxh në banka. Përqindja e borxhit që familjet kanë marrë në tregun e zi është rritur ndjeshëm të paktën me vitin 2009, ku ky tregues ka qenë 34 për qind. Bankat i kanë shtrënguar ndjeshëm kushtet e kredisë për individët dhe për rrjedhojë kanë rritur edhe normat e interesit, duke detyruar një pjesë të individëve t’i drejtohen tregut të zi për financim. Banka e Shqipërisë informon se qëllimi kryesor i marrjes së borxhit nga familjet është blerja dhe riparimi i pasurive të paluajtshme në 41.6% të rasteve, konsumi në 28.5% të rasteve dhe zhvillimi i biznesit në 10.1% të rasteve. Por ndërkohë, familjet janë më pak të ekspozuara nga rreziku i kursit të këmbimit në raport me biznesin, pasi 96% e borxhit është marrë në monedhën vendase. Koha e mbetur për shlyerjen e borxhit është kryesisht periudhë afatmesme 1-3 vjet 33% dhe afatshkurtër prej 12 muajsh, 36%. Autoriteti Qendror Bankar njofton se familjet raportojnë ulje të aftësisë për shlyerjen e borxhit në 6 muajt e kaluar, kryesisht për shkak të rënies së të ardhurave familjare dhe rritjes së shpenzimeve. Në lidhje me pritshmëritë për gjashtëmujorin e dytë të 2011-ës, familjet vlerësojnë se kushtet e të ardhurave dhe shpenzimeve nuk do të ndryshojnë, ndaj për 50% të tyre nuk ekziston mundësia e marrjes së një borxhi të ri. Pjesa më e madhe e familjeve shqiptare përbëhen nga tre ose katër persona, konkretisht 59.38% e tyre. Ndërsa 28.13% e tyre kanë në përbërje pesë ose më shumë persona. Vetëm një ose dy persona janë burimi kryesor i të ardhurave në familje, çka do të thotë se vetëm ata janë në marrëdhënie pune, rreth 53.12% e familjeve dhe pjesa me e madhe e tyre janë të punësuar në sektorin privat. Banka qendrore e vendit, nga anketat mbi detyrimet e familjeve shqiptare dhe të ardhurat e tyre synon të nxjerrë veç të tjerash edhe të dhëna nga ekonomia reale. Rezultatet japin një pasqyrë të saktë në lidhje me mikroekonominë, duke i dhënë fakte bankës të njohë me nga afër rreziqet që mund t’i kanosen sistemit bankar dhe ekonomisë në tërësi. Banka e Shqipërisë e ka forcuar vrojtimin mbi rreziqet ndaj sistemit financiar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për këtë qëllim është ngritur departamenti i stabilitetit financiar si një strukture e re brenda bankës, që shërben për prognoza ndaj problematikes që kanë të bëjnë me stabilitetin financiar të vendit në tërësi.
Borxhi i familjeve në shifra
25 % e familjeve shqiptare janë në borxh
60 % e familje janë kredituar nga tregu i zi
37 % e familjeve janë kredituar nga bankat
41 % e borxhit është përdorur për investime në pasuri të paluajtshme
28 % për konsum
10 % për biznes
Afati i shlyerjes 1-3 vjet