Romeo dhe Xhuljeta, një spektakël i kohës
Muzika e shkëlqyer e Gérard Presgurvic foli të njëjtën gjuhë me lëvizjet energjike të trupës "Ion Dacian" nga Teatri Kombëtar i Operetës. Regjisori Miklos Gabor Kerenyi kishte sjellë kohën në kostumet ekstravagante dhe sjelljen e personazheve
Nga tragjedia e 1595-ës shkruar nga Uiliam Shekspir, "Romeo dhe Xhuljeta", nuk kishte ndryshuar vetëm grindja e vjetër mes Kapuletëve dhe Montagëve në Verona, shtëpiza e priftit që bekon dashurinë e tyre dhe ballkoni me famë ku shpërthen dashuria e çiftit.
Prodhimi i Teatri Kombëtar të Operetës "Ion Dacian" të Bukureshtit në bashkëpunim me Teatrin e Operetës dhe Muzikës së Budapest, nën regjinë e hungarezit Miklos Gabor Kerenyi (Kero), solli një spektakël të vërtetë në skenën e Festivalit të Butrintit mbrëmjen e së martës.
Muzika bashkëkohore e Gérard Presgurvic u interpretua në mënyrë të mrekullueshme nga këngëtarët: Diana Nitu (Xhuljeta), George Papagheorghe (Romeo), Georgiana Mototolea (Zonja Kapulet), Adina Sima (Zonja Montag), Claudia Maru-Hanghiuc (dadoja), Daniel Iordachioaie (Princi i Veronës). Vepra e vënë në skenë nga Kero 5 vjet më parë në Hungari.
Dantella, meshinat, torëzat e rënda, çizmet e gjata, dorezat e realizuara nga Rita Velich shkonin në një linjë me kërcimet ekstravagante të trupës së baletit. Personazhe si ai i Tibaldit (Ernest Fazekas), apo Victor Bucur (Merkucios) shkonin drejt një kulmi të cinizmit. Regjisori kishte trajtuar aty edhe çështje të kohës si homoseksualiteti.
Energjia, plastika, shkathtësia që trupa shfaqi mbuluan edhe ato pak mangësi që u evidentuan në vokal dhe interpretim. Për "Shekullin" flet një nga interpretueset e spikatura në shfaqje, Georgiana Mototolea, në rolin e zonjës Kapulet.
Si e morët rolin e zonjës Kapulet?
Unë nuk jam e punësuar në Teatrin e Operetës së Bukureshtit. Thjesht punova për këtë rol. Por, kam interpretuar operetë në Filarmoninë Rumune, ku punoj. Kam mbaruar Konservatorin si këngëtare lirike, mexosoprano, por interpretoj edhe në muzikalë sepse i pëlqej.
Për të hyrë në këtë shfaqje, mora pjesë në audicionin e Keros. Ky ishte audicioni më i madh që është zhvilluar deri më sot në Rumani, ku morën pjesë 800 persona.
Përse ju zgjodhën ju?
Nuk e di. Ndoshta se Kapuleti i Magyar-it (vendi ku Kero e ka realizuar shfaqjen) ishte si unë, bionde, e gjatë. Fillimisht vlerësuan fizikun, më pas zërin.
Kero është një njeri i veçantë, kur e ka përballë aktorin ai zbulon gjithçka. Ai di t'i lexojë karakteret dhe të nuhasë aktorët e duhur.
Si punon ai regjisor?
Nuk është njeri i qetë. Është impulsiv dhe shpesh thotë: "Bëni interpretimin e duhur". Ai është i qartë sesi duhet punuar dhe e di se çfarë bën me aktorët. Unë jam njeri që i vë veshin regjisorit. Kam kuptuar se argumentet që jep Kero janë të duhurat. Ai kërkon lëvizje energjike gjatë gjithë shfaqjes. Skena këtu nuk ishte aq favorizuese për ne. Në Rumani është pak ndryshe, sepse ka mjetet e duhura për ta realizuar atë.
Pse ju nuk keni idetë tuaja që doni t'i mbroni?
Nëse do të punoja me të më shumë se një muaj, ndoshta do më lejonte të fusja idetë e mia, por për një kohë të shkurtër nuk mund ta bëj këtë. Në Operën e Budapestit, "Romeo dhe Xhuljeta" është në repertor për 5 vjet dhe pritet shumë mirë nga publiku. Ai e di shumë se çfarë duhet bërë dhe kur. Kur erdhi në Rumani ai kishte përvojën mbi shpinë.
Kurse, në teatrin "Ion Dacian" muzikali është vënë premierë vitin e kaluar. Ishte muzikali i parë në Rumani i këtyre përmasave. Kishte edhe nga ata që nuk e pëlqyen. Salla ishte plot, por çmimi i biletës ngelet problem. Për mua, është normale që biletat duhet të shiten shtrenjtë. Është një shfaqje e mirë dhe duhet shpërblyer. Një biletë shkon nga 10 euro deri në 15 euro.
Duket sikur karakteri i zonjës Kapulet është milje larg tuajit. Është e vërtetë?
Nuk kemi ngjashmëri, unë jam në paqe me veten, me bashkëshortin, me qenin. Por nuk ishte aq e vështirë për mua të luaja Zonjën Kapulet. Kur e pyeta Keron, "A është putanë kjo grua apo jo? Dua ta di nëse e marr këtë rol". Ai m'u përgjigj: "Jo nuk është. Është e palumtur dhe e kërkon lumturinë në forma të tjera, tek meshkujt e tjerë".
"Romeo dhe Xhuljeta" e Keros është pak ndryshe nga ajo që ka shkruar Shekspiri. Zonja Kapulet e do të bijën, por ndodh si në jetën e përditshme. Ka nëna të mbytyra me punë dhe harrojnë vëmendjen për fëmijët. Në Rumani ka shumë nëna që e bëjnë këtë.
Je e kënaqur me punën që bën në Filarmoninë Rumune? E ke synim Teatrin e Operës?
Në Filarmoninë Rumune jam këngëtare opere, mexosoprano dramatike. Aty është një teknikë krejt ndryshe nga muzikali. Interpretoj Handel, Haydn, Bach.
Për mua nuk është problem të këndoj edhe në aktivitete të tjera. Kurse me operën nuk është e lehtë të mbijetosh. Paratë nuk janë kurrë të mjaftueshme. Nëse je në majë është shumë mirë, por deri atje duhet kohë dhe shumë sakrifica.
Kur mbarova Konservatorin 10 vjet më parë, unë doja të merresha me operën. Por e pashë që ishte e vështirë për të hyrë në Teatrin e Operës sepse "të vjetrit" kanë zënë vend aty. Unë nuk jam njeri që mund të lë gjithçka vetëm për operën. Mendoj se nuk do ja vlejë. Për mua si grua nuk është rruga e duhur, për burrat është ndryshe.
Përse çfarë mund të bëjnë meshkujt më shumë?
Burrat nuk bëjnë fëmijë, nuk i rritin ata. Në Itali ka shumë soprano rumune dhe jeta e tyre private nuk shkon fare mirë. Janë të mbytura me punë, gjithë kohën në udhëtime, kanë për të bërë një mal me gjëra. Njoh dikë që nuk ka burrë, fëmijë, është 35 vjeçe. Por nuk e di: "A është ajo e lumtur?"
Ekziston në operën tuaj ky mentalitet i vjetër/i ri që s'është pa pasoja?
Në Rumani është si në komunizëm. Tani unë jam 30 vjeçe dhe mendoj me një "tru të ri". Ka shumë të rinj që mund të japin shumë. Të tjerët mendojnë se ata duhet të presin. Dhe mua më ka ndodhur kjo dhe u kam dhënë këtë përgjigje: "Jam qenie njerëzore, jam 30 vjeçe dhe mendoj se është kjo është koha ime." Nëse je e re dhe ke ide të reja, të mënjanojnë. Ka njerëz që këndojnë në Opera deri 70 vjeç. Kjo nuk është e drejtë.
Sa mundësi ka për një 30-vjeçare si ju në Rumani?
Pesë vjet më parë unë shkova në Konservatorin Santa Cecilia në Itali për t'u specializuar. Unë nuk jam tipi i njeriut që e lë vendin tim, por përpiqem të jetoj mirë aty. Është shumë mirë të rri në Shqipëri një javë apo pak më shumë, por ndjej se më mungon shtëpia. Është e vështirë Rumania, por ajo është shtëpia ime.
Është e vështirë sepse duhen bërë shumë punë për të pasur jetë normale. Unë punoj në Filarmoni, këndoj në kompaninë "Disney Music", punoj për albume. Nëse e do punën, gjen diçka. Me krizat që po kalojmë është e vështirë.
Përshtypje për shfaqjen:
Dieter Topp - Presidenti i Forumit të Kulturës Europiane me qendër në Këln, Gjermani
Butrinti ishte vendi perfekt për "Romeo dhe Xhuljetën".
U lumturova kur pashë sesi ata e menaxhuan atë muzikal të përmasave të mëdha në këtë skenë. U përshtatën duke reduktuar hapësirën, por jo lirikën dhe muzikën. Ishte një premierë për Shqipërinë, për Butrintin dhe ishte e shkëlqyer. Ka dy aspekte që kjo shfaqje duhet vlerësuar: muzikali. Historia u kombinua me muzikën dhe argëtimin. Së dyti, veçanërisht për Butrintin është një program edukues teatri. I gjithë festivali ishte i tillë.
Unë vura re audiencën, djem, vajza, burra dhe gra duke ardhur këtu në kohë pushimesh, nga anembanë vendit. Mendoj se ka qenë hera e parë që kanë parë një teatër shumë të mirë muzikor "live" në skenë, me zëra, tinguj, kërcime të mrekullueshëm.
Mikolaj Wiepriew
Sot shkova te gruaja që më pëlqeu më shumë me interpretimin e saj, Zonja Kapulet. Më bëri përshtypje energjia e saj dhe karakteri që shpalosi në skenë. Nuk mund ta them këtë gjë edhe për aktorët e tjerë.
Kjo ishte një shfaqje për audiencën. Ka shumë forma të të bërit teatër. Trupa rumune kishte përdorur një tjetër mënyrë shprehjeje dhe për të tërhequr audiencën. Regjisorët dhe aktorët shqetësohen për mënyrën sesi të mbërrijnë tek spektatori.
Ata e ngrejnë artin e tyre mbi nevojat e spektatorit. Ne nuk mund ta shmangim këtë lloj arti, sepse ai ekziston dhe ka ndikim tek publiku. Ashtu si futbolli tërheq një masë të madhe njerëzish. Kjo shfaqje është për të ndikuar tek shumë njerëz.