Borxhi publik, më i larti që nga viti 2003
Borxhi publik i Shqipërisë është sot më i larti që nga viti 2003. Përtej deklaratave politike të Kryeministrit, në vitin 2005, kur mazhoranca aktuale erdhi në pushtet, borxhi publik ishte sipas Fondit Monetar 57.7 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto ose 2 për qind më i ulët nga shifra aktuale.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Shqipëria e ka pasur borxhin publik 72 për qind, ashtu sikur thotë Kryeministri vetëm në vitin 1999, dy vjet pasi vendi përjetoi kolapsin financiar që shkaktuan skemat piramidale. Që nga ajo kohë, borxhi ka ardhur në rënie konstante nga viti në vit. Por kjo tendencë u përmbys në vitin 2008, kur borxhi u rrit për herë të parë pas dhjetë vitesh. Fillimisht me 1.3 për qind të PBB-së dhe më pas vitin e kaluar ku rritja ishte 4.5 për qind krahasuar me 2008, kryesisht për shkak të stimulit fiskal, rritjes së investimeve publike. Këtë vit qeveria është zotuar se do ta ulë borxhin.
Misioni i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë i kërkoi qeverisë ligj të posaçëm për të mbajtur nën kontroll borxhin publik, i cili duhet të synonte kufizimin e shpenzimeve qeveritare. Nëse kjo nuk do të ndodhë, FMN vlerëson se borxhi publik do të rritet deri në vitin 2013.
#