Banesat, rritet me 20 mijë lekë kostoja e ndërtimit
Kostoja mesatare e banesave e vendosur nga Enti Kombëtar i Banesave, e miratuar dje nga qeveria në mbledhjen e radhës, është rritur me 20 mijë lekë krahasuar me një vit më parë. Për 2011-ën, kjo kosto do të jetë 36 526 lekë për metër katror. Në të njëjtën shifër prej 20 mijë lekësh do të ketë rritje të kostos mesatare të banesave për çdo qytet për vitin në vazhdim. Udhëzimi dikton që, për qytetet për të cilat nuk janë nxjerrë vlerat e kostos mesatare të ndërtimit, do të merren vlerat e kostos së ndërtimit të qytetit më të afërt. Ndërkaq, vlerat mesatare të banesave në tregun e lirë nuk mund të përdoren për t’iu referuar zonave të afërta. Për hartimin e kostos mesatare, rezultatet nxirren nga studimi i tregut i bërë gjatë vitit, si dhe të ndërtimit të banesave nga ana e EKB-së po atë vit, duke iu referuar projekteve tip të banesave më të përdorura nga EKB. Për llogaritjen e kostos mesatare, EKB iu referohet investimeve të bëra nga ana e tij, por po ashtu edhe të dhënave të tregut. Për sa i përket kostos mesatare të vitit 2010 në krahasim me vitin paraardhës ka një rritje prej 3.48 %, në të cilën ka ndikuar rritja e çmimeve të disa prej materialeve të ndërtimit, kryesisht atyre elektrike. Njëkohësisht ndikim në këtë rritje, sipas EKB-së ka dhënë dhe rritja e kursit të këmbimit të euros me lekun.