Komisioni, si do hetohen zgjedhjet e 28 qershorit
Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi kanë rënë dakord që të zhvillojnë këto dy ditë takimin e dytë zyrtar. Temë kryesore e takimit do të jetë teknika që do të përdoret për hetimin e zgjedhjeve pa djegien e kutive dhe modalitetet e hetimit të materialeve zgjedhore
TIRANË - Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord në parim që këto dy ditë të zhvillojnë raundin e dytë të negociatave për ngritjen e komisionit hetimor të zgjedhjeve. Ky takim do të ketë në qendër të diskutimit teknikën që do të përdoret për hetimin e zgjedhjeve.
Pas një fundjave reflektimi, palët do të nisin në këtë mënyrë diskutimet mbi pikën më të nxehtë të çështjes së tyre, për mënyrën se si do të ngrihet Komisioni i ri Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
Megjithëse palët kanë rënë dakord në takimin e parë për ngritjen e këtij komisioni, negociatorët nuk kanë pasur një qëndrim të përbashkët për sa i përket çështjes së hetimit të fletëve të votimit, por edhe modaliteteve për hetimin e materialeve zgjedhore.
Midis periudhës së zhvillimit të nisjes së takimit të parë dhe deri në takimin e dytë që pritet të bëhet sot ose nesër, partitë politike janë përfshirë në debat brenda tyre mbi teknikalitetet që mund të ofrohen si zgjidhje për çështjen e fletëve të votimit.
Pikërisht për këtë çështje, në Partinë Socialiste ka pasur pak ditë më parë një mbledhje të juristëve socialistë, të cilët janë edhe pjesë e Komisionit të Ligjeve. Siç është mësuar, selia rozë po përgatit një projektvendim për Komisionin e ri Hetimor për hetimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Krahas kësaj, socialistët po përgatisin edhe skenarë të ndryshëm për zgjidhjen e çështjes së hetimit përmes fletëve të votimit. Të gjitha këto përgatitje do të shërbejnë që në takimin e radhës midis negociuesve të shkohet me një projekt të qartë mbi hetimin e zgjedhjeve.
Por, një gjë për të cilën Partia Socialiste s'mund të bie dakord është djegia e fletëve të votimit, e cila është një kërkesë e bërë nga ata prej shumë muajsh. Ndërkohë, diskutimet më të forta pritet që të bëhen në lidhje me modalitetet e hetimit të materialeve zgjedhore.
Komisioni hetimor do të ketë si detyrë që të verifikojë numrat e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike tek kompania franceze si dhe numrat e pasaportave të vjetra tek Ministria e Brendshme.
Këto të dhëna duhet të krahasohen me procesverbalet e votimit, por edhe me sistemin TIMS të policisë. Sistemi tregon hyrje-daljet e shtetasve nga territori i Shqipërisë. Çështja më e nxehtë është se kush do të kryejë verifikimet.
Socialistët nuk kanë besim që verifikimi mund të kryhet në mënyrë korrekte nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe personelit të saj. Ata do të kërkojnë që verifikimi i të dhënave që dalin nga materialet zgjedhore të kryhet nga një grup ekspertësh të autorizuar nga komisioni hetimor.
Pra, baza e kërkesës së PS-së do të jetë vënia në dispozicion të komisionit i gjithë materiali i zgjedhjeve, të dhënat konfidenciale të kompanisë franceze që prodhon kartat dhe pasaportat biometrike, të dhënat e Ministisë së Brendshme si dhe databaza e sistemit TIMS. Nga ana e saj PD është e lëkundur në këtë pikë, por burime të kësaj partie pohuan se mund të lëshojnë pe dhe të plotësojnë kërkesën e opozitës.
Pika tjetër është ajo e fletëve të votimit. Këtu qendrimet e të dyja palëve janë diametralisht të kundërta, por duket se mund të arrihet një marrëveshje paraprake që kënaq të dyja palët: fletët e votimit të mos të digjen. Për to mund të vendosë Gjykata Kushtetuese (pretendimi i PD) ose Komisioni i Venecias (pretendimi i PS).
Edhe PD duket se është dakord me dërgimin në Komisionin e Venecias, por nëpërmjet Kushtetueses. PS kërkon që të shkojnë nëpërmjet një rezolute të komisionit hetimor dhe kërkesës së kryeparlamentares Topalli.
Duke qenë se PS ka hedhur hapin e parë duke zhvilluar takimin, si dhe për faktin se presioni më i madh për gjetjen e një zgjidhje politike rëndon mbi mazhorancën qeverisëse, PD pritet të shfrytëzojë të gjithë hapësirën kohore për të ngritur brenda këtij muaji komisionin e ri hetimor.
Nga selia blu mësohet se kryetari i grupit të PD mund të ofrojë një alternativë për ngritjen e Komisionit të ri Hetimor dhe me vijimin e punës së këtij komisioni të përcaktohen aty teknikalitetet për kutitë e fletëve të votimit.
Kjo edhe për shkak të kohës së kufizuar për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, pasi mbaron edhe sesioni parlamentar. Nëse gjërat shkojnë siç parashikohen dhe në negociata gjendet një zgjidhje, brenda datës 26 korrik do të miratohet Komisioni i ri Hetimor.
TEKNIKA
Takimi për raundin e dytë të negociatave do të ketë në qendër të diskutimit teknikën e hetimit të zgjedhjeve. Pas një fundjave reflektimi, palët do të nisin në këtë mënyrë diskutimet mbi pikën më të nxehtë të çështjes së tyre, për mënyrën se si do të ngrihet Komisioni i ri Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
ZGJIDHJA
Nga PD mësohet se kryetari i grupit të PD mund të ofrojë një alternativë për ngritjen e Komisionit të ri Hetimor dhe me vijimin e punës së këtij komisioni të përcaktohen aty teknikalitetet për kutitë e fletëve të votimit. Kjo edhe për shkak të kohës së kufizuar për të gjetur një zgjidhje, pasi mbaron sesioni parlamentar.