E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi, KESH:Jo të vërteta deklaratat e CEZ-it

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hedhur poshtë si të pavërteta deklaratën e bërë nga përfaqësuesit e kompanisë CEZ Shpërndarje, lidhur me borxhin që kjo kompani i ka KESH-it. Në një deklaratë për shtyp, KESH-i thekson se këto deklarata kanë pasur si synim keqinformimin e opinionit publik ndërsa shton se pretendimi i CEZ-it se borxhi ndaj këtij institucioni është i trashëguar është i pavërtetë.
 

“Për të sqaruar opinionin publik, KESH bën me dije se borxhi në vlerën e 55 milionë eurove, që së bashku me kamatvonesat kap vlerën e rreth 58 milionë eurove, një debi kjo që njihet edhe nga CEZ Shpërndarje, është krijuar duke filluar nga muaji dhjetor i vitit 2010 e në vijim. Pra, CEZ Shpërndarje ka 12 muaj që nuk i paguan KESH-it energjinë që ai e furnizon dhe që më pas, iu kalon konsumatorëve. Si pasojë e këtyre detyrimeve të papaguara, të cilat CEZ Shpërndarje duhet ti kishte paguar në bazë të kontratës që ka me KESH-in, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ndodhet aktualisht në vështirësi financiare” thuhet në deklaratën e KESH-it.
 

Më tej Korporata Elektroenergjetike Shqiptare sqaron se kjo kompani po importon aktualisht energji, duke përdorur 45 milionë euro overdrafte që i ka marrë për të garantuar burimet për blerjen e energjisë elektrike dhe për të furnizuar pa ndërprerje konsumatorët.
“Vlen të theksohet se i vetmi klient që KESH ka është CEZ Shpërnadrje dhe si rrjedhim, shlyerja e detyrimeve nga CEZ është e një rëndësie jetike për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare” thuhet më tej në deklaratë.

Një tjetër fakt që KESH kërkon ta bëjë publik është se CEZ Shpërndarje nuk ka bërë një planifikim të konsumit të energjisë mbi bazën e statistikave shumëvjecare, ashtë siç e kërkon edhe modeli i tregut.

Sipas KESH-it në fillim të vitit, CEZ kërkoi një konsum vjetor të energjisë për të furnizuar vendin prej 4.3 miliardë kilovat orë, ndërkohë që deri tani, sasia e energjisë që KESH ka furnizuar CEZ është 5.2 miliardë kilovat orë. Pra, 900 milionë kilovat orë shtesë dhe mbi planifikimin fillestar që KESH-it i është dashur ti sigurojë për të furnizuar CEZ.

Gjithashtu, KESH ka theksuar se justifikimi që jep CEZ Shpërndarje se nuk mund të paguajë borxhet ndaj KESH, pasi qeveria i detyrohet për faturat e papaguara të energjisë nga disa institucione shtetërore është i një mentaliteti mesjetar.
“KESH, ashtu si edhe CEZ Shpërndarje janë kompani që funksionojnë në bazë të kontratave të vendosura me mirëkuptim të përbashkët dhe në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar dhe si të tilla, ato janë të detyruara për t`u respektuar nga të dyja palët” përfundon deklarata e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›