E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi publik, Rama: Shteti po falimenton

Kryesocialisti: Jemi në kushtet kur hamendësojmë, për shkak se nuk jetojmë në një shtet serioz, por jetojmë në një shtet mafioz


TIRANË - Një ditë pas miratimit në parim të projektligjit për shkurtimet në buxhetin e shtetit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se ky buxhet i rishikuar nuk zgjidh asgjë, përveçse u tregon shqiptarëve me faktin rrëqethës të shkurtimit të 25% të shpenzimeve, se kriza është reale dhe nuk është një fantazi apo kokëndjellje opozitare.


Ndërsa paraqiti një analizë të thellë të efekteve ekonomike që sjell ky rishikim i buxhetit, kryesocialisti bëri dje përgjegjës qeverinë dhe korrupsionin e oborrit të pushtetit që ka kapur tërë shtetin për gjendjen e rëndë ekonomike në vend.


"Opozita në mënyrë të qartë e ka treguar të vërtetën për situatën ekonomike të vendit qysh prej fillimit të vitit 2009. Kemi treguar atë të vërtetë të hidhur që detyroi Sali Berishën të grabisë votat dhe të mbyll kutitë e 28 qershorit, me qëllimin e vetëm që të vazhdojë të grabisë Shqipërinë duke mbuluar me gënjeshtra dhe shirita mashtrues gropën ku po zhytet përditë ekonomia e vendit", deklaroi Rama.


Për sa i përket shkurtimit të buxhetit, lideri i opozitës e vlerësoi atë si një përpjekje sa e vonuar aq edhe e dëshpëruar, e cila për më tepër nuk do të zgjidh asgjë. "Të gjithë do të jemi këtu kur brenda këtij viti një tjetër shkurtim dramatik do të lypset dhe për këtë shkurtim dramatik qeveria do të jetë e detyruar nga kriza dhe jo nga vullneti i saj, t'i ridrejtohet kuvendit.


Sepse qeveria nuk i doli përballë krizës në kohën e duhur dhe tani është kriza që e tërheq pas vetes qeverinë", paralajmëroi kryetari i Partisë Socialiste.
Sipas tij, kriza është më e rëndë, shumë më e rëndë sesa na e tregojnë shifrat gjithsesi të rënduara zyrtare.


Ai përmendi gjithashtu dhe deklaratën e ministrit të Financave për kontraktimin e 3.2 miliardë euro kredi, duke e vlerësoi se edhe një fëmijë e kupton se nuk ka pse shkurton investimet dhe pse i lë njerëzit dhe kompanitë me borxhe e me lista një qeveri që paskërka kontraktuar 3.2 miliardë euro.


Më tej, kryesocialisti nënvizoi se arsyeja pse nuk janë fshirë edhe këto 3.2 miliardë euro në tabelat e buxhetit është se 3.2 miliardë euro nuk ekzistojnë tjetërkund përveçse në listën e gënjeshtrave e të mashtrimeve publike të kësaj qeverie e posaçërisht të këtij kryeministri.


Krahas kësaj, shefi i opozitës solli në vëmendje deklaratën e kryeministrit Berisha në 20 nëntor të vitit të shkuar, në atë kohë ai deklaroi se "me buxhetin e vitit 2009 do të shtohet begatia në secilën nga 800 mijë familjet shqiptare".


"Pra, flasim për nëntorin e shkuar dhe sot kur duhet të masnim shtimin e begatisë, në fakt jemi këtu për të diskutuar shkurtimin e një buxheti për shkak të një krize, që jo vetëm nuk shton begatinë, por po rrënon edhe kursimet e fundit të familjeve shqiptare që janë gjithmonë e më të papuna dhe që nuk shohin dritë në fund të tunelit të krizës që i ka prekur drejtpërdrejtë tanimë", deklaroi Rama.


Gjithashtu, kryesocialisti vuri theksin në buxhetin e 6 mujorit të parë të vitit 2010, ku ka një shifër që është dy herë më e lartë sesa planifikimi dhe ky është deficiti. Sipas tij, deficiti po thellohet përditë, megjithëse përditë kemi premtime për ulje të tij.


Ai shprehu shqetësimin kemi arritur një borxh publik të frikshëm për vende me ekonomi të ngjashme me ne. "E kemi 2 herë më të madh borxhin sesa kapacitetin që manifestojmë sot për të mbledhur të ardhura. Merreni me mend se çfarë do të thotë kjo për një familje që konsumon 2 herë më shumë borxh sesa ajo që ka si të ardhur.


Fund, falimentim ekonomik i garantuar", paralajmëroi kryetari i Partisë Socialiste. Në fund të fjalës së tij, Rama deklaroi se "e vërteta është që jemi në kushtet kur hamendësojmë, për shkak se nuk jetojmë në një shtet serioz, por jetojmë në një shtet mafioz"


Deputetët Baraj dhe Felaj, akuza ministrit për fshehje të pasurisë. Prifti: Akuza të pavërteta, ILDKP të hetojë


PS-Prifti, debate për pronat një milionë euro

TIRANË - Partia Socialiste denoncoi dje skandalin "numër dy" me pronat e ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Në një komunikim të përbashkët me mediat, dy deputetët socialistë, Besnik Baraj, Ermonela Felaj dhe anëtarja e Kryesisë së PS, Lindita Nikolla, vijuan akuzat për ministrin e Ekonomisë, duke i kërkuar Prokurorisë që të hetojë pasurinë e zyrtarit të lartë të shtetit. Ndërkohë, vetë Prifti i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar si të pavërteta.


Socialistët


Zyrtarët socialistë kanë publikuar dy pasuri të tjera të Dritan Priftit me vlera miliona euro. "Përveç 1.8 milionë eurove të fituara si me magji në tre muaj si ministër i Sali Berishës, Dritan Prifti nuk ka deklaruar në deklaratën e pasurisë së tij një kat të tërë pallati me sipërfaqe 400 metra katrorë në një nga zonat më luksoze të Tiranë, si dhe një vilë që po ndërton në Lundër, vlera e së cilës llogaritet në mbi një milion euro. Këto janë përmasat skandaloze të korrupsionit të ministrit Prifti dhe qeverisë Berisha-Meta", denoncoi Besnik Baraj.


Lidhur me këtë çështje, deputetja Felaj ka bërë apel ndaj Prokurorisë që të mos heshtë dhe të hetojë për këtë rast. Ajo tha se Prokuroria dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë duhet të nisin menjëherë hetimet për aferën që e ka bërë milioner brenda natës Ministrin e Ekonomisë.


Ndërsa, anëtarja e Kryesisë së PS, Lindita Nikolla, deklaroi se Prifti shndërrohet në supermilioner brenda një viti duke qenë ministër i Ekonomisë, ndërsa shqiptarëve iu rrënohet ekonomia e tyre.

Prifti


Menjëherë pas kësaj ka reaguar edhe ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili ka mohuar vërtetësinë e pohimeve të zyrtarëve socialistë. Dritan Prifti i kërkoi dje Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurisë që të kryejë një verifikim të plotë të pasurisë së tij, edhe pse ai nuk është përzgjedhur nga shorti i përvitshëm. "Shfrytëzoj momentin për ta ftuar ILDKP të bëjë një hetim sa më të shpejtë, sa më të plotë dhe sa më të thelluar të pasurisë sime, të të gjitha viteve të shkuara", - tha Prifti.


Sipas tij, nëse dikush shet aksionet nën vlerën minimale të tyre, nuk paguan asnjë lloj tatimi në këtë shtet. Nëse aksionet shiten mbi vlerën e tyre nominale, sigurisht që paguhet 10 për qind e vlerës që është mbi vlerën e aksioneve në kapital. Më pas Prifti ripërsëriti deklaratat në lidhje me Edi Ramën dhe tha se nëse kreu i PS provon të kundërtën, ai do të japë dorëheqje nga posti i ministrit, por edhe nga funksioni i deputetit.


Ministri i përgjigjet akuzave të deputetëve të majtë për ndryshimet e fundit në buxhet

Buxheti, Bode: Ishim transparent me ndryshimet

TIRANË - Debatet e hapura midis mazhorancës dhe opozitës gjatë seancës parlamentare maratonë të ditës së hënë për votimin e ndryshimeve në buxhetin e këtij viti kanë vijuar edhe dje në distancë. Konferencës për shtyp të kreut të opozitës, Edi Rama, ku ai akuzoi qeverinë për fshehje të shifrave reale të borxhit publik iu përgjigj ministri i Financave, Ridvan Bode. Ministri përmendi shkurtimet e bëra në buxhet, duke theksuar se në total ato nuk shkojnë më shumë se 9.5 për qind.


Në kundërshtim me akuzat e opozitës për fshehje të të dhënave dhe mungesë transparence gjatë ndryshimeve në buxhet, Bode tha se ato ekzistojnë në të gjitha institucionet përgjegjëse, si Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe INSTAT-i. "Sigurisht këto të dhëna nuk janë me formatin dhe me të dhënat që do dëshironte Edi Rama për të mallkuar dhe akuzuar ekonominë shqiptare si një ekonomi në krizë", - tha Bode.


Më tej, kreu i Financave vijoi duke bërë krahasime në të ardhura dhe realizime midis qeverisë së tanishme dhe atyre socialiste para vitit 2005. Bode krahasoi të ardhurat të ardhurat e realizuara nga qeveria e majtë në gjashtë mujorin e parë të vitit 2004 duke theksuar se ka një dyfishim të tyre gjatë këtij viti.


Zakonisht, krahasime të tilla për realizimin e të ardhurave bëhen në raport me rritjen e Prodhimit e Brendshëm Bruto dhe jo duke marrë në shqyrtim vite kalendarik, pasi PBB-ja dhe zhvillimi i vitit 2004 nuk ka qenë si 2010-a apo vitet në vijim.


Nesër seanca dëgjimore me kandidatët për bordin që do të hetojë krimet e komunizmit
Hetimi i komunizmit, emrat e institutit

TIRANË - Komisioni i Ligjove shqyrtoi kandidaturat e propozuara për anëtarë të bordit të Institutit të Studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri. Instituti i studimeve të krimeve dhe pasojave të komunizmit do të hedhë dritë mbi krimet dhe viktimat e periudhës së diktaturës komuniste.


Deputetja Arenca Trashani, relatore e shqyrtimit të kandidaturave për këtë institut, tha se anëtarët e bordit duhet të jenë personalitete të njohura nga komuniteti akademik dhe shoqëria civile, të cilët zotërojnë aftësi profesionale dhe kanë kontribut, si dhe krijojnë bindje se mund të mbështesin institutin në realizimin e misionit e të detyrave të tij.


Deputetja Trashani shpjegoi se anëtarët e bordit zgjidhen për pesë vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë dhe se mandati i anëtarit të bordit është i papajtueshëm me funksione të larta shtetërore, kushtetuese, politike, administrative, si dhe me anëtarësinë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Anëtarët e Komisionit u njohën me emrat e kandidatëve të propozuar për anëtarë të bordit.


Ndërkohë, komisioni do të bëjë verifikimin e përputhshmërisë ligjore të këtyre kandidaturave për dy arsye ligjore lidhur me subjektet propozuese dhe plotësimin e kërkesave. Sipas relatores Trashani, kandidaturat përmbushin të gjitha kriteret e përcaktuara.


Instituti është institucion publik, qendror, i pavarur dhe gëzon statusin e personit juridik. Ky institut do të financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga burime të tjera. Instituti i studimeve të krimeve dhe pasojave të komunizmit është i autorizuar që të përdorë të dhëna personale, kur është e domosdoshme, për përmbushjen e detyrave.


Të gjitha strukturat dhe organet shtetërore, njësitë e qeverisjes vendore, organizatat, tërësisht ose pjesërisht buxhetore, organizatat që financohen nga qeverisja vendore, arkivat dhe të gjitha njësitë apo strukturat e tjera, që disponojnë dokumente e materiale arkivore, që i përkasin periudhës së komunizmit dhe që mund t'i shërbejnë realizimit të veprimtarisë së institutit, janë të detyruara t'ia vënë ato në dispozicion dhe t'i ofrojnë institutit asistencën e nevojshme, pa pagesë dhe pa vonesë të pajustifikuar.

Kandidatët


Shoqata Antikomuniste 2 prilli
Sabri Bushati Inxhinier

Shoqata antikomuniste e ish të përndjekurve politikë demokratë
Nebil Cika Gazetar
Arben Ndoci jurist
Mallëngjim Skënderaj jurist
Sokol Miraka 1991-2002 sekretar shteti për fenë katolike.

Akademia e Shkencave
Kolec Topalli Akademik
Beqir Meta Akademik
Emin Riza Akademik i Asociiuar

Instituti i Integrimit të Përndjekurve politikë
Propozimet për kandidat të parë
Uran Butka publicist
Luan Buzhiqi jurist
Nikolin Vata Avokat

Propozimet për kandidat të dytë
Pjetër Pepa mjek
Arben Ndoci jurist
Vilhelme Vranari shkrimtare

Propozimet për kandidat të tretë
Gjergj Marku akademik politik
Çelo Hoxha Gazetar i "55"
Gëzim Peshkëpia Publicist

Konferenca e Rektorëve
Valentina Duka Universiteti i Tiranës
Nevila Xhindi Universiteti Evropian i Tiranës
Romeo Gurakuqi Universiteti "Luigj Gurakuqi", Shkodër
Alfred Lako Universiteti Politeknik i Tiranës
Bektash Mema Universiteti i Gjirokastrës
Eni Çobani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›